Jo shumë njerëz do të dalin nga kinemaja, pasi ta kenë shikuar adoptimin e Stanley Kubrickut të filmit klasik të Stephen Kingut - “The Shining” – të pushtuar nga dëshira e zjarrtë për të mësuar se çfarë ndodhi me djaloshin në film. Është ky një prej karaktereve që u integrua nga fundi i filmit, duke zënë vend diku midis binjakëve fantazma dhe shtrigës fytyrëfishkur të fshehur në vaskë.
Ama “Doctor Sleep”, vazhdimi i vonuar i “The Shining”, dëshiron që shikuesit të përkujdesen vetë për fatin e djaloshit dhe, befasisht, kjo gjë prodhon sukses. I besueshëm në karakterizime, i pasur me hollësi mitologjike dhe befasisht i sinqertë në trajtimin e problemeve me alkoolizmin dhe traumën, filmi është mbresëlënës në të gjitha aspektet e mundshme, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Por e arritura më e madhe e tij është se e bën “The Shining”-un të duket si një pararendës të vetin që vetëm ofron një sekuencë të shkurtër hyrëse drejt një narrative akoma më të kamur dhe më substanciale.
Është ndryshe prej “The Shining” në pothuajse akëcilën mënyrë. Filmi i Kubrickut i 1980-s kishte të bënte me ëndrrën e mistershme dhe të ethshme të një shkrimtari që zhvillohej brenda një hoteli. Filmi i ri, adoptim i punuar nga shkrimtari-regjisori Mike Flanagan, është aventurë që përfshin mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbulon një periudhë kohore prej afro 40 vjetësh. Nuk e posedon kontrollin mjeshtëror të Kubrickut me stilin dhe atmosferën – por çfarë posedon?
“Doctor Sleep” pikë së pari nuk konceptohet si tradhti e “The Shining”-ut. Kjo pjesërisht ngase është i mbushur me referenca ilustruese për pararendësen, duke nisur prej qilimit me model gjashtëkëndor deri te fakti se numri i shtëpisë së njërit prej karaktereve rastis të jetë 1980. (Për fat të keq, Jack Nicholsoni digjitalisht i rinuar nuk shfaqet). Pra, është një rrëfim që rritet prej farave të mbjella katër dekada më parë.
Prapa në vitin 1980, Danny Torrance paraqitet si një kalama që nget triçiklet dhe gëzon dhunti telepatike apo të ashtuquajturin “shkëlqim” (shining). Ai më pas takohet me një kuzhinier dhe duke e pasur parasysh faktin që edhe është telepatik, logjikshëm mund të supozohet se edhe bukur shumë të tjerë mund ta kenë të këtillë dhunti; E “Doctor Sleep” na tregon pikërisht për këta persona. Andaj logjikshëm supozohet se Danny do të kishte kaluar nëpër vështirësi të mëdha për ta marrë veten prej gjithë atyre që i kishte përjetuar në “The Shining”.
EdheSikurse në adoptimin tjetër të këtij viti të Stephen Kingut – “It: Chapter 2” – filmi argumenton se nëse në fëmijëri e keni një takim me forca okulte vrastare, jo domosdoshmërish do të rriteni për t’u bërë një pjesëtar i shëndoshë i shoqërisë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)