Filmat e shkurtër dokumentarë të prodhuar ndër vite nga laboratori për prodhimin e filmit “DokuLab” rikthehen te publiku nëpërmjet programit “DOCS at DokuFest”. Aty përfshihen rreth 150 prodhime filmike që nga viti 2013 dhe shfaqen çdo të enjte, në dy terminë. Por nuk është thjesht një shpalosje filmash, por ajo përcjell edhe rrugëtimin e talenteve të dikurshme, tash emra të njohur të filmit jo vetëm në Kosovë
“DokuLab” – laboratori i prodhimit të filmit në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, ka hapur arkivat për të shpalosur projektet filmike realizuar përgjatë një dekade. Bashkë me idenë për të risjellë te publiku produktet e talenteve të dikurshme, ku disa nga ta tani janë emra të njohur edhe përtej kinematografisë vendore, ka ardhur edhe lansimi i programit “DOCS at DokuFest”, me të cilin vijnë produksione që nga viti 2013.
Filmat dokumentarë të metrazhit të shkurtër shfaqen çdo të enjte në platformën online. “Hu” nga Leart Rama, Lucian Casu, Aleksanda Jovanovska, Leonard Mteo dhe Quentin Laurent qe ai i cili hapi këtë maratonë, në ditën e parë të dhjetorit. Dokumentari është realizuar në teqenë e Prizrenit dhe nëpërmjet tij eksplorohet komuniteti i grupit fetar të dervishëve helveti në një ditë rutinore. Aty paraqitet përditshmëria në teqe që nga mirëmbajtja e objektit fetar e deri te bisedat pas ritualit fetar. Objekti i tyrbes paraqitet si hapësirë shoqërore ku, përveç mbledhjes për kryerjen e riteve fetare, shërben edhe si hapësirë shoqërore, e cila bashkon njerëzit rreth një tryeze për çështje të tjera. Filmi dokumentar paraqet mënyrën e veshjes së dervishëve, respektin që të tjerët në komunitet u ofrojnë dhe këngët që këndojnë së bashku. Pasthirrma “Hu” për zotin është ajo që e shquan ritin dhe prej aty e merr edhe titullin dokumentari.
Të enjten e dytë është shfaqur edhe filmi dokumentar “Zid/Muri” i regjisorit serb Nikola Poliq, i cili ka fituar çmimin për dokumentarin më të mirë në kategorinë “People” në festivalin ruso-serb “12 Spiritual Connections” më 2014. Është xhiruar në fshatin Rubovc të Lipjanit derisa tematika e tij trajton ndërtimin e murit ndarës midis nxënësve shqiptarë dhe serbë në shkollën fillore “Drita” të këtij fshati. Në dokumentar bëhet e ditur se në kohën kur janë kryer xhirimet, në vitin 2012, kishin jetuar 165 serbë dhe rreth 550 shqiptarë. Në fokus vjen muri ndarës i ngritur mes objektit të shkollës në periudhën e pasluftës, të cilit i është shtuar edhe një hyrje me qëllim që ata të mos takohen me njëri-tjetrin me arsyetim për t’i anashkaluar konfliktet mes tyre.
Nxënësit rrëfejnë vështirësitë në procesin e mësimit, si në ngrohje dhe në mungesë të hapësirës për zhvillim të aktiviteteve. Njëra nga mësueset serbe rrëfen se shkolla ka tri klasë me nxënës shqiptarë dhe tri të tjera me serbë. Muri ndarës nuk ishte pritur mirë nga qytetarët dhe mësimdhënësit, rrëfimet e të cilëve janë mbledhur në pikën e përbashkët që nuk ka pasur asnjëherë probleme me bazë etnike. “Muri” rrëfen unitetin e dikurshëm të nxënësve dhe të tashmen ku nuk guxohet depërtimi në pjesën e tjetrit në shkollë.
Eroll Bilibani, drejtor i programit “DokuLab”, ka thënë se rishfaqja e filmave është një mundësi e radhës për publikun që s’i ka parë. Ai ka bërë të ditur se filmat do të vazhdojnë të shfaqen deri në fillim të edicionit të 22-të të “DokuFestit” dhe se do të shpeshtohen me afrimin e tij për shkak të numrit të madh të tyre.
“Thamë se kjo është ide e mirë që të ndiqen filmat e autorëve të rinj, jo vetëm në Kosovë, por më gjerë. Shumica nga ta do të bëhen regjisorë të mëdhenj. E kemi për shembull Norika Sefën, ku filmi i saj është kandidat për çmimin ‘Oscar’ këtë vit. Filmin e parë dhe të dytë e ka bërë në punëtori të ‘DokuFestit’ dhe shumë pak njerëz i kanë parë punët e saj, të cilat e kanë zhvilluar atë si artiste, si regjisore”, ka thënë Bilibani, duke përmendur se filmat do të jepen në dy terminë brenda ditës.
Në ueb-faqen e “DokuFestit” shkruhet se “programi ‘DOCS at DokuFest’ udhëzon dhe inkurajon të rinjtë që të ndërmarrin veprime dhe të jenë agjentë aktivë për ndryshime sociale përmes tregimit dhe krijimit të filmave”.
Ndër filmat që paraqesin retrospektivën e “DokuLab” e që shfaqen çdo të enjte gjatë muajve dhjetor dhe janar janë edhe “Burrë” i Dafina Dakës, “Rrëfimet e Emigrantit” nga Gazmir Lame, “The Bright Side” nga Vlera Dani, “Bushi” me regji të Hana Sedolli dhe Ben Gorani, “Devolucion” i Endri Malokut, “Pa Vlla” i Alba Demirit dhe Genta Sefës.
Shumë nga këta filma kanë qenë produkte të shkollës së filmit “Future is Here”, e cila këtë vit shënon edicionin e 11-të dhe tashmë është në fazën e pranimit të aplikacioneve. Afati është deri më 23 dhjetor. Juria në përbërje nga Eroll Bilibani, drejtor në “DokuLab”, dhe regjisorët Blerta Zeqiri dhe Leart Rama do të përzgjedhin 18 kandidatë për ta ndjekur këtë shkollë, e cila, sipas Bilibanit, do të fillojë nga fundi i janarit. Shkolla e filmit përfshin ligjërata, trajnime, masterklasa, të cilat i paraprijnë xhirimit të filmave dhe hapave të tjerë drejt realizimit për t’u dhënë më pas premierë në edicionin e 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Siç ndodh zakonisht, edhe kësaj here, produktet finale do të jenë dokumentarë të metrazhit të shkurtër, kreativë.