Kultura është një fushë e gjerë e cila përfshin perceptimet e këndvështrimet e përgjithshme, gjuhën, zakonet e doket, si dhe mënyrën e të jetuarit. Kulinaria është pjesë e saj.
Shqiptari i cili është i lindur dhe i rritur në New York, e që origjinën e ka në Tropojë të Shqipërisë, Fejsal Demiri, ka besuar në fuqinë kulinarisë. E ai nuk e ka lënë vetëm në shkallën e besimit, por e ka ngritur edhe te promovimi, duke bërë bashkë dy gjëra që do: kuzhinën dhe përfaqësimin e shqiptarëve përmes ushqimeve tradicionale.
Këtë e bëri kësaj radhe edhe në edicionin e 20-të të “Dokufestit” në Prizren, ku në hapësirën e oborrit të “Kino Lumbardhit”, mesditën e së dielës, të pranishmit shijuan aromë të Përmetit, Voskopojës, Shkodrës e Rugovës, duke bërë bashkë në një vend specialitete të Shqipërisë e Kosovës.
“Kam pasur dëshirë t’i promovoj rrënjët e mia dhe të bëj edhe punën time bashkë me të”, ka thënë Demiri, i cili së fundmi prezantoi një version ndryshe të flisë në edicionin e sivjetmë të “Autostrada Biennale”.
Këtë rrugëtim e kishte nisur në vitin 2019, duke e quajtur projektin e tij si “Ekspedita e Gastronomisë Shqiptare”, me ç’rast qëllimi ka qenë kultivimi e ruajtja e ushqimeve tradicionale.
“Sot është bërë përgatitja e prezantimi i ushqimeve tradicionale, nga disa rajone shqiptare, me disa kuzhinierë që kanë frymëzuar ekspeditën tonë”, ka thënë ai.
Ka treguar se dy nga kuzhinierët vijnë nga Shqipëria e Jugut, një nga Shqipëria e Veriut dhe një nga Kosova.
“Është e rëndësishme të promovojmë gatimin tradicional shqiptar, sepse kjo na ndihmon t’i kuptojmë rrënjët tona”, ka thënë Demiri.
“Shprehja e Fan Nolit është: ‘Nëse do të hash si mbret, duhet të hash në Përmet”, ka thënë kuzhinieri me përvojë 35-vjeçare, Urim Jaçe.
Ai administron restorantin “Antigonea”, e cila ndërlidhet si në emërtim, ashtu edhe në ndërtim me qytetin antik të Antigoneas.
“Qyteti ynë, krahas kulturës historike që ka, ka edhe kulturë në gastronomi”, ka thënë përmetari.
Në anën tjetër, këtë punë e bën me pasion teksa fillon t’i prezantojë ushqimet të cilat i gatuan përballë të pranishmëve, e që disa prej tyre janë edhe joshqiptarë.
“E kam pasion dhe mundohemi që recetat e vjetra që i kanë gatuar gjyshet tona t’i mbajmë gjallë”, ka treguar ai me bindje.
Supa tradicionale me thërrime dhe pulë, specialiteti i “kollofaqes”, si një gërshetim mes mishit të qengjit e orizit, si dhe “shëndetlia”, janë ato që ai ua servoi publikut.
“Kjo supë është përdorur për t’i respektuar miqtë që kanë ardhur në shtëpi”, ka thënë Jace.
E kulinaria e Voskopojës ka qenë e pranishme në bazë të recetave të 56-vjeçares Shpresa Baceli, e cila ka treguar se ndihet e privilegjuar që është pjesëmarrëse në këtë ngjarje.
“Në restorantin tim i kemi të gjitha ushqimet tradicionale dhe mundohemi ta ruajmë traditën e nënave dhe gjysheve tona”, ka thënë ajo, teksa shton se ato kanë gatuar me shije të mirë.
Përballë vizitorëve të “Dokufestit”, ajo përgatiti lakror në saç, pispili me miell misri, petulla të fshira, trahana, petka dhe dromka.
“Kam sjellë vetëm një pjesë të ushqimeve në mënyrë që të jemi pjesë e kësaj eksperience”, ka thënë ajo duke shtuar se me rëndësi e kanë cilësinë në restorantin e saj dhe që të gjithë ata që i vizitojnë kthehen në shtëpi të lumtur.
E shkodranin Gjon Dukgjila kultura shqiptare e tërheq fort.
“Pas disa viteve emigracion jam kthyer në Shqipëri në vitin 2001, duke u betuar se nuk do të largohem më”, ka thënë ai.
Përgjatë gatimeve të tij, ka treguar se është shumë e rëndësishme që përbërësit të jenë nga rrethina, teksa prezantoi ushqimet si e “amla petë” dhe tava e krapit.
“Nëna ime ishte kuzhiniere e mirë dhe jemi 10 vëllezër e motra, e që të gjithë gatuajmë”, ka thënë ai.
E Kosovën, gjegjësisht zonën e Rugovës, e prezantoi kuzhinierja nga fshati Reka e Allagës, Fetije Nikqi.
Ajo që nga viti 2008 punon në shtëpinë e shndërruar në bujtinë.
Nikqi përgatiti speca me mazë, fli dhe hallvë.
“Vizitorët mund t’i shijojnë ushqimet dhe t’i shohin ato derisa përgatiten, po ashtu aktivitetet si mjelja e kafshëve, mbledhja e boronicave, ecja në majën e Hajles”, ka thënë ajo për biznesin e saj.
Kjo ngjarje e cila qe një përfaqësim i kuzhinës tradicionale shqiptare në kuadër të “Dokufestit”, u organizua si ngjarje e veçantë.