Kulturë

Instalacioni i artit digjital ringjall lisin e lashtë ikonik

Një nga pemët më të vjetra në kopshtin Kew të Londrës ka pasur një ndryshim në shekullin e 21-të. Lisi ‘Lucombe’ u mboll në vitin 1762, por tani është rikrijuar si një vepër arti digjitale

Një nga pemët më të vjetra në kopshtin Kew të Londrës ka pasur një ndryshim në shekullin e 21-të. Lisi ‘Lucombe’ u mboll në vitin 1762, por tani është rikrijuar si një vepër arti digjitale

Foto: Associated Press

E vendosur mes pemëve në zemër të kopshtit Kew, qëndron një vepër monumentale arti. Në ekranin LED, 6 metra të lartë, një pemë digjitale rrotullohet vazhdimisht duke kaluar përmes stinëve të saj, nga rrënja deri te gjethet. Kjo është vepra me titull “Of the Oak” dhe frymëzimi i saj është shumë pranë. Instalacioni bazohet te lisi “Lucombe”, një nga pemët më të vjetra në kopshte. Është më shumë se 250 vjet i vjetër dhe dikur kishte qenë e vendosur pikërisht aty ku tani gjendet vepra e artit, por u shkul dhe u zhvendos nga ky lokacion në vitin 1845.

Një kolektiv artistësh i quajtur “Marshmallow Laser Feast” e krijoi instalacionin “Of the Oak”. Ersin Han Ersin, njëri prej anëtarëve, thotë se historia magjepsëse e pemës “Lucombe oak” e bëri atë një zgjedhje të natyrshme për këtë vepër.

“‘Lucombe’ është një pemë speciale. Është një nga pemët më të vjetra në Kew, por gjithashtu krijon këtë ndjesi skulpturale. Çdo kënd i saj paraqet një formacion të ndryshëm. Pra, është një pemë speciale sepse është një hibrid, diçka që ndodh rrallë në natyrë. Diku në vitet 1700 ndodhi gabimisht në një kopsht pemësh dhe u shndërrua në këtë trup të jashtëzakonshëm. Por gjithashtu ne donim të krijonim këtë pemë shumë karizmatike dhe fotogjenike, si një portal në botën e lisit. Pra ‘Lucombe’ është një portal dhe ne zgjodhëm që përmes këtij portali t’i ftojmë njerëzit në botën e lisit”. 

Ekspozita është interaktive. Nëse afroheni mjaftueshëm pranë ekranit, lëvizjet shkaktojnë shpërthime të vogla të pikselëve që vallëzojnë përmes pemës. Për të krijuar këtë model 3D, Ersin dhe grupi i tij përdorën sensorë ‘LiDAR’, skanim CT, fotografi me rezolucion të lartë dhe radar depërtues në tokë, për të hartuar pemën dhe krijesat që jetojnë mbi dhe në të. Këto teknologji përdoren gjithashtu nga studiuesit për të kuptuar më mirë bimët. Pra, rezultati përfundimtar është një përzierje e shkencës dhe artit.

“Ne arritëm të krijonim një përshkrim shumë të saktë të pemës. Por në fund të fundit ky nuk është një vizualizim i të dhënave. Është një projekt artistik ku fillojmë nga rrënjët e tokës, sa më saktë që të jetë e mundur, dhe pastaj sjellim dramën, ku e përshpejtojmë kohën për t’i sjellë njerëzit në kohën e pemës. Në 12 minuta ju kaloni nëpër 12 stinë. Shikoni gjendje të ndryshme valëzuese, strukturat e brendshme dhe animizmin. Pra, këto teknologji të avancuara dhe mjete na lejojnë dhe na mundësojnë të shohim, të tregojmë animizmin e fshehur dhe mund të vërehet vetëm përmes këtyre lenteve”, thotë Ersin.

Një nga shkencëtarët që i ndihmoi artistët me projektin ishte Justin Moat. Ai është udhëheqës kërkimor në Kew, i specializuar në teknikat që studiojnë entitetet duke përdorur vetitë e tyre topologjike, gjeometrike ose gjeografike. Moat përdor rregullisht sensorë ‘LiDAR’ për të studiuar 11 mijë pemët e kopshtit.

