Violinisti shqiptar me nam ndërkombëtar, Tedi Papavrami dhe pianistja japoneze Maki Okada, janë dyshe që sjellin magjinë e interpretimit. “ReMusica” sivjet sjell dallimet stilistike dhe gërshetimin e natyrshëm të tyre. E kjo është konfirmuar që në natën e parë të edicionit të 24-t. Edhe në zhanre e edhe në formacionet e zgjedhura. Fillimisht me ansamblin vokal “ReVocal”, nën drejtimin e maestros Rafet Rudi, me vepra tradicionale e moderne, e më pas me duetin Papavrami e Okada
Tema e sivjetme e festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica” qëndron për dallimet stilistike dhe gërshetimin e natyrshëm të tyre. E kjo është konfirmuar që në natën e parë të edicionit të 24-t. Edhe në zhanre e edhe në formacionet e zgjedhura. Fillimisht me ansamblin vokal “ReVocal”, nën drejtimin e maestros Rafet Rudi, me vepra tradicionale e moderne, e më pas me duetin me mjeshtrin e violinës, Tedi Papavrami e pianisten japoneze, Maki Okada.
Shenjat e festivalit janë rikthyer në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, një vit pas. Aty priten të shkëlqejnë emra të shquar të muzikës. Një prej tyre është mjeshtri shqiptar i violinës Tedi Papavrami. Në Prishtinë, në vitet e para si violinist do të vinte për të luajtur me instrumentin e tij në moshën tetëvjeçare. Ishin rrethana jo të mira politike.
“Jam shumë i gëzuar që erdha pas kaq vitesh, aq më tepër që kam kujtime shumë të largëta në Prishtinë, sepse kam pasur luajtur në vitin 1979 kur kam qenë tetë vjeç, gjatë një turneu që ishte organizuar nga Shqipëria komuniste dhe Jugosllavia. Mbaroi pas keq ajo punë, sepse filluan revoltat këtu dhe më kujtohet që erdhën aeroplanët, tanket dhe na dërguan në Tiranë më shpejtë sesa ishte planifikuar”, është shprehur violinisti Papavrami. Pas luftës do të kthehej prapë.
Më pas, mjeshtërinë e lojën brilante e ka prezantuar edhe në edicionin e parë të festivalit të muzikës kamertale “KamerFest” në vitin 2000 e edhe më pas. Madhështore ka qenë edhe performanca e radhës. Ai në violinë e japonezja Maki Okada në piano, kanë sjellë duetin tejet të bukur muzikor.
Vepra me të cilën është hapur rrëfimi muzikor i dyshes, “Les trilles du diable” nga Giuseppe Tartini ka nisur si tregim shumë prekës muzikor. Por që shpejt ndryshon natyrë. Nis temë harmonike e sërish ritmin emocional e rigjenë. Loja e gjatë solo e violinës e shpërfaq virtuozitetin e elegancës e instrumentit.

Violinisti Tedi Papavrami, ka thënë se programi ka qenë përzgjedhje kryesisht nga vendet mesdhetare, përfshirë edhe kulturën shqiptare.
“Programi ishte i lidhur me Mesdheun, domethënë një pjesë e muzikës ishte e Mesdheut, i cili është djepi i kulturës së Evropës dhe Shqipëria sigurisht se është pjesërisht në Mesdhe. Kosova është më kontinentale, por gjithmonë kanë diçka të përbashkët. Janë muzika shumë të fuqishme, me shumë pasion, me shumë ritëm. Sot besoj se dallohej qartë që të gjitha këto kanë një intensitet shumë të veçantë”, ka thënë violinisti i cili nisi karrierën në skenë qysh në moshën tetëvjeçare kur luajti me Orkestrën Filarmonike të Tiranës.
Më pas studioi me Pierre Amoyal në Konservatorin Kombëtar Superior. Ka performuar me partnerë të ndryshëm si Nelson Goerner, Martha Argerich, Maria Joao Pires, Viktoria Mullova ose Gary Hofman, nën drejtimin e dirigjentëve të njohur, përfshirë Kurt Sanderling, Manfred Honeck, François-Xavier Roth dhe Thierry Fischer. Papavrami jeton në Gjenevë ku mban pozitën e profesorit për violinë në Konservatorin e Muzikës “Haute École de Musique”. Ai luan në një violinë që u punua për të në vitin 2022 nga mjeshtri i violinës David Leonard Wiedmer.
E kultura shqiptare ka prekur në programin e tyre me veprën “Suite për violinë e piano” nga Vasil Tole. Pianistja japoneze, Maki Okada, ka thënë se kjo vepër i ka kujtuar folklorin japonez.
“Pjesët e Vasil Tole të frymëzuara nga folklori shqiptar i juglindjes së Shqipërisë, janë pjesë të fuqishme. Befasisht, duke luajtur këtu kisha ndjenjën e një lidhjeje me folklorin japonez dhe me ndjenjat që, sigurisht që janë shumë të largëta, por që prapëseprapë përputhen diku dhe emocioni është i njëjti”, është shprehur Okada, e cila ka luajtur në Prishtinë për herë të parë.
“Njihja vetëm emrin e Kosovës dhe Prishtinës. Kam një ndjenjë rikonstruktimi dhe rritjes, energjisë që avancon. Shpirt dhe kulturë që është pak e vështirë ta përshkruash, por që ndjen diçka të veçantë të cilën nuk mund ta imagjinoje para se të vijë”, është shprehur ajo më tej.
Pas përfundimit të studimeve në Tokio, Maki Okada, vazhdoi studimet e saj në Francë. Me t’u kthyer në Japoni, ajo vazhdon aktivitetin e saj si pianiste koncertesh në recitale, me orkestër ose me grupe të muzikës së dhomës.
