BETIMI PËR DREJTËSI

Adoleshentë të armatosur shfaqen pa frikë online

Adoleshentë të armatosur, çfarë dëshmojnë grupet në “Snapchat” ku nxënësit po ekspozojnë armë

Adoleshentë që në dorë kanë armë, me një muzikë “trap” në sfond. Fotoja apo videoja zhduket pas 24 ore, por ndikimi i saj mbetet. Të nesërmen një tjetër adoleshent e bën të njëjtën gjë. Dhe një tjetër pas tij.

Në një cep të vogël të një “Shared Story” në “Snapchat”, po zhvillohet një konkurs i heshtur: kush duket më i rrezikshëm?

Fëmijë të armatosur. Rrjetet sociale po shndërrohen në vitrinë të armatimit ilegal dhe glorifikimit të dhunës.  Disa të rinjtë në Kosovë, po përdorin mediat sociale jo vetëm për t’u lidhur mes vete, por për të ndërtuar një identitet të bazuar në frikë, dominim dhe dhunë të mundshme.

“Betimi për Drejtësi”, për më shumë se një muaj, ka identifikuar dhe monitoruar disa grupe në median sociale “Snapchat” të njohura si “shared story”, apo “storje të përbashkëta”. Pra është një histori ku disa përdorues mund të shtojnë foto dhe video, duke ndarë momente së bashku në një vend të vetëm.

Këto grupe, të krijuara nga fëmijë dhe adoleshentë kryesisht nga qyteti i Skënderajt janë bërë adrese e shpërfaqjes se armëve.

“02”, zerodyshat, “trimche”, “albushe”, janë disa prej këtyre grupeve që janë identifikuar gjatë hulumtimit. Emri i grupeve në disa raste edhe ka ndryshuar, por jo edhe përmbajta. Secili prej këtyre grupeve, ka rreth 500 anëtarë që një pjesë e madhe janë anëtarët e njëjtë.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me disa nga krijuesit e këtyre grupeve për të parë se cili ka qenë qëllimi i hapjes se tyre dhe nëse janë të vetëdijshëm për materiale që postohen.

L.H, krijues i grupit “02”, thotë se grupi u hap me qëllim të postojnë nga jeta e tyre.

“Jo motër ky grup është për qejf  me qit storie a pe din me kallxu jetën tane so për armë. Po qifti i gjithkujt qet armë, ma shum o per jet. E qa te hin ne pun ty ky sen qe e kum kriju une storyn 02”, ka thënë njëri prej përgjegjësve të faqes.

Ai pyetet se pse si krijues i grupit ka lejuar të postohen këto lloj përmbajtje.

“S’mun i nal”, përgjigjet ai.

Kur pyetet për moshën, ai përgjigjet që i ka 19 vjet, por në fakt “Betimi për Drejtësi”, mëson se ai është i mitur dhe është nxënës i shkollës fillore.

L.H thotë se do ta mbyllë grupin.

“Qetash e msheli krejt unë”, shkruan ai.

Por, pse këtë nuk e kishte bërë me herët kur ka parë që armët po ekspozoheshin.

“Qa me bo oj motër unë, pse me mbyllë për qejf u hap ajo. E vërtetë, po s’mun i nal nejse ashtu kështu plan e kom pas me mshele. E msheli për pak”, shton ai.

Ai thotë se nuk është i vetmi që ka grupe të tilla, sipas tij këto grupe ekzistojnë në çdo qytetet të Kosovës.

“Nuk jam veç unë që kam story, ka shumë story tjera, shumë e shumë ku postojnë armë”, ka thënë ai.

Ndonëse ai tha se do ta mbyllë grupin, deri në publikimin e këtij hulumtimi grupi vazhdon të jetë aktiv.


Çfarë thonë krijuesit e grupeve ku fëmijët postojnë armë?

Për më shumë se një muaj, “Betimi për Drejtësi”,  ka identifikuar dhe monitoruar disa grupe në median sociale  “Snapchat” të njohura si “shared story”, apo “storje të përbashkëta”.

Këto grupe, të krijuara nga fëmijë dhe adoleshentë kryesisht nga qyteti i Skenderajt janë bërë adrese e shpërfaqjes se armëve. “02”, zerodyshat, “trimche”, “albushe”, janë disa prej këtyre grupeve

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar dhe me krijuesit e grupeve “zero dyshat” dhe “trimche”.

Krijuesi i grupit “zero dyshat”, ka thënë se çdo kush që poston armë fshihet nga grupi. Por e vërteta ishte ndryshe. Pasi në këtë grup fëmijët vazhdonin të postonin armë në këtë grup.

Ai thotë se nuk ka lajmëruar ndonjëherë Policinë apo njoftuar dikë kur janë postuar armë por që grupin do ta mbyllë.

“Grupin do e mbylli tani”

Edhe ai, kur pyetet për moshën, thotë se ka 23 vjet, por ekipi mëson që edhe ai është i mitur.

Në këtë grup, ekipi nuk ka pasur më qasje, nëse është fshirë me të vërtetë apo është transformuar me një emër tjetër. Kjo mbetet të trajtohet nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.

