Kulturë

Dy regjisorë kosovarë në laboratorin e “Lincoln Center Theater” në New York

Regjisorët kosovarë Blerta Rrustemi-Neziraj e Agon Myftari në gusht të këtij viti do të qëndrojnë në New York për tri javë si pjesë e laboratorit për regjisorë “LCT Director’s LAB 2018”. Në mesin e rreth 600 regjisorëve profesionistë, që kanë aplikuar në këtë program, për vitin 2018 janë përzgjedhur 70 pjesëmarrës.

Ky laborator për regjisorë i “Lincoln Center Theater” është një program zhvillimor për trajnimin e regjisorëve të teatrit nga e gjithë bota. Rreth 70 regjisorë profesionistë, të cilët janë aktivë në punën e tyre, marrin pjesë çdo vit, shkruan sot “Koha Ditore”. Ky program përmban një sërë seminaresh, seancash të përbashkëta, provash, hulumtimesh dhe diskutimesh me mjeshtër artistë, që u japin regjisorëve një thellim më intensiv në profesionin e tyre, duke nxitur marrëdhënie bashkëpunuese mes një komuniteti të bashkuar artistësh. Vitin e kaluar ky program kishte pranuar 68 regjisorë nga 22 shtete të botës dhe 13 shtete të ShBA-së.

Si materiale mbi të cilat do të zhvillohet një pjesë e hulumtimeve, provave dhe punëtorive të këtij laboratori, organizatorët kanë përzgjedhur 7 drama nga një numër i madh i dramave të propozuara nga aplikantët. Në mesin e këtyre është edhe drama “Peer Gynti nga Kosova” e dramaturgut Jeton Neziraj, mbi të cilën do të punojnë dy grupe regjisorësh gjatë pjesës së parë të laboratorit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)