Mbrëmja e katërt e “PriVocal Festit” nuk erdhi thjesht si një koncert, por si një udhëtim në të kaluarën dhe një festë për kompozimet që i kanë rezistuar kohës. Titulluar “Early music night”, kuruar nga tenori i talentuar nga Maqedonia e Veriut, Ismet Vejseli, programi gërmon në kompozimet emocionuese të kompozitorëve të njohur nga epoka të ndryshme, duke kontribuar secili me stilin e tij të veçantë të muzikës së hershme
Në botën e muzikës, ku traditat dhe risitë shpesh përplasen, ekziston një thesar unik kompozimesh të muzikës së hershme. Është një mbretëri e përjetshme ku meloditë e shekujve të kaluar vazhdojnë të magjepsin. E ky udhëtim në kohë është sjellë për publikun e “Prishtina International Vocal Festival” në natën e katërt të edicionit të 6-të. Titulluar “Early music night”, kuruar nga tenori i talentuar nga Maqedonia e Veriut, Ismet Vejseli programi gërmon në kompozimet emocionuese të kompozitorëve të njohur nga epoka të ndryshme, duke kontribuar secili me stilin e tij të veçantë të muzikës së hershme. Vejseli, me pasion për ruajtjen e trashëgimisë muzikore, ka marrë përsipër t’i prezantojë këto thesare të lashta në hollin e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” nën shoqërimin e pianistit Shkëlzen Baftiari.
Programi u hap me veprat melankolike por të bukura të John Dowland, kompozitorit të njohur anglez të Rilindjes. Vepra e Giuseppe Giordanit, kompozitorit italian të fundshekullit të 18-të, solli një prekje hijeshie operistike italiane në mbrëmje. Eksplorimin e muzikës së hershme e plotësuan kompozimet e Claudio Monteverdit, figurë kryesore në tranzicionin nga Rilindja në epokën e Barokut. Programi kulmoi me shkëlqimin e George Frideric Handel. Kompozimet e tij, që përfshijnë periudhën e vonë të Barokut, shfaqin madhështi dhe një ndërveprim të shkëlqyer midis vokalit dhe orkestrës.
Sipas Vejselit, për të cilin është hera e dytë që merr pjesë në këtë Festival, me mbrëmjen e së martës është përmbushur qëllimi me të cilin e ka kuruar programin.

“Ky program ka qenë ndoshta më sfiduesi që e kam bërë deri tani sepse është muzikë e hershme e cila kërkon një teknikë të sofistikuar dhe duhet gjithmonë të kemi shumë kujdes në detajet e vogla të cilat nuk janë te periudhat e tjera kështu që ka qenë goxha sfiduese për mua dhe është program të cilin e kam zgjedhur vetë, sepse mendoj që janë këto vende dhe janë këto qytete të mëdha ku mund të provosh dhe të sfidosh veten”, ka thënë Vejseli.
I lindur në Kumanovë në vitin 1998, Vejseli është solo-këngëtar që ka pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Shkollimin muzikor e filloi në klarinetë dhe solo-këndim, duke vazhduar studimet në shkollën e mesme të muzikës “Ilija Nikolovski - Luj” në Shkup nën drejtimin e tenorit Mustafa Imeri. Gjatë shkollës së mesme, Ismeti mori çmime të shumta, të njëpasnjëshme në konkurse shtetërore dhe ndërkombëtare për solo-këndim. Talenti i tij shkëlqeu dukshëm edhe në skenat ndërkombëtare, duke i dhënë atij vlerësime të shumta në festivale në vendet si Serbi, Itali e Rusi. Përfundoi arsimin e lartë në fakultetin e muzikës ”Shën Kirili dhe Metodikë” në Shkup në klasën e sopranos së njohur Ana Durlovski. Pikat kryesore të karrierës së tij përfshijnë shfaqjet në Berlin, Gjermani, një recital në Tiranë, Shqipëri dhe një debutim mbresëlënës në Moskë, Rusi. Arritjet e Vejselit shtrihen edhe në këndimin në Kremlin dhe në Operën dhe Baletin Kombëtar të Shkupit, duke bërë histori si Opera e parë shqiptare në Maqedoni.
Për ngjarje të tilla si “Prishtina International Vocal Festival” dhe të tjera festivale kushtuar muzikës klasike, Vejseli ka thënë se është shembull që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera. Ka theksuar se të performojë në Kosovë është përherë kënaqësi.
“Unë shoh shumë përparim në Kosovë, sepse unë jam nga Maqedonia e Veriut dhe kjo është diçka që ne duhet të marrim shembull sepse kemi DAM festivalin, kemi ‘PriVocal Festin’, ‘Chopin Piano Festin’, kështu që është diçka që nuk ndalet, aktivitete kulturore që nuk ndalen në Prishtinë dhe kjo gjë më pëlqen shumë dhe uroj që edhe ne trojet e tjera të shohim e të bëjmë si ju”, ka thënë Vejseli.
Në natën ku e kaluara u gjallërua dhe publiku transportohet në një epokë kur muzika ishte një dritare për shpirtin performoi edhe mexosopranoja, Dea Xhemaili. Dialogu i saj me tenorin nëpërmjet kryeveprave e Dowland, Giordanit, Gaspanit, Monteverdit dhe Handelit solli një mbrëmje harmonie.
Për këtë Xhemaili është shprehur e lumtur. Edhe më që pati rastin të performojë me Vejselin.
“Në përgjithësi, ka shkuar gjithçka në rregull, pasi që Ismeti është një talent siç e patë edhe ju dhe nuk është që kemi pasur ndonjë problem sikur nga ana e programit, por gjithashtu edhe nga ana e interpretimit. Ismeti është marrë me programin komplet dhe për këtë e ka titulluar mbrëmjen e sontme ‘Early music night’, pasi që kanë qenë kryesisht vepra të vjetra të kohës së lashtë”, është shprehur Xhemaili.
Me muzikë ka filluar të merret që nga mosha katërvjeçare. Xhemaili ka qenë fituese e shumë festivaleve brenda dhe jashtë Kosovës. Një ndër çmimet kryesore ka qenë ai në Modena të Italisë ku u shpall fituese e çmimit “Grand Prix”. Përfundoi studimet në Fakultetin e Arteve dhe së fundmi përfundimin e studimeve master në drejtimin solo-këndim. Ka marrë pjesë në shumë festivale garuese, masterklase me profesorë të ndryshëm dhe ka qenë fituese e disa çmimeve në garat ndërkombëtare. Është anëtare aktive e Korit të Filharmonisë së Kosovës që prej vitit 2012. Për shumë vjet ka qenë e angazhuar në institucione dhe festivale të ndryshme. Prej vitit 2018 është pjesë e “PriVocal Fest” si bashkëpunëtore e ngushtë e festivalit.
Për natën e katërt të edicionit të 6-të të Festivalit është shprehur se i ka ofruar një ndjenjë përmbushjeje shpirtërore e emocionale.
“PriVocal Fest” e përmbyll edicionin e 6-të të shtunën në “Defy them” me performancën e Ceylan Taci dhe Astrit Stafait me programin e titulluar “Zëri i rrënjës”.