Në botën e muzikës, ku traditat dhe risitë shpesh përplasen, ekziston një thesar unik kompozimesh të muzikës së hershme. Është një mbretëri e përjetshme ku meloditë e shekujve të kaluar vazhdojnë të magjepsin dëgjuesin. E ky udhëtim në kohë është sjellë për publikun e “Prishtina international vocal festival” në natën e katërt të edicionit të 6-të. Titulluar "Early music night", kuruar nga tenori i talentuar nga Maqedonia e Veriut, Ismet Vejsli, programi gërmon në kompozimet emocionuese të kompozitorëve të njohur nga epoka të ndryshme, duke kontribuar secili me stilin e tij të veçantë të muzikës së hershme.
Programi nisi me veprat melankolike të John Dowland, kompozitorit të njohur anglez të Rilindjes. Vepra e Giuseppe Giordanit, kompozitor italian i fundshekullit XVIII, solli një prekje hijeshie operistike italiane. Eksplorimin e muzikës së hershme e plotësuan kompozimet e Claudio Monteverdi, një figurë kryesore në tranzicionin nga Rilindja në epokën e Barokut. Programi kulmoi me tingujt e George Frideric Handel. Kompozimet e tij, që përfshijnë periudhën e vonë të Barokut, shfaqin madhështi dhe një ndërveprim të shkëlqyer midis vokalit dhe orkestrës.
Sipas Vejselit, për të cilin është hera e dytë që merr pjesë në këtë Festival, me mbrëmjen e së martës është përmbushur qëllimi me të cilin e ka kuruar programin.
“Ky program ka qenë ndoshta më sfiduesi që e kam bërë deri tani sepse është muzikë e hershme e cila kërkon një teknikë të sofistikuar dhe duhet gjithmonë të kemi shumë kujdes në detajet e vogla të cilat nuk janë të periudhat e tjera kështu që ka qenë goxha sfiduese për mua dhe është program të cilin e kam zgjedhur vet sepse mendoj që janë këto vende dhe janë këto qytete të mëdha ku mund të provosh dhe të sfidosh veten”.
Për ngjarje të tilla si “Prishtina international vocal festival” dhe të tjera festivale kushtuar muzikës klasike, Vejseli ka thënë se është shembull që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera. Ka theksuar se të performojë në Kosovë është përherë kënaqësi.
“Unë shoh shumë përparim në Kosovë sepse unë jam nga Maqedonia e Veriut dhe kjo është diçka që ne duhet të marrim shembull sepse kemi DAM festivalin, kemi Privocal festin, Chopin piano festin kështu që është diçka që nuk ndalet, aktivitete kulturore që nuk ndalen në Prishtinë dhe kjo gjë më pëlqen shumë dhe uroj që edhe ne trojet tjera të shohim e të bëjmë si ju”.
Në natën ku e kaluara u gjallërua dhe publiku transportohet nga një epokë në tjetrën, interpretoi edhe mexosopranoja Dea Xhemaili. Dialogu midis saj dhe tenorit nëpërmjet kryeveprave Dowland, Giordani, Gaspani, Monteverdi dhe Handel, solli një mbrëmje unike.
Për këtë Xhemajli është shprehur e lumtur. Edhe më që pati rastin të performojë bashkë me Vejselin.
“Në përgjithësi ka shkuar gjithçka në rregull pasi që Ismeti është një talent siç e patë edhe ju dhe nuk është që kemi pasur ndonjë roblem sikur nga ana e programit, por gjithashtu edhe nga ana e interpretimit. Ismeti është marrë me programin komplet dhe për këtë e ka titulluar mbrëmjen e sontme ‘Early music night’ pasi që kanë qenë kryesisht vepra të vjetra të kohës së lashtë”.
“Privocal Fest” e përmbyll edicionin e 6-të të shtunën në “Defy Them” me performancën e Ceylan Taci dhe Astrit Stafait me programin e titulluar “Zëri i rrënjës”.