Një ekspozitë e re e hapur në muzeun “Whitney” në New York City vë në fokus një përzgjedhje të larmishme veprash që tregojnë historinë e Amerikës gjatë tetë dekadave të trazuara. Me titull “Unitled (America)”, ekspozita synon t’iu ofrojë vizitorëve një ndjenjë hulumtimi, duke frymëzuar shumë njerëz për të vazhduar punën e ripërtëritjes, që është çelësi i aftësisë së Amerikës për të lulëzuar
(The Guardian) – Me ekspozitën “Unitled (America)”, muzeu i artit amerikan “Whitney” feston 10-vjetorin në hapësirën e saj të re dhe u ofron vizitorëve një deklaratë për atë që përfaqëson muzeu. Duke eksploruar arkivat e institucionit, ajo bashkon 80 vjet të artit amerikan, që nga fillimi i shekullit e deri në vitet ‘80.
Ndërsa historiania e artit dhe kuratorja kryesore në “Whitney”, Kim Conaty, punonte intensivisht për kurimin e ekspozitës “Untitled (Amerika)”, ajo e imagjinonte muzeun si një vendstrehim dhe ushqim shpirtëror për artistët që kanë ofruar mënyra të reja për të shikuar veprat e artit dhe kanë sjellë rrëfime të reja historike.
“Kur mendoj për punën shumë të guximshme të artistëve ndër dekada, më emocionon mënyra se si përmes veprës së tyre mund të shohim pyetjet që ata kanë ngritur dhe historitë që i kanë bërë të dukshme”, tha ajo nëpërmjet një interviste online. “Duhet t’iu japim mbështetje atyre artistëve që kanë bërë atë mendim të thellë dhe që na kanë ndihmuar të zbulojmë apo të shohim historinë tonë dhe të imagjinojmë të ardhme të reja”.
Duke parashikuar se çfarë përfaqëson saktësisht “Whitney”, Conaty u frymëzua veçanërisht nga një citat i artistit kubano-amerikan, Félix González-Torres, i cili thotë: “Amerika ka qenë gjithmonë një ëndërr e paarritshme, një vend për të ëndërruar … Amerika që njoh tani është ende një vend drite, një vend mundësish, rreziqesh, një vend drejtësie, racizmi, padrejtësie, urie dhe teprie, kënaqësie dhe rritjeje. Demokracia është një punë e përhershme, një përkushtim kolektiv”.
Vepra e González-Torresit e vitit 1994 e titulluar “Pa titull (Amerika)”, zë një vend të rëndësishëm në ekspozitë. Vepra, e cila përbëhet nga 12 vargje individuale me nga 42 llamba secila, kishte qenë e ekspozuar për një kohë të gjatë në shkallët e muzeut “Whitney”, por për këtë ekspozitë është vendosur në një dritare në anën perëndimore të muzeut, duke krijuar një lloj lidhjeje me botën përtej galerive.
“Më pëlqyen hapësira, paqartësia dhe lloji i poezisë që përmban sfida në veprën e González-Torresit”, tha Conaty. “Vendimi i tij për të përdorur fjalën ‘Amerikë’ më duket në përputhje me një lloj pyetjeje që shumë njerëz kanë tani. Ndërsa po planifikonim ekspozitën, për ndonjë arsye më vinte shpesh në mendje pikërisht kjo vepër. Thjesht ndihej si përfaqësuese e asaj se çfarë do të thotë të jesh një muze i artit amerikan – evokues, abstrakt në njëfarë mënyre dhe i përditshëm në një mënyrë tjetër”.
Përballë veprës së González-Torres ndodhen pesë vepra të mëdha arti që mirëpresin vizitorët sapo dalin nga ashensori në katin e shtatë të muzeut: vepra skulpturore dhe ikonike e Jasper Johnsit, “Three Flags”, portreti virtuoz “Steve” nga piktori afrikano-amerikan Barkley Hendricks, vepra efemere “April Contemplating May” nga artistja e peizazheve, Kay WalkingStick, vepra konceptuale “Summer Days” e Georgia O’Keeffe dhe abstraksioni me frymëzim fantastiko-shkencor “Mars Dust”, nga artistja Alma Thomas.
Të bashkuara, këto pesë vepra përbëjnë një koleksion mahnitës që shpreh me guxim anët e shumta të Shteteve të Bashkuara – si edhe shumëllojshmërinë e lëvizjeve artistike brenda saj – rreth të cilave ekspozita “Untitled (America)” synon të nxisë biseda. Një nga pikat më të forta të ekspozitës është mënyra se si ajo krijon me lehtësi dialogë befasues mes veprave, që në pamje të parë duken të ndryshëm.
Duke folur për këto pesë vepra artistike, Conaty ishte e mahnitur nga secila prej tyre për rrugët artistike të ndryshme që ato hapën, por gjithashtu i shihte ato si një tërësi më të madhe se vetë pjesët individuale.