Në anën tjetër, krijuesi i grupit “Trimche”, ka thënë se nuk e ka me këtë grup, dhe se sipas tij e ka bllokuar për shkak të problemeve që mund t’i lindnin.

“Jo se unë kam pas story por e pata mshele se shume probleme e s’kum dasht mi nxjerr vetes problem. Mu a me keni pa ndonjëherë me armë apo si. Pse nuk kontaktoni me persona qe qesin sene të ndryshme”, ka thënë ai.

Ai nuk tregon as për moshën dhe shkollën në të cilën ai vijon, por “Betimi për Drejtësi” kupton se edhe ai është në moshë të mitur. “Por s’mujt te tregoj se jam pa faj ne këto pyetje mfal per shqetësim por nuk kam ndonje faj nuk kam ndonje kontakt me ju ndihmu”, ka thënë ai.

Ky grup, ka funksionuar me javë të tëra ku janë postuar përmbajtje me armë. Por pas një kohë është fshirë. Por, pothuajse të gjithë anëtarët e këtij grupi kanë qenë në grupin e quajtur “Albushe”.

Të infiltruar në këtë grup, “Betimi për Drejtësi” ka biseduar me krijuesin e grupit. Ajo refuzon të ndajë informata, duke pyetur “se kush jemi”, por thotë se është në klasë të 11 dhe grupin e ka që shumë kohë.

“Gazetarja: Kur u çelë qeky grup bre, se m’u tash me kanë shti në grup.

A.O, krijuese e grupit: Moti e kom”

Pas kësaj bisede të shkurtër  ka fshirë ekipin e “Betimi për Drejtësi”. Adimin i këtij grupi është provuar të kontaktohet edhe në platforma tjera sociale por nuk ka qenë e qasshme. Në këtë grup administrator ka qenë edhe krijuesi i grupit paraprak “Trimche”, dhe një administrator tjetër, kjo e fundit nuk është përgjigjur ndërsa “Trimche”, nuk pranon të ketë qenë administrator në këtë grup.

Pas kontaktimit nga “Betimi për Drejtësi”, ky grup me ketë emër më nuk ekziston por tashme është një grup i ri, me anëtarë të njëjtë me emrin “02”, ndërsa krijuesi është një profil i rreme.

Por, ajo që e bën këtë edhe më shqetësuese, është fakti se këto grupe ekzistojnë jashtë kontrollit të shkollave dhe prindërve. Familjarët nuk e dinë që fëmijët e tyre çdo ditë janë pjesë e një loje të rrezikshme virtuale. Grupi mbyllet sot dhe hapet nesër me një emër tjetër, nga të njëjtit persona, me të njëjtët ndjekës.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe me personat që kanë postuar armë të ndryshme, por ata kanë qenë të pa qasshëm.


Drejtorët e shkollave të mesme nuk janë në dijeni për grupet ku ekspozohen armë, fajin ua lënë prindërve

Nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kryesisht nga Komunën e Skenderajt, kanë krijuar disa grupe në median sociale “Snapchat”, ku ekspozojnë armë zjarri dhe armë të ftohta.

Por për këto grupe që kanë rreth 500 anëtarë, të njohura me emrat si “02”, “zero dyshat “albushe” dhe “trimche”, nuk janë në dijeni drejtorët e shkollave të mesme në Skenderaj.

Drejtori i shkollës së Mesme Teknike “Anton Qeta” në Skenderaj, Agron Istogu, ka thënë se nuk është i informuar për këto grupe.

“Të them të drejtën nuk jam i informuar se nuk jam përdorues i snapchatit por edhe nuk kam ndonjë informatë. Sigurisht që është mjaft shqetësuese. Ne do të marrim shumë seriozisht këtë çështje, ne kemi bashkëpunim edhe me policinë që janë ta angazhuar si policë civilë. Do t’i verifikojmë këto raste, të shohim se për çka bëhet fjalë dhe jam i bindur se do t’i marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin, udhëzimet administrative”, ka thënë ai.

As drejtoresha e Gjimnazit “Hamëz Jashari”, Gisela Shala dhe drejtori i Qendrës se Kompetencës në Skenderaj, Armend Bajraktari thonë se nuk janë të njoftuar.

“Jo, nuk jam në dijeni dhe jam duke e pohuar që kontrollet nga policia, i kemi zyrtarët policorë të cilët janë caktuar për sigurinë dhe mbrojtjen e shkollave, gjë që ju e dini që është kudo në Kosovë. Gjatë kontrolleve që kanë bërë në Gjimnaz nuk kanë gjetur as armë të ftohta dhe as armë të ngrohta, unë vetë kam qenë prezent në ato kontrolle dhe nuk janë gjetur në ambientin e shkollës, por jashtë shkollës pastaj çfarë ndodh e çfarë bëjnë, unë nuk jam në dijeni dhe as nuk i kam parë. Madje do të doja edhe t’i shihja se çfarë po ndodh, të isha e njoftuar që të komunikoja me profesorët, me nxënësit, patjetër që si fenomen ta trajtonim”, ka thënë ajo

“Jo. Personalisht nuk kam informata as nuk kom dëgju të paktën, për këtë aktivitet që ndodh, po ndodhka në rrjete sociale. Shqetësuese është, normal, edhe është zhgënjim i madh, si për ne që jemi persona përgjegjës në shkolla edhe për institucione tjera të sigurisë. Po edhe të arsimit në nivel qendror dhe lokal që të trajtohen në mënyrë serioze. Të merret, të shqyrtohet origjina e tyre se ku buron ajo dhe nga kush, edhe të merren masa konform ligjeve dhe masa tjera të cilat janë të mundshme, qoftë për trajtim, apo përmirësim, apo masa ndëshkuese”, ka thënë në anën tjetër Bajraktari.

