Kulturë

Dua Lipa performon në “Brit Awards”

Dua Lipa Lipa ka performuar në ceremoninë e sivjetmë të “Brit Awards”. Këngëtarja ishte ndër muzikantët e parë që nisi ceremoninë e cila po përcillet në mënyrë fizike nga 4 mijë njerëz, e që po transmetohet live. 

Lipa është shfaqur duke kënduar këngën “Love Again” në metrotë e Londrës. Aty ka nisur edhe këndimin e hitit “Physical”. Megjithatë performancën e para-incizuar e vazhdoi live në “O2 Arena”. Këtë zhvendosje e bëri pikërisht me “Physical”, këngën me të cilën synon të marrë çmimin për këngën më të mirë (British single).

Pas hitit “Hallucinate” ajo përfundoi interpretimin e saj me super hitin “Don’t Start Now” dhe me fjalët “Future Nostalgia”, emri i albumit të saj të fundit. Lipa është e nominuar për albumin me të mirë (British Album), në këtë ceremoni. Albumi është lansuar në mars të vitit të kaluar. Këngëtarja 25-vjecvare është po ashtu e nominuar edhe për çmimin artistja më e mirë solo (British Female Solo Artist).

Lipa për herë të parë u shpërblye në këtë ceremoni në vitin 2018 kur mori çmimin si këngëtarja më e mirë solo dhe artistja më e re që depërtoi në skenë. Një vit më pas, ajo mori përsëri çmimin për këngën me të mirë me “One Kiss”. Ani pse vitin e kaluar ajo nuk ishte në mesin e të nominuarve u kthye këtë vit me nominim të trefishtë.

“Brit Awards” është mbajtur çdo herë në shkurt mirëpo për shkak të pandemisë këtë vit po mbahet në maj. Ceremonia po ndiqet me prani fizike të publikut pasi që manifestimi është pjesë e Programit hulumtues të qeverisë përmes të cilit po shikohen mundësit për të mbajtur ngjarje kulturore me prani me të madhe të publikut.

{gallery}