Kulturë

“Sevap City Blue” në trininë midis humbjes, braktisjes e migrimit

Fytyra e mërzitur e Genc Salihut si palaço në “Sevap City Blue” flet shumë. Ai e vështron lojën e dy vajzave me sytë që dyshojnë për një takim të radhës a për pasimin e një jete krejt ndryshe (Në foto: Skenë nga “Sevap City Blue”)

Fytyra e mërzitur e Genc Salihut si palaço në “Sevap City Blue” flet shumë. Ai e vështron lojën e dy vajzave me sytë që dyshojnë për një takim të radhës a për pasimin e një jete krejt ndryshe (Në foto: Skenë nga “Sevap City Blue”)

“Arti është gjithmonë i nevojshëm, për arsye të ndryshme. Mendoj se Kosova e ka një vetimazh të distortuar si pasojë e konstruktimit të narrativave të rrejshme gjatë shtatë a tetë dekadave të kaluara dhe artin, me veçanti këngët, i shoh si diçka që mund të shërbejë si dokument më i besueshëm i kohërave se çdo -izëm politik”, ka thënë kantautori Genc Salihu. E, si një dokument i radhës është edhe kënga “Sevap City Blue”, e cila vjen si një rrëfim poetik në trininë midis humbjes, braktisjes e migrimit. “Tema e përgjithshme e këtyre këngëve është braktisja, humbja dhe migrimi. Shqyrtimet socio-politike dhe personale-romantike në këngët e mia zakonisht ndërthuren në atë masë që të bëhen të padallueshme nga njëra-tjetra”, ka thënë Salihu

Emocionet e thella të këngës “Sevap City Blue” nuk kanë nevojë për ngjyrime e efekte. Vetë tematika që e zbërthen kantautori Genc Salihu në projektin e tij muzikor është e tillë. Me stile të ndryshme sa i përket muzikës e ilustrimit me imazhe, temë qendrore e ka migrimin e jo pak i përgjigjet anës personale të autorit.

Salihu njihet në skenën muzikore shqiptare për stilin e tij unik si të këngëve, ashtu edhe të anës së tyre vizuale. Rëndësi të veçantë i kushton aspektit artistik dhe, jo thjesht për të qenë të këndshme në dëgjim, por edhe kuptimplotë. Temat janë kryesisht sociale dhe me të njëjtin ritëm vjen edhe ajo me titull “Sevap…” e lansuar së fundmi në platformat muzikore.

Në një përgjigje për KOHËN, kantautori Salihu ka treguar se kjo këngë është një prej atyre që i ka shkruar gjatë pandemisë dhe pas saj. “Sevap...” vjen nja nëntë muaj pas unikes “Ti nuk je normal”.

“Tema e përgjithshme e këtyre këngëve është braktisja, humbja dhe migrimi. Shqyrtimet socio-politike dhe personale-romantike në këngët e mia zakonisht ndërthuren në atë masë që të bëhen të padallueshme nga njëra-tjetra. Më intereson intensiteti emocional që mund të përfitohet nga kjo qasje”, është shprehur ai.

E, intensiteti emocional për të cilin flet Salihu, nuk mund të kapërcehet kur kënga dëgjohet e shihet. “O, shpirti jem osht n'dhimtë/ Se e din që s’të njeh ma. Dhe qyteti osht i lanun, lanun, lanun, lanun mbas...”, janë vargjet e para.

Teksti dhe muzika e tij krejt në fillim flasin për shpirtin e kantautorit që është në dhimbje. Për qytetin e lënë pas, varfërinë, e hëna që nuk i gjen fëmijët në shkolla. Vargjet e ritmet ndërpriten për disa sekonda me tingullin e lëvizjes së aeroplanit, që përshkruhet si zhurmë e që pasohet nga vargjet “Dhe udhëtarët nisen herët për me mbërri, dielli pa dalë…”.

Skenë nga “Sevap City Blue” (Foto: YouTube)

Ka stile muzikore të përziera në këtë projekt afër treminutësh.

“Muzika që e kam dëgjuar para dhe gjatë periudhës kur këto këngë, përfshirë edhe këto dyja që i kam publikuar me video, ishte ‘neo-soul’, ‘r’n’b’ dhe muzikë klasike pianistike, në veçanti sonatat e Beethoven. Mendoj se procesi i kompozimit të këngëve ka qenë mjaft i ndikuar dhe i informuar nga dëgjimet e mia”, ka treguar kantautori Salihu.