Drejtorët e shkollave thonë se ka vazhdimisht kontrolle.

“Të them të drejtën, shkolla jonë njihet si shkollë që ka një rregull më strikt. Nuk kemi hasur në problematika të mëdha, në armë zjarri jo se jo, pro nuk kemi gjetur as armë të ftohta si thika apo… kemi gjetur cigare elektronike, këso gjërash të lehta, por edhe ato nuk janë të lejuara. Më herët, në armë të ftohta, po. Kohës së fundit, jo. Me armë të zjarrit s’kemi hasur asnjëherë”, ka thënë Istogu.

“Kontrollet i kanë kryer, tek Gjimnazi nuk është gjetur kurrë asgjë. Atëherë kur janë kryer kontrollet… se të jem realiste nuk e di se çfarë mbajnë (nxënësit) çdo ditë, nuk është se kryhen çdo ditë ato kontrolle dhe të them se jemi të pastër 100%. Nuk e mohoj faktin. Madje edhe unë po shqetësohem në vetvete”, ka thënë në anën tjetër Shala.

“Institucionet, institucione, konkretisht Policia, për neve është në nivel pothuajse të detyrës, sidomos në komunën tonë. Po ndoshta institucionet tjera vendimmarrëse, konkretisht gjykatat, ka pika të cilat duhet të trajtohen, se në çfarë mase dhe deri ku mund të ndikojnë në proces”, ka thënë Bajraktari.

Sipas tyre, ajo që po mungon është kontrolli i prindërve dhe komunikimi i tyre me shkollat.

“Prindërit sot nuk punojnë shumë me fëmijët e tyre, nuk janë shumë pranë fëmijëve të tyre dhe nuk arrijnë t’i kontrollojnë sa duhet. Është për keqardhje, kemi shumë prindër që kur i thirrim në takime nuk vijnë, vijnë atëherë kur është fundi i vitit kur fëmijët e tyre janë në zor me nota të dobëta”, ka thënë Istogu nga shkolla teknike.

“Komunikimi mes shkollës dhe prindit, domethënë duhet me u rrit. Prindi, konkretisht nuk ka komunikim, nuk ka komunikim me shkollën. Në qoftë se i merr statistikat dhe i shiqon, vijueshmëria e tyre në shkollë është pothuajse e vogël. Jo veç me i kontrollu, po edhe me u merr me ta në baza ditore, me dit se ku ndodhet, ku është, për çka është. Pasi që shumë raste kemi kur fëmijët, prind dorëzohen para fëmijëve se na nuk kena çka me bo ma tutje, ma nuk dimë”, ka thënë drejtori i Qendrës së Kompetencës.

Bajraktari shton se duhet të ndërhyhet në ligjet dhe aktet normative.

“Për momentin ligjet edhe aktet normative duhet me u rregullu edhe duhet me intervenu në to, me u përshtat me gjendjen ekzistuese. Udhëzimi i fundit administrative që është për masa disiplinore është i vjetrum”, ka thënë ai.

Në anën tjetër,  Drejtori i Arsimit në Skenderaj, Kastriot Duraku thotë se janë duke punuar në planin e

“Jemi duke mbledhë të gjitha të gjeturat, të gjitha rastet në bashkëpunim me stacionin policor dhe drejtorë të shkollave dhe në bazë të gjetjeve dhe rasteve që kanë ndodhë deri më tani do të bëjmë planin e veprimit, të cilin e ceka më herët dhe do ta rrisim nivelin e sigurisë në shkolla. Realisht, kemi fillu instalimin e kamerave në hapësirat e jashtme shkollore në të gjitha shkollat të cilat menaxhojmë me to dhe gjithashtu të kufizojmë me rrethoja dhe të shtohet numri i kontrolleve policore në shkolla, të policëve civil dhe kujdestaria e mësimdhënësve të mbahet në mënyrë të rregullt dhe të ketë kontrolla sa më shumë dhe bashkëpunim sa më të madh me prindërit, pasi ashtu mund të parandalojmë ose të mbajmë një lloj preventive të këtyre rasteve që janë duke ndodhë”, ka thënë Duraku.

Duraku thotë se secili prej tyre është përgjegjës në zinxhirin e sigurisë, por fajin ua lënë me shumë prindërve.

“Besoj që të gjithë janë fajtorë në njëfarë forme në këtë zinxhirë me të thënë të drejtën. Unë e di që secili e ka një pjesë të përgjegjësisë në këtë mes apo siç e quajm ne trekëndëshi pedagogjik që të formohet një fëmijë, një nxënës për çka unë kisha kërku nga të gjithë prindërit që të jenë sa më afër fëmijëve të tyre, që të bisedojnë, t’i kontrollojnë, të mos jepin qasje aq të lehtë për gjëra që për nxënës janë negative realisht”, ka thënë ai.


