Nëse ndonjëherë dikush do të merret seriozisht me shkrimin e historisë së rockut në Kosovë, emri i tij do të jetë i pakapërcyeshëm dhe ndër të parët në listë. Eduard Meraku, i njohur si Edi King, qe pionier i rockut, frymëzues për gjenerata të tëra bashkë me grupin “Seleksioni 039”, zë i veçantë e figurë unike edhe kur kapërcente në zhanre. Avangardist jo vetëm në muzikë, mik e njeri i veçantë, siç e përshkruajnë miqtë e tij. Kingu vdiq të enjten pasdite, duke lënë prapa gjurmët e kujtimet e pashlyeshme për të
Nofkën “King” e kishte marrë pasi që ishte babaxhan në muzikë e po ashtu edhe në shoqëri. Me mbi katër dekada karrierë në muzikë, Eduard Meraku ishte prej pioniereve të rock 'n' rollit në Kosovë. Kishte shëtitur goxha nëpër zhanre, por gjithnjë duke e pasur bazë rockun. Me flokë të gjata e pak mjekër, Edi King – siç e thërrisnin e njihej – i takon gjeneratës që u bënë frymëzim për të rinjtë në vitet ’70 e ’80.
I tillë edhe është kujtuar të enjten mbrëma kur u dha lajmi për vdekjen e tij. Ai ishte 65 vjeç.
I lindur në Pejë, Edi King, shpejt do t’i kalonte kufijtë e qytetit të tij. Kishte nisur të merrej me muzikë qysh i ri. Ishte në hap me botën sa u përket zhanreve që arritën kulimin e popullaritetit. Në vitet ’60 komuniteti afrikano-amerikan duke përzier zhanret soul, jazz e blues do të nxirrnin në pah zhanrin funk që njihet edhe si muzikë e vallëzimit. E ritmi është thelbësor në këtë stil. Pikërisht në bateri lunte Edi King. Për këtë nga kolegët muzikantë njihet edhe si një prej bateristëve më të mirë në Kosovë sa i përket këtij stili. Do të shquhej edhe si vokalist.
Frymëzuesi i pashoq
Në vitin 1982 bashkë me vokalistin Ardijan Rrusta, bas-kitaristin Nehat Kollçaku, Gëzim Haskun (Geza) në kitarë elektrike Gyltekin Vallën në bas-kitarë, do të themelonin grupin “Seleksioni 039”. Bendi shpejt do të bënte emër në vend e edhe në shtetet e rajonit. Në grup më vonë do të vinin të rinj e do të iknin disa prej themeluesve, por fryma ishte ruajtur. Edi King është prej atyre që bashkëpunimet me miqtë e vjetër të muzikës i kishte aktive në vazhdimësi.
“Seleksioni 039” njihet për këngët “Baraz dashuri”, “Harro princin!”, “Ndeja”, “Nuk i dua retë”, “Satana ime”, “Semafori defekt”, “Ti je dritë e unë jam yll”, “Tre të humbur në magji” e të tjera.
Kitaristi e miku i tij, Gëzim Hasku (Geza), ka qenë ndër të parët që ka dhënë kumtin për vdekjen e Kingut.
“Shoku im Edi King, një muzikant i jashtëzakonshëm, na la përgjithmonë. Prehu në paqe miku im më i mirë”, ka shkruar Geza në postim.
Me “Seleksioni 039” kishte bashkëpunuar edhe jazz-pianisti, Ilir Bajri. Të enjten mbrëma ai ka thënë se pos modelit të njeriut të dëlirë që ka një integritet, Edi Kingun e mban mend edhe si një prej bateristëve më të mirë të vendit në zhanrin funk.
“Gjithmonë ka qenë i gatshëm për të bërë muzikë, të të thërrasë, të vijë kur e thërrasësh të improvizojmë e të tjera. Për atë e kemi thirrur Edi King pasi i kishte ato tipare shumë karakteristike”, ka thënë Bajri, i cili është një prej jazz-muzikantëve më të mirë të vendit dhe jo vetëm. Ai ka thënë se Edi King ka qenë avangardist jo veç në muzikë, por edhe në mënyrën e të jetuarit. Avangardën e kishte si frymë në krejt aspektet e paraqitjet.
“Është shumë fat që e kemi pasur, ishte pasuri në skenën muzikore. Besoj që ka pasur ndikim te shumëkush. Të gjithë e kanë dashur e respektuar si njeri e muzikant”, ka thënë Bajri për KOHËN, në një bisedë telefonike pak orë pas lajmit për vdekjen e Kingut.
Ka treguar se për të folur për Edi Kingun nuk mjafton pak kohë. Por po ashtu ka shtuar se kur flitet për personalitete të tilla të botës së artit është zor të fokusimi se prej cilit prizëm mund të nisë përshkrimi.
E Muhamet Veseli – Muha, kitarist i rock-grupit “Armadillo Blues Band”, ka thënë se Edi King ka qenë shok i mirë e koleg fantastik. Muha ka treguar se ai ishte frymëzim për krejt muzikantët e sidomos për të rinjtë.
“Ishte themelues i ‘Seleksioni 039’. Muzikant shumë i mirë. Në shpirt ka qenë rocker. Është marrë me shumë zhanre”, ka thënë ai. Ka treguar se përshkrimet për të i ka të shumta, por në raste të tilla kur jepen lajme morti, njeriu e ka të vështirë ta mbledhë veten e të flasë për një mik e muzikant. Si mik e ka përshkruar si njeri të hareshëm me të cilin dëshiroje të qëndroje në ndeja. Qëndrimet me Edi King ka thënë e janë një histori në vete sa u përket muhabeteve për muzikën e jetën në përgjithësi.