“Të gjitha kanë një mënyrë të veten për të hapur qasje të ndryshme ndaj procesit të krijimit artistik”, vëzhgoi ajo. “Një pjesë e përzgjedhjes kishte të bënte me pamjen e tyre së bashku – vizualisht, si funksionojnë këto piktura në një mënyrë asociative? Duhet gjithashtu të imagjinosh edhe cilat janë tregimet që fshihen pas këtyre veprave”.
Nxitja e bisedave midis veprave ishte një ndër prioritetet kryesore për Conatyn gjatë kurimit të ekspozitës. Ajo zgjodhi një përvojë më të lirë, ku publiku ka mundësinë të hartojë rrugën e vet përmes ekspozitës, duke vendosur me kujdes muret dhe formën e hapësirës për të inkurajuar asociacione dhe lidhje të lira.
“E projektuam në atë mënyrë që me një shikim të vetëm të mund të shihje një vepër të caktuar, por gjithashtu edhe veprën që është shumë më larg”, shpjegoi Conaty. “Ishim duke menduar për linjat që lejojnë vizitorët të bëjnë lidhje vizuale midis veprave. Pikërisht aty ndodhen shumë momente të papritura – kur punon në një arkitekturë më të hapur, sheh më tepër, përthith shumë më tepër. Kur je duke instaluar veprat, kupton, oh, kjo është vërtet interesante”.
Një nga blerjet e reja të theksuara në ekspozitë është vepra mbresëlënëse e artistit indigjen amerikan, Fritz Scholder, “Massacre at Wounded Knee II”, nga viti 1970. Duke u konsideruar më shumë vepër abstrakte, pjesa më e madhe e pikturës është në ngjyrë të bardhë të zbehtë, me një brez të hollë dhe valëzues jeshil në pjesën e sipërme dhe dy figura abstrakte në të kuqe të ndezur, duke treguar shumë prej vrasjeve që piktura i përfaqëson. Titulli i saj i referohet një incidenti të vitit 1890, ku më shumë se 300 njerëz të Lakotas u vranë ose u plagosën nga ushtria amerikane, si pjesë e një fushate afatgjatë për të marrë tokat e popullit Lakota.

“Ajo përshkruan një vend traume, si dhe një histori që rrallë tregohet ose tregohet ndryshe në librat e historisë. Duket si një abstraksion, por në fakt është bazuar në fotografi dokumentare historike. Duke e shikuar atë, ndien një sens dhune, një peizazh të pushtuar nga fantazmat”, tha kuratorja.
Conaty lidh veprën e Scholder me një seri të veprave të artistit afro-amerikan, Jacob Lawrence, të cilat i realizoi pasi përfundoi shërbimin si pjesë e Rojës Bregdetare të SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe për të cilat ai mori çmimin “Guggenheim”. Këto 14 vepra, që përziejnë elemente të figuracionit dhe abstraksionit, dokumentojnë aspekte të ndryshme të përvojës së luftës në ushtri, duke përfshirë nisjen, pushimet, betejën për një pikë bregdetare dhe fitoren.
“Së bashku, veprat e Lawrence dhe Scholder lidhen me historitë e peizazhit amerikan, histori të lidhura me traumën. Ato imagjinojnë alternativa ndaj rrëfimeve më heroike amerikane”.
Për Conatyn, eksplorimi i arkivit të madh të muzeut “Whitney” ishte një përvojë mbresëlënëse. Ajo përshkroi procesin e kurimit të ekspozitës “Untitled (America)” si një proces zbulimi të vazhdueshëm, si dhe një mësim për fuqinë që kanë veprat e mëdha të artit.
“Kishte kaq shumë vepra që përfunduam duke u dashuruar në to, por të cilat nuk ishin domosdoshmërisht në listën tonë fillestare”, tha ajo. “Ti mëson për fuqinë e vërtetë të disa prej këtyre objekteve, sepse jemi mësuar t’i shohim ato vetëm në ‘slajdet’ e PowerPointit. Por kur je përballë vetë veprës, përjeton atë ndjesi të fuqishme dhe të thellë”.
Në fund të fundit, Conaty shpreson që ekspozita t’iu ofrojë vizitorëve një ndjenjë hulumtimi, duke frymëzuar shumë njerëz për të vazhduar punën e ripërtëritjes që është çelësi i aftësisë së Amerikës për të lulëzuar, për t’u përmirësuar dhe për t’iu bërë ballë stuhive të errëta politike.
“Më pëlqen që lejojmë idenë e Amerikës të ketë një pikëpyetje të butë”, tha ajo. “Është diçka që po ripërjetohet dhe ripërcaktohet vazhdimisht”.
Ekspozita “Untitled (America)” po qëndron e hapur në muzeun e artit amerikan “Whitney”.
Marrë nga “The Guardian”, përktheu Edona Binaku