Lidhjet e krijuara gjatë kësaj kohe me Francën dhe Evropën shënuan zhvillimin e saj muzikor, tani është repertori për violinë dhe piano në të cilin ajo përqendrohet me violinistin Tedi Papavrami. Së bashku në vitin 2018, ata morën çmimin “Barocksaal” në Kioto, i dhënë për koncertin më të mirë të sezonit në këto vende.
Dyshja më pas ka interpretuar veprat “Suite Baal Shem” nga Ernest Bloch dhe “Carmen Fantasie” nga Pablo de Sarasate.
Dirigjenti e kompozitori, Rafet Rudi, ka thënë se programi i përzgjedhur nga dyshja ishte i pazakontë për skenat e muzikës klasike në vend.
“Në koncertin e dytë që e pat violinisti ynë numër një që e kemi, Tedi Papavrami, ishte një program jashtëzakonisht i vështirë, jo i zakonshëm për podiumet tona. Tedi është një artist brilant dhe ai e dëshmoi veten. Më vjen mirë që interesimi i publikut ishte i madh dhe e pranoi atë që e meriton”, ka vlerësuar ai.
Edhe pianistja Besa Luzha e ka vlerësuar performancën e Papavramit. Ka thënë se ka qenë emocion i veçantë ta shoh atë në skenë në Prishtinë pas një çerekshekulli.
“Me shumë kënaqësi erdha ta shoh Tedin, sepse 25 vjet më parë e hapi festivalin e parë të muzikës klasike që është organizuar në Kosovë paslufte, në ‘KamerFest’, me një pianist. Ka ardhur edhe disa herë tjera por për mua ka qenë një emocion i veçantë ta shoh pas 25 vjetësh në një koncert solistik. Çfarë më bëri përshtypje po ashtu diçka shumë e veçantë, ishte që këto vepra për shumicën prej nesh ishin të panjohura, si vepra e Vasil Toles”, ka thënë Luzha.
Dyshja Papavrami e Okada kanë interpretuar në koncertin e dytë të natës hapëse të festivalit “ReMusica”. Në të parin ka interpretuar ansambli vokal “ReVocal” nën drejtimin e maestro Rudit.
Rrëfimi i koristëve ka nisur me “Abendlied” nga Josef Rheinberge si këngë liturgjike ku zërat vijnë herë si rrëfime shpirtërore në kor, e edhe të përcjella nga pjesë solistike.
“O Magnum Mysterium” nga Morten Lauridsen është hapur me fjalët me të cilat emërtohet. Ka qenë pjesë liturgjike, sikurse edhe shumë prej veprave nga programi i përzgjedhur.
Në interpretim të “Psalt” të Jan Kukuzelit gërshetohen zërat në kor që në fillim konfuzojnë se në lojë janë përfshirë tinguj të lehtë të instrumenteve. Zërat e grave dhe të burrave diferencohen në këtë vepër mes interpretimit të lehtë dhe të krejt anëtarëve bashkë.
Derisa interpretimi solo ka qenë rrëfimi qendror te vepra “O bylbyl i mjerë” nga Bahri Mulliqi, pjesa tjetër ka shoqëruar si vijë melodike me përplot ngjyra, si elegji. Ritmet janë të pasura me plot elemente tradicionale.
Harmonike, dinamike e tejet atraktive ka qenë vepra “Xhike-Loke” e Rafet Rudit. Ansambli ka interpretuar edhe veprat “Kuulin äänen” nga Laura Jēkabsone dhe “Nyon Nyon” nga Jake Runestad.
Drejtuesi i ansamblit, Rafet Rudi, është shprehur i kënaqur me punën e koristëve, të cilët i ka vlerësuar si prej më të mirëve të muzikës korale në vend.
“Ky është një program që e kemi përgatitur për Holandë dhe për Spanjë që dy muaj më parë i kemi pasur koncertet në këto vende, por në këtë rast në mënyrë e formë të reduktuar e dhamë koncertin. Unë jam i kënaqur përgjithësisht me koncertin dhe me prezantimin e ansamblit. Janë prej këngëtarëve më të mirë të muzikës korale që kemi dhe unë ndihem mirë kur punoj me ta”, ka thënë profesori Rudi.
Koncertet e dyfishta janë veçanti e këtij edicioni të festivalit.
Pos programit qendror në mbrëmje, gjatë ditës së hënë në hapësirat e Shoqatës së Kompozitorëve është zhvilluar diskutimi me temë “Festivalet rreth tryezës: Qyteti dhe festivalet”, si dhe ai me temë “Artistët dhe festivalet rreth tryezës: Tradita dhe moderniteti në muzikë”. E në kuadër të atyre që organizatorët i kanë quajtur koncerte të xhepit, po në hapësirat. Shoqatës është mbajtur koncerti nga “Harmonius Vocal Ensemble”, dirigjuar nga Adelina Ndreca-Kolaj.
Sivjet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica” përgjatë pesë ditëve do të mbahen plot 18 koncerte me rreth 200 artistë pjesëmarrës.
“ReMusica” me edicionin e 24-të ka arritur edhe një herë tjetër në Prishtinë. Kësaj radhe edhe në Prizren, me konceptin e palëkundur të tij. Ndërthur traditën muzikore dhe modernitetin. Tema “Kontrastet” qëndron për dallimet e dukshme stilistike dhe gërshetimin e natyrshëm dhe pret të zbërthehet e të dëshmohet e tillë në festivalin ndërkombëtar të muzikës që mbahet prej 27 deri më 31 tetor.