“Kemi ndenjur shumë bashkë. Jemi rritur bashkë megjithëse ishte më i vjetër se ne”, ka thënë ai.
Pionier i rock’n’rollit
“Armadillo Blues Band” edhe nëpërmjet një postimi në Facebook ka ngushëlluar familjen, muzikantët e adhuruesit e muzikës ndër shqiptarët.
“Edi ka qenë i papërsëritshëm edhe si artist, edhe si njeri. Me zë të veçantë dhe zemër të madhe! Pushoftë në paqe!”, ka shkruar në Facebook bendi.
Rock-muzikanti veteran, Menan Kiseri, ka shkruar në Facebook se bashkë me Edi Kingun kanë bashkëpunuar qysh prej vitit 1977. Ka përshkruar edhe takimin e fundit me të. Ka treguar se të shtunën e kaluar ishin takuar në Ferizaj në një performancë të Kiserit.
“Më tha se ndihet shumë mirë e nuk u ankua për asgjë. Kishte humbur në peshë dhe dukej shumë mirë. I premtova që në verë do të performonim së bashku”, ka shkruar Kiseri. Duke u shprehur ngushëllime familjes e komunitetit muzikor, ai ka shtuar se Edi King do t’i mungojë shumë.
Një prej muzikantëve më të njohur të gjeneratës së re, Genc Salihu, Edi Kingun e ka përshkruar si pionier të “rock'n'rollit” në Kosovë e themelues të njërit prej bendeve më të rëndësishëm, “Seleksioni 039”. “Kemi mësuar shumë prej teje, King”, ka shkruar Salihu.
Edi King nuk ishte i shpeshtë në intervista televizive. Edhe kur paraqitej në studio, u shmangej fort pyetjeve që kishin të bënin me karrierën e tij. Fliste më shumë për zhanret muzikore e deri te trendët që ndiqeshin viteve të fundit.
Menjëherë pas luftës së fundit së bashku me bashkëqytetarin e tij nga Peja, bateristin e shquar Besim Gashin (Babuka) – që po ashtu iu bashkua “Seleksioni 039” në vitet e arta – kishin realizuar këngën “Shumë të dua”.
“S’po mund ta besoj këtë, jam tejet i pikëllueshëm. Na la Edi, shoku i gjithë jetës sonë. S’paska më rëndë se me përjetu diçka të tillë”, ka shkruar Babuka.
Në shkurt të vitit 2018, në një intervistë të shkurtër në Kohavision, Edi King do të tregonte se “Shumë të dua”, ishte punuar duke u bazuar në muzikën e grupit të njohur botëror, “Gipsy Kings”, i njohur për një kapitull të ri të shkrirjes midis flamencos e salsas.
“I flenë stilit tim ajo këngë dhe e realizuam me Babukën. Është këngë shumë e kërkuar, nuk kalon mbrëmje pa u kënduar”, kishte thënë ai.
Në bazë të përvojës kishte treguar se ka përshtypjen se në ambientet shqiptare kërkohet më shumë muzika e vjetër qytetare. “Unë filloj pak në anglisht e pastaj shëtis”, rrëfente ai duke qeshur derisa tregonte se brenda një mbrëmjeje ku bënte muzikë shëtit nëpër zhanre. Sidomos gjatë verës ishte aktiv me mbrëmja muzikore. Në këtë stinë ishte i pranishëm edhe në vendet e rajonit. Ulqinin dhe Durrësin i kishte si baza të përkohshme. Fliste me shumë pasion për muzikën.
“Ne e duam këtë punë. Është me rendësi të duash diçka dhe pastaj e bën”, ka thënë ai.
Thoshte se në vitet ’80 ka qenë muzika më e mirë që është dëgjuar në Kosovë. Ajo ishte koha kur rocku në Kosovë kishte marrë njëfarë hovi, sidomos në qytetet si Prishtina, Peja e Mitrovica. Grupe të reja formoheshin gjithandej. Për këtë, ajo kohë konsiderohet si më e arta sa i përket muzikës e edhe artit në përgjithësi.
“Ka shumë muzikë të mirë shqip. Po flas për rock. Duhet të punohet më shumë”, kishte thënë ai. Për kapërcimet në zhanre disa herë kishte treguar se varësisht nga kërkesat e tregut “devijonte”, por i mbetej besnik rockut. Por shihej se këtë nuk e bënte me qejf. Përtej kësaj bënte thirrje që talentet e rinj të dalin në pah duke mbushur skenat muzikore në mënyrë që të ndikonin edhe te shijet muzikore të publikut. Thoshte se kur të rinjtë të jenë më aktivë do të nisin të kërkohen më shumë.
“Mendoj se Kosova ka shumë talente të rinj. Për fat të keq për të mundur të mbijetojnë disa po bëjnë muzikë që nuk është edhe aq. Por Kosova ka shumë talente të rinj dhe shpresoj që do të mbërrijnë të dalin në skenë”, kishte thënë ai. E talentet e rinj, frymëzimin e kanë të gatshëm. Edi Kingun që është pionier e shteghapës i trendëve të botës në Kosovë.