Një grup artistësh, që për momentin mbeten anonim kanë lanësuar një këngë të zhanrit rock.
“Ekskluzive: Ja pse armiqtë duan ta shkatërrojnë këtë këngë (+81)”, e kanë quajtur projektin e tyre, që zgjat fiks 3 minuta e 4 sekonda.
Në një artikull satirik me të cilin është lanësuar kënga thuhet se “fillimisht ajo ka qenë 12 minuta e gjatë, por 9 minuta të saj u zhdukën në mënyrë misterioze”.
I atribuohet revistës inekzistente “Revista Perdja”, është cituar njëri nga artistët pjesëmarrës në projekt.
“Unë mendoj se kjo vepër përdor një koncept metafizik audio-viziv, që ruan një konsekuencë stilistike. Aty interpretohet si duhet fjala ‘flutur’, që gjendet andejpari si fjalë kyçe, teksa fluturon nëpër një mosprani koherente njerëzore, duke i hapur rrugë unike tingullit të kitarës, muzikës, zërit e mbi të gjitha lajmit”, ka thënë për revistën artisti dhe kritiku Tonin Berisha, që jeton dhe vepron në Belgjikë.
Ndërkaq, për historianin dhe analistin politik Bashkim Ibrahimi, “ka qenë momenti i duhur që kjo këngë ta përhapë të vërtetën që armiqtë janë munduar ta fshehin”, thuhet më tej në artikullin nga “Revista Perdja”.
Edhe
Kënga “Jugoslavija” nxit reagime para finales për ta përfaqësuar Serbinë në Eurovision
Në videoklip, që vetë-cilësohet si më i miri ndonjëherë janë shkruar tituj bombastik portalesh.
Për të mos humbur kohë më shumë: A e dini se cili lajm po e çmend Serbinë? Cilat fjalë rrisin inteligjencën e shqiptarëve? Pse armiqtë duan ta shkatërrojnë këtë këngë dhe pse nuk do ta besoni këtë që do ta lexoni?
Për këto dhe shumë të tjera, bëhuni pjesë e së vërtetës dhe dëgjojeni e shikojeni këtë vepër të rrallë audio-vizive të bazuar në ngjarje të vërtetë.