Më 2025 janë iniciuar tri raste për armëmbajtje pa leje te nxënësit e shkollave të mesme në Skenderaj

Stacioni Policor në Mitrovicë ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se gjatë vitit 2025 janë iniciuar tri raste penale për armëmbajtje pa leje, ku të dyshuar janë nxënës të shkollave të mesme në Skenderaj.

Sipas Policisë, rastet janë zbuluar pas publikimit të videove dhe fotove në media sociale ku të miturit shihen duke mbajtur ose manipuluar me armë zjarri dhe armë të ftohta.

“Lidhur me rastin e parë,  është ngritur kallëzim penal kundër tre të dyshuarve të mitur, nxënës të shkollave të mesme, lidhur me këtë rast është arrit të sekuestrohet një pistoletë me gas. Rasti i dytë,  një fëmije nën moshën 14 vjeçare i është sekuestruar një pistoletë me gas, rasti ka mbetë me shënim zyrtar për shkak të moshës së fëmijës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim nga Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Edhe në rastin e tretë, sipas Policisë, kallëzim penal i është ngritur një të mituri nxënës i shkollës së mesme, pas postimit të një videoje ku shihet duke manipuluar me armë, në këtë rast arma nuk është arrit të gjendet/sekuestrohet.

Policia thotë se përveç armëve të zjarrit, gjatë këtij viti nga nxënës të ndryshëm janë sekuestruar edhe katër thika dhe një boks, raste që po ashtu janë proceduar përmes shënimeve zyrtare.

“Një nxënës nga i cili është sekuestruar një thikë i përket pikërisht grupeve me emrin “zerodyshat” dhe “02”. Mirëpo, në këto grupe nuk janë vetëm të mitur nga komuna Skenderaj por edhe nga vende/komuna tjera. Nga ajo qe jemi në dijeni qëndron fakti se nxënësit masivisht i përdorin rrjetet sociale (snap chat, instagram, tik tok etj), ku bëjnë postime te ndryshme, kanë shumë grupe mes vete, vazhdimisht i ndërrojnë grupet dhe emërtimet e grupeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre monitorimi i këtyre grupeve është sfidë dhe për të luftuar këtë dukuri në rritje, nevojitet bashkëpunim nga qytetarët, duke thënë se deri më tani sekuestrimet janë kryesisht rezultat i angazhimit të zyrtarëve policorë në shkolla, në bashkëpunim me njësinë e hetimeve.

Ndërkohë, në kuadër të masave parandaluese, Policia e Skenderajt nga shtatori 2024 deri në prill 2025 ka realizuar 30 kontrolle të përkohshme në bashkëpunim me personelin arsimor.

Përgjigje të njëjtë kemi pranuar edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Betimi për Drejtësi”, për më shumë se një muaj, ka identifikuar dhe monitoruar disa grupe në rrjetin social snapchat të njohura si “shared story”, apo “storje të përbashkëta”. Pra është një histori ku disa përdorues mund të shtojnë foto dhe video, duke ndarë momente së bashku në një vend të vetëm.

Këto grupe, të krijuara nga fëmijë dhe adoleshentë kryesisht nga qyteti i Skënderajt janë bërë adrese e shpërfaqjes se armëve.

“02”, zerodyshat, “trimche”, “albushe”, janë disa prej këtyre grupeve që janë identifikuar gjatë hulumtimit. Emri i grupeve në disa raste edhe ka ndryshuar, por jo edhe përmbajta. Secili prej këtyre grupeve, ka rreth 500 anëtarë që një pjese e madhe janë anëtarët e njëjtë.


“Me ditë babi më mbytë”, 11-vjeçarët thonë se prindërit nuk ua kontrollojnë grupet ku postohen armë

“02”, zerodyshat, “trimche”, “albushe”, janë disa prej këtyre grupeve që “Betimi për Drejtësi”, për më shumë se një muaj, ka identifikuar dhe monitoruar. Këto grupe, të krijuara nga fëmijë dhe adoleshentë kryesisht nga qyteti i Skenderajt janë bërë adrese e shpërfaqjes se armëve.

Emri i grupeve në disa raste edhe ka ndryshuar, por jo edhe përmbajta. Secili prej këtyre grupeve, ka rreth 500 anëtarë që një pjese e madhe janë anëtarët e njëjtë.

“Betimi për Drejtësi”, gjatë vizitës në Skenderaj, ka pyetur dy fëmijë nëse kishin dëgjuar për këto grupe dhe nëse janë pjesë e tyre.

Fëmija 1: Po unë jam.

Gazetarja: Ti je a, sa vjet i keni?

Fëmija 1: Unë i kam 11.

Fëmija 2: Edhe unë.

Gazetarja: Kush iu ka shti në atë grup?

Fëmija 1: S’di vallah veç kur po e qeli po e shoh.

Gazetarja: A poston ndonjëherë aty?

Fëmija 1: Unë kajherë

Fëmija 2: Po edhe unë kajherë.

Gazetarja: Çka postoni?

Fëmijët: Foto.

Gazetarja: Çfarë fotosh?

Fëmija 2: Me telefon.

Fëmija: Pse çka u bo aty?