Ekipi muzikor është ai me të cilin autori punon zakonisht për projektet e tij. Producent i këngës është Florent Boshnjaku, në bas-kitarë Visar Kuçi, Adi Imeri në kitarë, në bateri Nesim Maxhuni.

“Pa ta nuk nisem në asnjë betejë”, ka thënë Salihu, duke iu referuar Kuçit e Maxhunit. “Ata janë gjithmonë me mua, më kuptojnë dhe duhemi mes vete, ndërsa unë jam fatlum të përfitoj nga niveli i lartë i muzikimit të tyre. Këtë herë na u bashkua një kitarist fenomenal, Adi Imeri nga Shkupi, të cilin e kam bërë shok të jetës qysh nga dita e parë. Përveç që është muzikant shumë profesionist, Adi është shumë artistik, ka prirje intelektuale dhe i gërsheton, përbrendëson, dy elemente pothuajse të kundërta – përgatitjen akademike artistike dhe ‘punk-un’. Adi na ka dhënë shumë”, ka vazhduar ai në përgjigjen e tij.

Me piano veprën e ka pasuruar pianisti e kompozitori amerikan Rick Basset.

“Ndërsa në piano e kishim Rick Basset nga ShBA-ja, një muzikant mjaft më i vjetër se ne, me një përvojë të madhe në skenën e jazz-it dhe teatrit muzikor (musicals) në ShBA. Mendoj se ai ia ka dhënë një freski muzikës qe e kemi incizuar në një mënyrë që një muzikant evropian nuk do ta kishte mundësinë. Producent për këtë projekt e kam Florent Boshnjakun, një nga miqtë e mi më të mirë dhe një muzikant i hatashëm. Te punoj me Florentin është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua dhe jemi në valë të njëjta, ia përfundojmë fjalitë njëri-tjetrit”, ka shtuar Salihu.

Ana vizuale e projektit muzikor “Sevap City Blue” i ilustron pamjet e dy fëmijëve që “arratisen” nga shkolla e në stacion të trenit. Kapiteni është Genc Salihu që ua hap portat atyre drejt rrugëve të reja. E vajzat e vogla përqafohen fort kur njëra prej tyre largohet me tren. Vijnë retrospektivë pamjet e këtyre trenave, kur në rrethana të jashtëzakonshme lufte u detyruan të migrojnë. Vjen si një lloj paralele e asaj kohe, kur largimi nuk ishte opsion, siç ngjan sot në shumicën e rasteve.

Fytyra e mërzitur e Gencit si palaço flet shumë. Ai e vështron lojën e dy vajzave me sytë që dyshojnë për një takim të radhës a për pasimin e një jete krejt ndryshe. Një vajzë që pret dhe një tren që nuk ndalon në stacionin e saj, janë rezultati e pasoja e veprimit fillestar.

Për krejt këtë, Salihu ka thënë se kanë dashur të rrëfejnë me frymë poetike.

“Me Matkon (Bulent v.j.), mikun tim të mirë regjisor, me të cilin e kam punuar videon, kemi vendosur të rrëfejmë poetikisht, kështu që imazhet, në vend se ta përfaqësojnë një narrativë apo ide konkrete, më shumë janë elemente nxitëse për ndjenja dhe gjendje të caktuara mentale. Palaçoja i trishtë, qe ua hap fëmijëve derën e largimit, është një imazh që ndoshta mund të ndihmojë në përjetimin e këngës”, ka thënë ai.

Secili projekt ka elemente personale e edhe ai i Genc Salihut për të cilin migrimi ka qenë pjesë e jetës së tij.

“Mund të shihet edhe si personale. Unë kam migruar shpesh si fëmijë dhe kam lënë prapa njerëz dhe vende. Por, më shumë, është një mënyrë e interpretimit të fjalëve që kënga i thotë. Mendoj se klipi është si një strofë shtesë, vizuale, e klipit, apo si një pjesë e këngës e interpretuar vizuelisht”, ka shpjeguar ai.

Këngët e Salihut i rrinë larg komerciales dhe lidhen ngushtë me anën artistike.

“Arti është gjithmonë i nevojshëm, për arsye të ndryshme. Mendoj se Kosova e ka një vetimazh të distortuar si pasojë e konstruktimit të narrativave të rrejshme gjatë shtatë a tetë dekadave të kaluara dhe artin, me veçanti këngët, i shoh si diçka që mund të shërbejë si dokument më i besueshëm i kohërave se çdo -izëm politik. Kjo më motivon shumë”, ka thënë autori i këngës “Sevap City Blue”, njëra prej perlave të radhës të thesarit të tij muzikor.