Kulturë

Prizreni synon t’i hyjë garës për “Kryeqytet Kulturor Evropian – 2028”

Kryeqyteti Evropian i Kulturës është nisma më e dukshme dhe më prestigjioze evropiane në fushën e kulturës. Mundësitë për të aplikuar për këtë titull po i shqyrton edhe Prizreni. Sfidat e procesit të kandidimit në këtë program janë shpalosur të martën nga ekspertja kroate, Emina Vishniq, kryesuese e programit të Kryeqytetit Kulturor Evropian “Rijeka 2020”.

Prezantimi publik “Prizreni si Kryeqytet Kulturor Evropian” është mbajtur në kinemanë “Lumbardhi”, me ç’rast është thënë se aplikimi i eventual i qytetit të vjetër paraqet një mundësi për të gjeneruar përfitime kulturore, sociale dhe ekonomike, për të stimuluar rigjenerimin urban, si dhe për të rritur vizibilitetin dhe profilin ndërkombëtar.

Ky prezantim përbën vetëm hapin e parë të nismës së Rrjetit të Organizatave Kulturore për të mundësuar aplikimin e qytetit të Prizrenit për titullin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës në vitin 2028, sipas vizionit të përcaktuar në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-2028.

Gjatë prezantimit Emina Vishniq, ish-CEO dhe kryesuese e programit të Kryeqytetit Kulturor Evropian të Rijeka 2020, ka shtjelluar shtyllat kryesore të konceptit aktual të Kryeqytetit Kulturor Evropian, mundësitë që një përcaktim i tillë ofron sikurse edhe sfidat e procesit të kandidimit në këtë program. Ajo pohon se në Prizren ka gjetur një grup të aktivistëve entuziastë që konsiderojnë se Prizreni mund të rrugëtojë në këtë shteg.

“Jam në Prizren, sepse duket se ekziston një grup i njerëzve mjaft ambiciozë, që shohin shumë mundësi për Prizrenin, që të tentojë të bëhet kryeqyteti kulturor evropian, titulli më prestigjioz në kulturë që një qytet mund ta ketë dhe njëherësh një mundësi e mirë për zhvillimin kulturor, por gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik, social e urban të qytetit”, ka thënë Vishniq.

e Prizrenit në këtë drejtim, sipas saj, duhet të jetë e sinqertë, përfshirëse dhe transparente, duke ndjekur shembujt e kryeqyteteve tjera të suksesshme evropiane, përfshirë këtu edhe Rijekën e Kroacisë dhe Nova Goricën e Sllovenisë.

para, Prizreni duhet të vlerësojë veten, të shikojë veten se ku kapacitete, ku duhet t’i ngritë kapacitetet njerëzore, infrastrukturore, e të tjera dhe të jetë i sinqertë sa i përket gatishmërisë për përkushtim afatgjatë për këtë projekt. Duhet të bëjë ato që i kanë bërë kryeqytetet e tjera të suksesshme evropiane, duhet të udhëheqë procesin në mënyrë përfshirëse, jo vetëm me sektorin e kulturës, por edhe institucionet kulturore, OJQ-të kulturore, artistët, si edhe shumë hisedarë të tjerë. Paralelisht, duhet të ndërtojë edhe marrëdhënie me partnerët evropianë, artistët, e të tjera”, ka deklaruar mysafirja kroate.

Kryeqyteti Evropian i Kulturës është nisma më prestigjioze evropiane në fushën e kulturës. Me t’u përcaktuar ky titull nga Bashkimi Evropian, qyteti i përzgjedhur organizon një numër ngjarjesh kulturore me një dimension pan-Evropian përgjatë një periudhe prej një viti kalendarik.

Nikoqiri i këtij organizimi, Ares Shporta, ka theksuar se aktualisht Prizreni nuk është i gatshëm për të aplikuar për këtë titull, porse me përkushtim, këtë mund ta bëjë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

“Prizreni ka kapacitet me apliku, ka potencial me apliku, edhe i plotëson të gjitha kushtet që në shtator të vitit të ardhshëm të aplikojë. Pra ka mjaft kohë, nëse sot thotë se në vitin 2028 do të bëhet kryeqytet kulturor evropian, jemi të gatshëm të garojmë me qytetin e Shkupit dhe qytetet e tjera që janë duke garuar për të njëjtin çmim, atëherë duhet të bëjë përkushtimin që fillimisht të hartojë një strategji afatgjate për kulturë apo zhvillim të bazuar në kulturë dhe pastaj edhe një koncept të zhvillimit dhe kandidaturën që në 100 faqe dokument në mënyrë të detajuar e shpjegon një vizion dhe plan afatgjatë që i përfshin të gjitha aspektet prej strategjike deri tek artistike, financiare, operative, etj. që vlerësohet nga paneli në Bruksel dhe deri në vitin 2023-24 do të mund të fitohet çmimi që do të hapte rrugë për një fazë tjetër të zhvillimit për Prizrenin”, ka thënë Shporta.

Ai ka shtuar se ky projekt duhet të shihet si një nismë e përbashkët nga e cila përfitojnë qytetarët e Prizrenit dhe se nevojitet përkrahja e të gjitha subjekteve politike e grupeve shoqërore, në mënyrë që me të vërtetë Prizreni të jetë kryeqytet kulturor evropian.

E nisur në vitin 1985 nga ministrja e Kulturës e Greqisë, Melina Mercouri dhe homologu i saj francez, Jack Lang, kjo ngjarje feston larminë dhe pasurinë e kulturave evropiane, duke i vendosur qytetet në qendër të vëmendjes. Për më shumë se 35 vjet, qytete të ndryshme të Evropës kanë qenë bartëse krenare të këtij titulli, përderisa koncepti i Kryeqytetit Kulturor Evropian ka ndryshuar nga një festival i thjeshtë artistik, drejt një projekti kompleks zhvillimor.

Sipas legjislacionit aktual të Kosovës, Prizreni është kryeqyteti historik i Republikës së Kosovës.