Gazetarja: A e keni pa që postojnë armë aty?

Fëmija 1: JO unë s’postoj, veç fytyrën teme kajherë e postoj se kësi sene jo.

Ata thonë se prindërit nuk ua kontrollojnë rrjetet e tyre sociale.

Gazetarja: A e din prindërit e juaj që jeni në atë grup?

Fëmijët: Jo

Fëmija 1: Babi jem me ditë që jom me mbytë.

Gazetarja: Qysh po thu?

Fëmija 1: Babi jem me ditë që jom me mbytë. Nejse se kupton çka është ai grup po me ditë që kapen a najsen…

Fëmija 2: As mu valla s’me len babi. Po s’na kqyr kush snapin.

Ata thonë se ka shumë grupe të tilla.

Fëmija 1: Ato nuk janë armët e veta, i qesin të baballarëve, i qesin.

Alarmante është lehtësia me të cilën fëmijët kanë qasje në armë.

“Gazetarja: Qysh je. Nje allti qe e kishe postu, a e shet.

D.: Jo”

Ai pyetet se në cilën klasë dhe shkollë është. Ai thotë se është në klasën e 10-të në shkollën teknike.

Gazetarja: Arma a eshte e jotja a

D: Po, pse?

Gazetarja: Ku e ke ble ti,  a e ke pas. Se po du me marr njo.

D: Në Skenderaj ki.

Gazetarja: Ku ma saktë?

D: A s’muj bash mir met kallzu se une n’Prishtine e kum ble.

Gazetarja: A ta ka shit ty a je kane me dikon?

D: Vet.

Gazetarja: A ma dërgon numrin?

D: S’ja di po gjaj vet se ku dush ka.

Pas kësaj bisede, i mitur ka fshirë ekipin e infiltruar të “Betimi për Drejtësi në snapchat”.

Kjo bisedë tregon lehtësinë e qytetarëve madje edhe fëmijëve e adoleshentëve për të blerë armë.

Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se armët ilegale nuk janë vetëm relikte të mbetura nga lufta.

“Flitet që janë 200-300 mijë armë ilegale, në njëfarë forme po flitet që një pjesë e këtyre armeve nuk është se janë armë që kanë mbete por ka edhe armë të tilla që janë fut në treg edhe mbase ka diller të ndryshëm të armëve që në mënyrë të vazhdueshme operojnë në tregti ilegale, duke i pajisur qytetarët me armë ilegale. Mendoj që kjo është shqetësuese për faktin që të gjitha krimet që synohen me u kry, kryesisht synohen me u kry duke mos u zbuluar dhe armët ilegale mund të targetohen për gjera të tilla”, ka thënë ai.

Destan Mustafa Udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme thotë se numri i armët ilegale ka rënë.

“Me miratimin e ligjit për armë, me përcaktimin e rregullave të reja që janë leju mbajte posedimi i armëve legale, kjo ka bërë që ai numër të bie gradualisht. Ka ende armë ilegale në duart e qytetarëve kemi pas një ligj për legalizimin e tyre në vitin 2019, si ligj i parë për këtë fushë ka rezultuar mirë ka pasur diku 2000 mijë raste të dorëzuara të cilat fatkeqësisht për disa çështje teknike ende i kemi në procedurë”, ka thënë ai.

Ai thotë se janë duke punuar në hartimin e një ligji të ri për legalizimin e armëve.

Rrjetet sociale janë shndërruar në hapësira ku dhuna po shfaqet hapur. Publikimi i këtyre pamjeve po i normalizon aktet e rrezikshme dhe po i kthen armët në mjete për vëmendje dhe prestigj virtual.

Sipas sociologes Orhidea Himaduna, ekspozimi kaq lehtësisht i armëve nuk është i rastësishëm.

“Nuk ka kontroll sepse nuk është problemi vetëm të arma- është problemi edhe se si e mendon një fëmijë armën, çka do me tregu kur ekspozohet sepse çdo ekspozim në rrjete sociale ka një background dhe ka një qëllim për të cilin behën. Dhe nëse veç e kishim ba një analizë të kësaj, unë jam shumë e sigurt me një hipotezë që nuk është që fëmijët e përdorin armën ose e kishin ekspozu armën t’u e ditë rrezikun e saj ose t’u dashtë me tregu sa e rrezikshme është. E kundërta, po besoj dojnë me shfaq një fuqi ndoshta të imponume sepse fëmijës nuk i takon me shfaq asnjë pushtet le të themi”, ka thënë ajo.

“Venja në pah e armeve është në njëfarë forme vënia në pah e sjelljeve të dhunshme dhe nxit domosdo agresivitet, nxit dhunë, si veprime të tilla janë veprime të cilat duhet të mirren seriozisht nga ana e institucioneve të rendit dhe ligjit dhe persona të cilët kryen këto aktivitete duhet t’i nënshtrohen pasojave për veprime e tyre”, ka shtuar në anën tjetër Vrajolli.


Pacolli nga Krimet Kibernetike: Policia bën “patrollim” në internet, fëmijët po ekspozohen ndaj rreziqeve

Duke qene se mediat sociale janë realiteti jonë i ri, a është kjo hapësirë në llupen e Policisë së Kosovës?

