Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Edicioni i sivjetmë i Panairit, më premtuesi i dy dekadave

Prishtinë, 7 qershor – Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit është duke u llogaritur si më i kompletuari i dy dekadave. Të mërkurën, një ditë pas hapjes zyrtare të kësaj ngjarjeje, organizatorët kanë thënë se bëhet fjalë për një edicion shumë premtues qysh në ditën e parë.

Në një konferencë për media, Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se gjithçka është duke shkuar mirë.

Në ditën e parë të Panairit, sikurse edhe në edicionet e tjera, numri i vizitorëve ka qenë goxha i madh. Në kuadër të kësaj ngjarjeje shkrimtarja shqiptare Klara Buda ka prezantuar dhe firmosur romanin “Pëshpërimë gruaje”. Më pas është bërë promovimi i dy vëllimeve të romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, si dhe është promovuar vepra “Mësimet e Diolës – Ushqim për çdo sëmundje” me autore Diola Dosti-Baftiu. Aktori e poeti Çun Lajçi i ka nënshkruar për blerësit tri veprat e tija të fundit: “Çakorr, ti vdekje e mirë”, “Ecje e plakun” dhe “Bekimi i plisit të Moisiut”.

E sa u përket taksave, të martën, në hapje të kësaj ngjarjeje jubilare, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se TVSh-ja për librin nuk do të ekzistojë. Një gjë e tillë, sipas tij, do të arrihet në shtator të këtij viti (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).