Futboll

Rrudhani – Nivokazi, dyshja e suksesshme e sulmit të Sionit

Sion

Në fillim të kampionatit, sulmi i Sionit nuk ka funksionuar në mënyrën më të mirë. Por tani duket se Sioni ka formuar një dyshe të fuqishme në këtë repart. 

Donat Rrudhani dhe Rilind Nivokazi kanë luajtur për herë të parë së bashku si titullarë në fazën e sulmit. Paraqitja e tyre solli fryte. 

Kështu e ka nisur shkrimin gazeta e madhe zvicerane “Blick”, të dielën pas fitores që Sioni e arriti në udhëtim kundër Grasshopperit. 

Sioni fitoi 1:0 ndaj Grasshopperit, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Zvicrës. 

Golin e fitores për Sionin, që erdhi pas dy barazimeve e një humbjeje, e shënoi Donat Rrudhani.

Rrudhani shënoi golin nga penalltia, të cilën e siguroi Nivokazi. Rrudhani ishte i saktë nga pika e bardhë në minutën e 61-të. 

Por para se të realizonte gol, Sioni qëlloi tri herë shtyllën. Josias Lukembilas qëlloi i pari traversën në minutën e nëntë e më pas shtyllën e goditën edhe Rrudhani në minutën e 19-të dhe Nivokazi në minutën e 51-të. 

Nivokazi udhëhoqi sulmin, kurse pas tij, në një pozitë jotipike, u paraqit Rrudhani. Zakonisht Rrudhani luan në krahun e majtë. Herë në mbrojtje e herë më i avancuar. Por paraqitja pas sulmuesit të parë doli të jetë e qëlluar.

“Pasi edhe Nivokazi goditi shtyllën në pjesën e dytë, mendova se topi nuk do të hynte. Ishte e pabesueshme. Patëm shumë raste, por gjithnjë ishte një këmbë ose shtylla që bllokonte golin. Rilindi goditi shtyllën, Josias goditi traversën, unë po ashtu shtyllën. Portieri priti disa gjuajtje po ashtu, por ishte ajo penallti, të cilën për fat të mirë e shënova”, ka thënë Rrudhani për “Blick”.

Rrudhani ishte i dyti për gjuajtje të penalltisë. Por Ali Kabacalmani ia liroi vendin Rrudhanit për të gjuajtur penalltinë.

“Ai më tha, ‘vazhdo, shëno golin tënd të parë’”, ka zbuluar Rrudhani.

Pasi hyri si zëvendësues kundër Servettes, Lausannes dhe Luzernit, Rrudhani shfrytëzoi mungesën e Benjamin Kolollit, i cili ishte i lënduar.

Rrudhani iu bashkua Sionit në fund të afatit kalimtar. Ai ka vlerësuar Nivokazin.

“Nivokazi është shumë i fortë në lojën një kundër një. Nuk ka shumë mbrojtës në ligë që mund ta ndalin. Ai është shumë i fortë në këtë aspekt të lojës. Ne krijuam tri ose katër raste një kundër një. Edhe penalltia u fitua në këtë formë”, ka theksuar Rrudhani.

Sulmuesi 25-vjeçar, Nivokazi, ishte në listën rezervë të Kosovës për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Sllovenisë dhe Suedisë. 

Edhe Rrudhani në të kaluarën ka qenë pjesë e Kosovës. Rrudhani 26-vjeçar ka shënuar dy gola në 19 ndeshje për Kosovën.