“Policia e Kosovës bënë “patrollim” në internet edhe sapo ta vërejmë apo pranojmë qoftë nga qytetarët, qoftë nga rrjetet sociale apo nga dikush tjetër merr veprimet e duhura dhe bënë identifikimin e qoftë viktimave apo personave të dyshimtë lidhur me rastet që munden me u kry përmes internetit”, ka thënë Visar Pacolli nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se hapësira ku munden me u kry veprime të paligjshme është rritë.

“Deri para një dekade apo pak më shumë se një dekadë hapësira ku është kry krimi ka qenë hapësirë fizike, tashme viteve të fundit hapësira ku mund të kryhet krimi është edhe hapësira virtuale”, ka thënë ai.

“Fatkeqësisht jemi tu merri tek ai kaos, jemi t’u mbërri tek ajo fazë ku normalizohet dhe shihet si diçka jo e madhe, jo dramatike. Pasojat mandej kur t’i bartim kanë me qenë shumë më të mëdhaja se sa faza ndoshta fillestare ku duhet me e ngritë si çështje, ku duhet me e ngritë shkallën e raportimit, ku duhet me e ngritë kontrollin dhe normalisht me e ndalu ose me e mohu këtë ekspozim që po i bahet qoftë armeve, qoftë agresionit dhe gjuhës së urrejtjes”, ka thënë Orhidea Himaduna, Sociologe.

Pacolli nga Krimet Kibernetike, thotë se po mungon kontrolla e prindërve ndaj fëmijëve.

“Mënyra e keqpërdorimit në këto platforma është kur fëmijët pa vetëdijen e tyre dhe pa një kujdes të shtuar të prindërve ose duke luajtur me shoqërinë e tyre bëjnë fotografi që janë adekuate për ta edhe jo të vetëdijshëm për ta, postojnë në rrjete të ndryshme sociale. D.m.th. mungon vetëdija tek fëmijët dhe kontrolli prindëror për ata fëmijë që të mos postojnë materiale në rrjete sociale gjithashtu një fëmijë nuk duhet të ketë një rrjet social edhe mos të postoj fotografi pa një kontroll të kujdestarit ose prindit”, ka thënë ai.

Ai shton se ata po i ekspozohen rreziqeve të ndryshme.

“Fëmijët janë të ekspozuar aq shumë në rrjete sociale sa që prapë po kthehem tek ajo nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që atyre iu vinë nga rrjetet sociale, komunikimi i ndryshëm me njerëz që ata nuk i njohin përmes lojërave të ndryshme, donwloadimi i lojërave të ndryshme në telefon, tabletë apo kompjuter ku në shikim të parë duket një lojë normale, mirëpo aty ka reklama me përmbajtje joadekuate për ata fëmijë që ata nuk janë të vetëdijshëm për shfaqjen e atyre reklamave andaj duhet një kujdes më i madh i prindërve për kontrollimin e atyre lojërave gjithashtu, kontrollimi i fëmijëve, më mirë të them monitorimi se çfarë ata shfletojnë në internet”, ka thënë Pacolli.

Sociologia Himaduna thotë se shpërfaqja e dhunës, gjuhës se urrejtjes është diçka që është përcjellë nga e kaluara dhe që tashme po ekspozohet haptazi.

“Është një atribut i ndrydhjes të ndoshta të gjithë emocionit, të gjithë traumave, ndoshta të gjithë ngritjes së zanit që është dashur me pas secili në një afat të caktum dhe mandej ato trauma janë përcjell në secilën gjeneratë deri tek kjo gjeneratë e fundit le të themi e të rinjve të cilët nuk e kanë idenë, nuk e kanë atë traumë të prekshme por që agresionin e kanë, atë revoltën e kanë dhe nuk dinë si me e rregullu dhe mandej shpërfaqët në forma të tilla si ma shumë agresive edhe ndaj njeri tjetrit”, ka thënë ajo.


Policia, përmes bashkëpunimit me mediat sociale, kishte parandaluar dy vetëvrasje të mundshme

Duke qenë se mediat sociale janë kthyer në një hapësirë ku kryhen vepra penale, Policia e Kosovës thotë se ka bashkëpunim të ngushtë me këto platforma.

“Policia e Kosovës ose Drejtoria për Hetimin e krimeve kibernetike ka një bashkëpunim shumë të mire me rrjetet sociale, qoftë me facebookun, qoftë me instagramin, qoftë me tiktokun dhe në kuadër të kësaj, kërkesave që na iu drejtojmë këtyre rrjeteve sociale bashkëpunimi është jashtëzakonisht i mirë, dhe falë tyre dhe falë bashkëpunimit me gjithë qytetarët na arrijmë me kry punën tonë edhe me i parandalu rastet e tilla”, ka thënë Visar Pacolli nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

Sipas tyre, në vitin 2023, kjo njësi kishte parandaluar dy vetëvrasje të mundshme.

“Ku në rastin e parë kemi pranuar kërkesë nga vetë rrjeti social për një vetëvrasje të mundshme, pas pranimit të asaj informate ne menjëherë për një kohë shumë të shkurtër me ofruesit e shërbimit të internetit brenda vendit tonë kemi arritur që ta identifikojmë personin dhe të kontaktojmë me prindin dhe të shkojmë të bisedojmë me atë person ku ai person me pas është parandaluar një vetëvrasje e mundshme që fillimisht postimi është bërë prej vetë atij personi”, ka thënë ai.

