Kulturë

Nisma e harruar e përfshirjes së Prizrenit në Listën e trashëgimisë botërore

Shqyrtimi i alternativave të përfshirjes së Prizrenit në Listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s pothuajse është lënë në harresë, në mungesë të veprimeve konkrete për jetësimin e kësaj ideje. Aktivistët e shoqërisë civile kërkojnë ndërmarrjen e hapave përgatitorë bashkë me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, derisa institucionet pranojnë se përfshirja e Prizrenit në listën e UNESCO-s është proces kompleks.

Diskutimi i iniciuar vite më parë nga Komuna e Prizrenit mbi alternativat e përfshirjes së qytetit të vjetër në Listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s është shoqëruar me pak veprime konkrete në këtë drejtim. Madje edhe zotimet e Qeverisë së shkuar lidhur me themelimin e këshillit për "Prizrenin në UNESCO", me synim të përmbushjes së kritereve për aplikim, nuk janë jetësuar.

Monitoruesit nga shoqëria civile konsiderojnë se kjo nismë është lënë në harresë. Sipas tyre, ndonëse Kosova ende nuk ka raporte zyrtare me UNESCO-n, megjithatë organet vendore duhet të ndërmarrin hapa përgatitorë për përfshirjen e Prizrenit në Listën e trashëgimisë botërore.

“Edhe pse viteve të kaluara Komuna e Prizrenit ka organizuar konferencën "Prizreni dhe UNESCO", megjithatë kjo iniciativë është lënë në harresë nga organet komunale, edhe pse ka pasur premtime se do të merret parasysh kjo çështje. Meqë angazhimi i deritanishëm nuk është i mjaftueshëm rekomandohen institucionet komunale dhe organet kompetente që ta marrin ma me kujdes këtë çështje. Kjo arrihet përmes një bashkëpunimi të të gjitha institucioneve, duke theksuar këtu edhe bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Nora Simitçiu nga OJQ “EC Ma Ndryshe”.

Sipas saj, nga monitorimi i kësaj organizate vërehet se gjendja e trashëgimisë kulturore në Prizren nuk është shumë e mirë, prandaj dhe institucionet përkatëse dhe qeveria e re lokale duhet të shtojnë kujdesin për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre vlerave.

drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka pohuar se kjo qendër në baza ditore angazhohet për ruajtjen e mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, si dhe dokumentimin e vlerave të tyre, që është një kontribut për lehtësimin e aplikimit për UNESCO. Sipas tij nevojitet përkushtimi i të gjithë aktorëve për ruajtjen e mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, në mënyrë që një ditë ajo të jetë pjesë e listës botërore.

“Normalisht që ky proces është mjaft kompleks dhe duhet një përkushtim i madh institucional, atij profesional, përfshirë këtu aktorë tjerë të shoqërisë civile, të cilët do të japin kontributin e tyre që në cilëndo kohë të mundshme sapo të përmbyllet procesi i tejkalimit të problemeve politike, atyre diplomatike, të jetë i gatshëm qyteti i Prizrenit të aplikojë në UNESCO, rrjedhimisht të renditet në listën e trashëgimisë botërore”, ka thënë Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së në Prizren.

Në anën tjetër, udhëheqësi i njësisë për komunikim me publikun në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, thekson se iniciativa Prizreni në UNESCO nuk është lënë në harresë, por se bëhet fjalë për një proces mjaft kompleks, me ç’rast Komuna është gati për t’i përmbushur obligimet e saj që qendra historike ose monumente të veçanta të jenë pjesë e Listës botërore të trashëgimisë kulturore që do ta ndihmonte zhvillimin e turizmit.

“Ne si Komunë kemi bërë kërkesa në dy drejtime, nëse shteti nuk është i pranuar në UNESCO a mund të pranohet një zonë çfarë është territori i Komunës së Prizrenit, madje ne kemi pasur vullnetin që të kemi kërkesë edhe për objekte të veçanta si Ura e Gurit, Lidhja e Prizrenit, Kalaja e Prizrenit ose ndonjë objekt tjetër që mund t’i plotësojnë kriteret e UNESCO-s. Qëllimi ka qenë që të ruhen dhe të mbrohen këto objekte dhe të ofrohen për turizmin planetar. Kam informacione edhe nga lidershipi i ri komunal, z. Shaqir Totaj, kryetar komune, që ka gatishmëri që t’i qaset kësaj problematike, kësaj kërkese dhe të gjitha obligimet që mund të dalin për Komunën jemi të gatshëm që t’i plotësojmë”, ka thënë Ymer Berisha nga Komuna e Prizrenit.

Konferenca "Prizreni dhe UNESCO - Alternativat e përfshirjes" pati zhvilluar punimet në vitin 2013, por pak veprime janë ndërmarrë që nga ajo kohë për zbatim të rekomandimeve, derisa përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO pati dështuar në vitin 2015.

Kisha e Shën Premtes në Prizren është monumenti që nga viti 2006 figuron në Listën e trashëgimisë së rrezikuar të UNESCO-s, ani pse autoritetet e Kosovës gjatë këtij viti kanë bërë kërkesë për largimin nga kategoria “në rrezik” bashkë me tri monumentet e tjera: Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Graçanicës.