Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

EC MA NDRYSHE: Prizreni, “qytet muze” pa muze?

Organizata EC Ma Ndryshe ka publikuar hulumtimin “Prizreni, ‘qytet muze’ pa muze?”, në kuadër të së cilit është pasqyruar gjendja ekzistuese e gjithsej gjashtë muzeve të qytetit të Prizrenit dhe janë adresuar çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e tyre.

Sipas hulumtimit, qyteti i Prizrenit, krahas epitetit të kryeqytetit kulturor të Kosovës, sipas perceptimit të përgjithshëm të publikut kosovar është qytet me vlera të lashta kulturore dhe historike dhe mban edhe epitetin e “Qytetit muze”.

Ky epitet domosdoshmërisht reflekton ruajtjen e strukturës së saj historike dhe rrjedhimisht nënkupton edhe promovimin e kësaj pasurie tek publiku i gjërë. Një nga mjetet e promovimit të kësaj pasurie të Prizrenit janë edhe muzetë që mes tjerash kanë po këtë mision. Mirëpo a e meriton një epitet të tillë sot Prizreni? Sa muze sot gjenden në Prizren dhe sa prej tyre janë funksionale e të hapura për publik? Në çfarë gjendje janë dhe çfarë ofrojnë muzetë e këtij qyteti? Sa reflektohet diversiteti kulturor i këtij qyteti në muzetë e saj?

Hulumtimi ka analizuar aspekte të ndryshme të funksionimit të gjashtë muzeve të qytetit dhe ka karahasuar përmbajtjen e tyre me standarde bashkëkohore të muzeve në rajon e botë. Muzetë e përfshirë në hulumtim janë: 1. Muzeu i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 2. Muzeu arkeologjik - Hamami i Shemsidin beut dhe Sahatkulla, 3. Muzeu etnologjik - Shtëpia e shehzades, 4. Muzeu i hapur arkeologjik si dhe dy muze tjera 5. Muzeu i elektroekonomisë – Hidroelektrana “Prizrenasja” 6. Muzeu i Nënë Terezës të cilat nuk janë funksion dhe të hapura për publik.