“Ndërsa, rasti i dytë që është raportuar është prej qytetarëve d.m.th. na e kemi të pamundur që ta bëjmë një punë veç vet pa ndihmën e qytetarëve, ndaj rasti i dytë është raportuar prej qytetarëve na kemi arrite që në bashkëpunim pastaj me rrjetet sociale ta identifikojmë personin edhe të vazhdojmë procedurat tutje”, ka shtuar ai.

Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se në përgjithësi qasja për sundim të ligjit për një siguri me të mirë publike duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Për faktin se mendoj që shpesh herë presim tepër nga Policia, mendoj që Policia e ka për detyrë me e luftua krimin por me parandalua janë institucionet tjera të cilat duhet ta parandalojnë dhe kur institucionet tjera nuk bëjnë punën si duhet atëherë ka më shumë krim edhe Policia mbase mund të mos ketë kapacitete ta luftoj gjithë atë”, ka thënë ai.

“Nuk po bëjnë asgjë ndoshta asnjë hallkë e këtij zingjiri. Po besoj që para se me e kritiku secilin, duhet me e pas edhe një gisht të drejtum te vetja kur flas për prindërit që mundem me akuzu, për shembull institucionet e sigurisë ose anasjelltas institucionet e sigurisë nëse akuzojnë fëmijët, nëse akuzojnë të rinjtë, nëse akuzohen mësimdhënësit, nëse akuzohen prindërit. Secili ka një rol që duhet me i qëndrua, secili ka një përgjegjësi që duhet me i qëndrua aq më e mirë nëse ne e përmbushim përgjegjësinë tonë edhe e arrijmë edhe me ngritë alarm për përmirësim të roleve të një institucioni përkatës qoftë si familja, qoftë si organet e sigurisë, qoftë shkolla, qoftë shoqëria civile”, ka thënë Orhidea Himaduna, Sociologe.

Destan Mustafa, Udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se janë duke marrë praktikat me të mira.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka hartu strategji dhe është në miratim të strategjive të ndryshme edhe për armët në këtë rast edhe për sigurinë në bashkësi, ka programe që do të aplikohen nëpër shkolla. Jemi duke monitoruar rastet, jemi duke marrë praktikat e reja nga shtetet tjera që ta bëjmë një ligj edhe me të mirë edhe me të pranueshëm për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, fenomenin e armëve ilegale në duart e qytetarëve, Instituti i Kosovës për Drejtësi e kishte trajtuar përmes raportit “Dënimet me gjobë – “Leje” për armëmbajtje.

Ky raport, nxjerrë në pah se pavarësisht se rreth 392,000 armë janë të paligjshme në duart e qytetarëve politika ndëshkimore për këtë vepër penale është jashtëzakonisht e butë.

Nga 147 raste të analizuara për armëmbajtje pa leje, vetëm një  rast ose (0.68%) ka përfunduar me dënim me burgim efektiv, ndërsa pjesa dërrmuese janë ndëshkuar me gjoba të ulëta, me një mesatare që varion nga 601 euro në 2023 deri në 857 euro në 2024.

Raporti kritikon mospërdorimin e dënimeve efektive si mjet parandalues, neglizhimin e recidivizmit, mungesën e konfiskimit të armëve në disa raste, dhe shkeljet në ndarjen e kompetencave gjyqësore. IKD evidenton gjithashtu mospërputhje në cilësimin penal të veprave dhe mosrespektimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikën Ndëshkimore. Kjo qasje e gjykatave, përfshirë edhe Gjykatën e Apelit, sipas IKD-së ka krijuar një praktikë ku gjobat po shërbejnë si një lloj “leje” për posedimin e kundërligjshëm të armëve.

Gzim Shala, hulumtuesi i lartë në IKD thotë se kjo qasje përmes të dënimeve të buta të shqiptuara nga institucionet e drejtësisë ka bërë që të dështojnë ta luftojnë dukurinë e armbajtës pa leje.

“Kjo është situata pse shohim vazhdimisht aktgjykime dënuese lidhur me këtë vepër penale, mirëpo prapë dukuria si e tillë nuk largohet nga shoqëria. Tash, kjo situatë ka sjellë një problematikë sepse e ka lehtësuar edhe qasjen në armë dhe fatkeqësisht kjo lehtësi e qasjes në armë, kjo problematikë ka depërtuar deri tek fëmijët e që për shkak të kësaj dukuri tani me është cenuar edhe interesi i fëmijëve të cilët vendosen në rrezik përmes kësaj qasje, apo përmes qasjes se lehtë në armë të paligjshme”, ka deklaruar Shala.


I mituri thotë se shoqëria ndikoi të kryejë një vrasje, askush tjetër nuk i shkon te burgu përveç familjarëve

Pasojat e qasjes se lehtë në armë, i tregon më se miri, i mituri A.K, i cili ka kryer vrasje të rëndë dhe dënimin po e vuante në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

“Vepra jeme u kanë si një lloj vetëmbrojte, edhe jam kanë pak i ri në moshë si këna mëndu senet as unë as pala e dëmtuar edhe kemi ardhë deri në një moment që më ardhë qajo. Nuk ka ndodhë kurgjo më qëllim”, ka thënë ai.

