Ministrja e re e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot e ka pranuar këtë detyrë nga ministri i deritanishëm, Kujtim Gashi.
Me këtë rast, ai ka kujtuar se këtë post që sot po e dorëzon e ka pranuar para dy viteve nga Dumoshi e cila atë kohë ishte ministre në detyrë e këtij dikasteri. Gashi deklaroi se ardhja e Dumoshit në krye të kësaj ministrie është lajm i mirë për komunitetin kulturor dhe sportiv.
“Jam zakonisht i lumtur që në krye të kësaj ministrie vjen po ashtu një figurë shumë e respektuar e Prishtinës që ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për zhvillimin e kulturës edhe sa ka qenë drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe po ashtu ministre për ato pak muaj. Dhe natyrisht është një lajm i mirë për komunitetin që mbulon Ministria e Kulturës dhe sot nuk mund të ketë eksperiment me këtë ministri për faktin se vjen një njeri që e njeh këtë fushë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që punët e mira që kanë filluar do vazhdojnë edhe nga ministrja Dumoshi”, ka thënë Gashi. “Besoj është bërë një veprim i mirë (mosndarja e ministrisë) sepse komuniteti ka qenë i shqetësuar a do ndahet ministria, po më vjen mirë që më në fund dhe e kemi ashtu siç e ka kërkuar edhe komuniteti dhe e vlerësoj këtë veprim”.
Kurse, ministrja e sapozgjedhur e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se ajo do të jetë më afër komunitetit kulturor e sportiv me punën e saj, raporton KP.
“Unë i siguroj të gjithë komunitetin kulturor, sportiv dhe rinor që do punoj dhe vazhdimësia ime edhe e ministrave të mëparshëm si të Kujtim Shalës dhe Kujtim Gashit dhe e gjithë puna ime do jetë shumë e afërt me këto komunitete”, ka deklaruar Dumoshi.