Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dokumentar i KTV-së: Në kujtim të Bekim Lumit

Pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit, regjisori i njohur kosovar, Bekim Lumi, ka vdekur mëngjesin e 30 korrikut, duke lënë pas vetes një krijimtari të gjatë artistike.

Vdekja e regjisorit dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës i pikëlloi jo vetëm familjarët, por edhe bashkëpunëtorët, kolegët e tij dhe artdashësit. Sipas komunitetit artistik në vend, vdekja e Bekim Lumit është një prej humbjeve më të mëdha në skenën tonë artistike vjetëve të fundit.

Puna e Lumit ishte e pakontestueshme pasi çdo projekt i tij ka lënë gjurmë në skenën e teatrit në vend. Për Lumin, e përkryer ishte vetë skena dhe i tillë do të duhej të ishte çdo projekt që jepej në të. Ai ka qenë natyrë ‘perfeksioniste’ dhe si i tillë pa dyshim që kërkesat e tij për punë kanë qenë të mëdha. Krahas krijimtarisë së gjatë artistike, “Arturo Ui” ishte shfaqja e fundit të cilën Lumi arriti ta sjellë në skenë me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore.

E, pikërisht për këtë arsye, ai nuk kishte qenë i pranishëm në këtë premierë. Por, si gjithmonë kritikat për punën e tij ishin pozitive dhe të ishin emocionuar edhe me këtë realizim. Meqë kjo shfaqje ishte testamenti i fundit artistik i Lumit, në mbledhjen komemorative që u mbajt të martën e 31 korrikut, në Teatrin Kombëtar të Kosovës aktorët që luajnë në të dhanë në skenë pjesën kryesore të shfaqjes, derisa rolin kryesor kësaj radhe e pati vet Bekim Lumi. Dhe e gjitha, e menduar shumë mirë nga vet regjisori sa ishte gjallë.

Lumi u varros në varrezat e lagjes “Arbëria” në Prishtinë, ku mes lotësh dhe dhimbjesh iu dha lamtumira e fundit.

KTV sjell një dokumentar, cili flet për jetën dhe veprën e Lumit. Atë e kujtojnë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.