Si fëmijë, vrasjen thotë ta ketë kryer i shtyrë nga shoqëria.

“Po pak edhe mosha e re, edhe senet që jam kanë i rrethume prej tyre, vendi që u kanë aty, kanë dal krejt me armë aty, as unë s’kam mujt me dal pa to a po me kupton. I ndikum pak prej shoqnisë jom kanë…”, ka shtuar ai.

Atë e mundonte fakti i qasjes se lehtë në armë nga të rinjtë çka ai si fëmijë e kishte.

“Po shumë keq për këta të ritë se tash krejt po mbajnë armë a po din me veti, veç me mujt qeto armë me i ndal pak ish kanë super.Po dikur kanë me i ra pishman, qysh i kam ra unë pishman po qatë herë bohet pak vonë”, ka thënë tutje A.K

Pendimin për të bëmat si adoleshentë i ka edhe G.H i cili po ashtu ka kryer vrasje të rëndë e që në burg ka hyrë si mitur dhe do dal si i rritur.

“Ma shumë mosha ka ndiku.

Gazetarja; A i ke ra pishman?

G.H- Po”

Në fillim e kam pas shumë problem me u ambientu. Unë edhe kam ardhë këtu si i mitur edhe me kohë tu u pjekë kam ndryshu edhe kështu d.m.th si person”, ka thënë tutje G.H.

“Kur erdha këtu i mësova shumë sene, po ja di tash vlerën familjes.

Gazetarja: Çka ke mësu këtu?

A.K: Po qysh mu sille p.sh. me njerëz, qysh mu sillë me familje, shumë sene, shoqërinë e keqe me largu.”, ka thënë në anën tjetër A.K.

Ajo çfarë iu mungon thonë se është liria dhe ngrohtësia që dikur shtëpia ua ofronte.

“Mas shumti malli me ka marrë veç për familje, për kurgjo tjetër veç me kanë në shpi edhe njëherë me familje. Si nata me ditë është shumë ka dallim, se këtu nuk e ki familjen, këtu p.sh nuk vjen nana me të lut 2-3 herë për bukë, këtu veç njëherë të lut a po don a s’po don”, ka thënë A.K

“ Për jashtë me merr malli ma shumë për lirinë, me kanë i lirë , çka kam me bo kur të dal prej ketuhit njëherë e kisha bo një pushim të vogël edhe direkt në punë”, ka thënë në anën tjetër G.H.

Të penduar për veprimet e tyre, dy të burgosurit kanë një mesazh.

“Për të ritë, mesazhi është me mëndu pak ma shumë, para se me bo diçka, me i mëndu pasojat d.m.th”, ka thënë G.H

“Veç iu kisha lutë që të rinjtë  mos me mbajte armë me u kujdes për familjen e tyne, në fund të fundit veç ata kanë me u kujdes për ty kur vjen puna me hi në burg, s’ke me pas as shoqni as kurgjo, përveç familjes kërkush nuk te del krahë”, ka shtuar A.H

Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se armët ilegale nuk i shërbejnë sigurisë publike.

“Ato janë kryesisht për të bërë gjera jo të mira edhe vënia në pah, në publik e këtyre armëve nuk të bënë me vizibil për të mirë, kështu që mesazhi im është që të kenë kujdes, të tregojnë gjera sociale në rrjete sociale po asesi të mos e shprehin dhunën përmes rrjeteve sociale”, ka thënë ia.

“Ka raste edhe kur fëmijët janë lendu, kanë qenë edhe viktima ndoshta edhe pa dashje të armëve qoftë me njëri-tjetrin, qoftë në ambiente familjare-ndoshta edhe në raste kur prindërit kanë mundur me qenë bartës të përgjegjësive institucionale”, ka thënë Orhidea Himaduna, sociologe.

Sa i përket hapësirës online, Policia e Kosovës, ka një mesazh.

“Mesazhi jonë si Polici e Kosovës kish me qenë si për prindërit ashtu edhe për gjithë qytetarët tjerë qoftë të rritur ose fëmijë te kenë shumë kujdes në përdorimin e rrjeteve sociale, ato munden me u keqpërdore, asnjëherë nuk e dimë më kë po bisedojmë në rrjete sociale, fëmijët asnjëherë mos të bisedojnë me persona që nuk i njohin përmes rrjeteve sociale, mos të shkëmbejnë fotografi me persona të panjohur, mos ta shfaqin vetën me përmbajtje të ndryshme në rrjete sociale ato munden me u keqpërdorë nga shumë persona tjerë”, ka thënë Visar Pacolli nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

Kur dhuna bëhet “trend” dhe arma bëhet “like”,  fëmijët nuk kërkojnë më vëmendje për atë që janë, por për sa rrezikshëm duken. Kur familja, shkollat dhe institucionet dhe as askush nuk kujdeset, atëherë rrjetet sociale “edukojnë” dhe atë shpesh herë për gjera negative. Andaj, ky fenomen duhet të trajtohet me seriozitet nga ana e institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, para se të bëhet vonë.