Kulturë

Dua Lipa rikthehet në “Brit Awards” me trofe

Këngëtarja nga Kosova është rikthyer në “Brit Awards” pas një pauze dyvjeçare, duke marrë trofeun e radhës të shtunën mbrëma. Ka triumfuar në kategorinë për këngën më të mirë të zhanrit pop me “Dance the Night”, kolonë zanore e filmit “Barbie”. Është i shtati trofe i saj në “Brit Awards”. Sivjet, me gjashtë trofe ka thyer rekord artistja Raye, e cila dikur u nominua me DJ Regardin nga Kosova

Dua Lipa është rikthyer furishëm në ceremoninë e çmimeve më të mëdha në industrinë e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar. Këngëtarja me rrënjë nga Kosova ka marrë çmimin e këngës më të mirë të zhanrit pop në ceremoninë “Brit Awards” të shtunën mbrëma në Londër. Ajo fitoi me “Dance the Night”, kolonë zanore e filmit “Barbie”.

Pasi mori çmimin, Lipa ka falënderuar fansat, duke thënë se pa ta s’do të ishte aty ku është tash.

“E mahnitshme, faleminderit shumë! Besoj se ka më shumë se një arsye... fansat e mi janë arsyeja pse jam këtu. Kështu që dua të them: ‘Faleminderit për secilin prej jush që votoi për mua’. Kjo do të thotë shumë. Jam shumë, shumë e lumtur që jam këtu. Ju njerëz më keni dhënë këtë besimin radikal se unë mund të bëj gjithçka, mund të provoj e të eksperimentoj.... Ju jeni aty për të më mbështetur. E gjithë dashuria, optimizmi dhe mbështetja është ajo që më frymëzon, andaj faleminderit shumë”, ka thënë Lipa teksa ka falënderuar ekipin e saj për punën e bërë.

Image
Lipës i ka takuar ta hapë ceremoninë e sivjetme me interpretimin e hitit të ri “Training Season” (Foto: AP)

Lipa ka qenë e nominuar edhe në dy kategori të tjera: për këngën më të mirë të vitit dhe artisten më të mirë. Por qe artistja angleze, Raye që e mposhti në të dyja kategoritë. Madje ajo ka hyrë në histori për më së shumti çmime të fituara në një vit. Mori gjashtë çmime, përfshirë ato kryesoret për artisten dhe albumin më të mirë me “My 21st Century Blues”.  Ajo veçse kishte hyrë në histori me shtatë nominime. Pop-ylli 26-vjeçar mori edhe trofetë si ai për “Tekstshkruesen më të mirë”, “Performancën më e mirë R&B”, si dhe “Artisten më të mirë britanike”.

Por Lipës i ka takuar ta hapë ceremoninë e sivjetme me interpretimin e hitit të ri “Training Season”.

Lipa, Rob Beckett dhe Ellie Goulding, ishin në mesin e shumë emrave të famshëm të cilët parakaluan mbi qilim të kuq të shtruar me këtë rast, para se të futeshin në arenën “O2” në Londër për ta filluar festën e ndarjes së shpërblimeve. Pas Lipës, në skenë për të interpretuar u ngjitën edhe artistë të tillë si: Kylie Minogue, Raye, Calvin Harris dhe Ellie Gouldin, Tate McRae e të tjerë.

Image
Raye me gjashtë trofe theu rekord në “Brit Awards 2024”. Më 2021 ajo qe nominuar për bashkëpunimin me DJ Regard nga Kosova

DJ dhe producenti i njohur skocez, Calvin Harris, u shpërblye me një çmim në kategorinë "Performanca më e mirë dance". Nga artistët ndërkombëtarë të nderuar me çmime gjatë mbrëmjes ishin, SZA, e cila u shpall “Artistja më e mirë ndërkombëtare”, Miley Cyrus e fitoi çmimin “Kënga më e mirë ndërkombëtare” për hitin “Flowers”, kurse “Grupi më i mirë ndërkombëtarë” u shpall “Boygenius”.

Çmimi special i karrierës, “Global Icon” sivjet iu nda pop-artistes australiane, Kylie Minogue. 

Hera e fundit që Dua Lipa triumfoi në “Brit Awards” qe viti 2022 kur rrëmbeu trofeun që e kurorëzoi si: Artistja më e mirë pop/R&B. Atë vit nuk qe e pranishme në ceremoni, përdori rrjetet sociale për ta ndarë gëzimin me ndjekësit e saj. Falënderoi të gjithë për votat.

Image
Lipa ka qenë e nominuar edhe në dy kategori të tjera: për këngën më të mirë të vitit dhe artisten më të mirë (Foto: AP)

“Ani pse do të donim që të ishim në Londër që të festojmë së bashku me ju – ne kemi qenë duke ushtruar që të japim një spektakël sa më të mirë për ju”, do të shkruante ajo. Vjet nuk mori çmim, ani pse qe e nominuar për këngën më të mirë pop/ R&B.  Historia e Dua Lipës me çmimet më të mëdha të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, nisi në vitin 2018 kur mori Çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën më të mirë me “One Kiss”. Ani pse në 2020 nuk ishte në mesin e të nominuarve u rikthye në vitin 2021 me nominim të trefishtë. Triumfoi në dy kategori. Lipa u shpërblye si artistja më e mirë britanike dhe mori çmimin për albumin me të mirë. Në kategorinë për albumin me të mirë pati triumfuar me “Future Nostalgia” që i dha epitetin alfa e discos. Atë vit nuk arriti të triumfonte në kategorinë për këngën më të mirë me hitin “Physical”. Lipa ishte ndër muzikantët që po ashtu pati performuar më 2021, duke sjellë disa nga hitet e saj në ceremoninë që u përcoll në mënyrë fizike nga 4 mijë njerëz si dhe u transmetua live. “Faleminderit shumë është një nder që të jem këtu dhe përsëri në skenë. Herën e kaluar kur kam qenë këtu në vitin 2018 kam thënë që dëshiroj që të shoh më shumë gra në këtë skenë dhe tre vjet më vonë jam shumë e lumtur që po e shoh këtë”, kishte thënë Lipa atëherë. Lipa ishte shfaqur duke kënduar këngën “Love Again” në metrotë e Londrës. Aty ka nisur edhe këndimin e hitit “Physical”. Megjithatë performancën e para-incizuar e vazhdoi live në “O2 Arena”. Këtë zhvendosje e bëri pikërisht me “Physical”, këngën me të cilën synoi të marrë Çmimin për këngën më të mirë (British single). Pas hitit “Hallucinate”, ajo përfundoi interpretimin e saj me super-hitin “Don’t Start Now” dhe me fjalët “Future Nostalgia”.

E, Raye që sivjet tronditi “Brit Awards” me gjashtë trofe ka edhe një histori që lidhet me një tjetër muzikant nga Kosova – Dardan Aliun, i njohur si DJ Regard. Më 2021 ishte nominuar për këngën më të mirë britanike për “Secrets” pikërisht me yllin e “Brit Awards 2024”. Ishte viti kur Dua Lipa i mposhti në këtë kategori dhe u shpall mbretëreshë e atij edicioni.  

Përgatitën: Endrit Berisha dhe Edona Binaku

Lexo edhe: https://www.koha.net/kulture/404092/dj-regardi-i-kosoves-ne-skenat-boterore-gjithcka-mund-te-arrihet/