“Në thelb, në nivelin më të thjeshtë, është një kamerë 3D, por në fakt ajo regjistron, jo pikselët dhe copat individuale të dritës, por regjistron nga vjen kthimi. Dhe në këtë rast, kjo na lejon të ndërtojmë pemën me një rezolucion shumë të lartë në 3D dhe na lejon ta ndajmë atë pemë, kështu që do të ketë miliona pika të vogla. Më pas mund të thyejmë të gjitha degët, të gjitha gjethet e pemës dhe në fakt t’i numërojmë ato dhe të përcaktojmë se çfarë po ndodh me to. Mund të kthehemi gjithashtu te kjo pemë dhe ta regjistrojmë përsëri, ndoshta pas një viti, për të parë se cilat pjesë të pemës po rriten dhe cilat mund të mos rriten aq mirë”, deklaroi Moat.

Për të treguar historinë e lisit, artistët u mbështetën te Moat dhe ekipi i tij për t’ua dhënë këndvështrimin e tyre shkencor.

“Ne po sillnim shumë njohuri për mënyrën se si po rritej pema, gjithashtu çfarë po ndodhte nën dhe. Dhe ndonëse mund të përdorim instrumente si radarët për të parë rrënjët, ato janë ende mjaft të papërpunuara. Dhe ne duhet të interpretojmë atë që është duke ndodhur në të vërtetë. Pastaj vetë pema, si po rritet, si është lëvizja e ujit dhe dioksidit të karbonit në atë pemë”, tha Moat.

Lisi ‘Lucombe’ njihet si një nga pemët kryesore të kopshtit Kew – një referencë për rëndësinë e tij në historinë e këtij vendi të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Punonjës të Cecily Withall, kalojnë ditët e tyre duke u kujdesur për pemët e kopshtit. Por kjo vepër arti e ka bërë atë ta shikojë pemën në një pikëpamje krejtësisht të re.

“Kam punuar në Kew për shtatë vjet dhe kam vëzhguar këtë pemë tre ose katër herë, duke u kujdesur për të. Por kurrë nuk e kam parë imazhin që tani mund ta shohim përmes veprës së artit, të asaj që ndodh nën tokë. Si arboristë, shpesh përdorim radar depërtues të tokës për të parashikuar probleme potenciale, nëse po ndërtojmë dhe duam të mbjellim pemë në një zonë. Por është kënaqësi e jashtëzakonshme ta kemi atë imazh për ta shfaqur, jo vetëm për ne dhe njerëzit që punojmë në hortikulturë këtu në Kew, por edhe për vizitorët dhe fëmijët gjithashtu, të cilët tani kanë mundësi të qëndrojnë para asaj vepre artistike dhe ta shikojnë në detaje atë që ndodh nën tokë”, tha Withall.

Lisat shquhen për faktin se mbështesin një rrjet prej më shumë se 2,300 speciesh, nga zogjtë te vemjet dhe madje nematodet mikroskopike që jetojnë në tokë dhe nën lëvoren e pemëve.

Ndryshimet klimatike po e bëjnë më të vështirë, për disa lloje të lisave, që të mbijetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Dimrat më të shkurtër nuk u japin atyre kohë të mjaftueshme për të pushuar dhe për t’u rikuperuar, para se të vijë pranvera. Por pemët si “Lucombe” ofrojnë një fije shprese. 

“Siç mund ta imagjinoni, është muaji maj, temperatura është 27 gradë, 10 gradë mbi mesataren për këtë kohë të vitit. Pra pemët rreth nesh këtu në kopshtin Kew po luftojnë vërtet me nxehtësinë. Dhe kjo është interesante për ne, sepse është një kujtesë e frikshme që ndryshimi i klimës po ndodh vërtet dhe po ndikon te pemët që kemi këtu. Por gjithashtu na tregon se cilat pemë po vuajnë dhe cilat nuk po vuajnë. Pothuajse kemi një bibliotekë të gjallë pemësh këtu në Kew nga e gjithë bota. Dhe është vërtet e rëndësishme për ne që të shohim pemët që mund të tregojnë shenja shprese, si lisi ‘Lucombe’, për shkak të trashëgimisë së tij. Është një hibrid midis një lisi hungarez dhe një lisi me gjelbërim të përhershëm. Kjo përzierje ia mundëson pemës të luftojë kundër thatësirës me të cilën po përballemi si pasojë e mungesës së reshjeve”, thotë Withall.

Instalacioni “Of the Oak” u hap për publikun e gjerë më 2 maj dhe do të qëndrojë i ekspozuar deri më 28 shtator.