Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit i nxjerr në shesh talentet e reja të Kosovës

Për një orë e gjysmë vajzat katër deri katërmbëdhjetëvjeçare nga pesë shkolla të vallëzimit shfaqën aftësitë e tyre në shënim të 29 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Vallëzimit. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve, teksa hapësira para Teatrit Kombëtar të Kosovës u shndërrua në skenë të artistëve të rinj

Ditë e zakonshme ishte në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kur papritmas një pjesë e tij u shndërrua në skenë vallëzimi. Tingujt e muzikës tërhoqën vëmendjen e jo pak kalimtarëve të cilët aty për aty u bënë publik i performancës së vajzave, të enjten pasdite para Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dy altoparlantë kanë qenë krejt çka u vendos jashtë objektit, shkallët e të cilit me elegancë balerinash i kanë zbritur grupet e vajzave. Të reja në moshë, por jo derisa fillojnë të shfaqin aftësitë dhe talentin e tyre.

Ngjarja e organizuar nga shkolla e vallëzimit “Evolution Dance Kosovo” mblodhi pesë shkolla në ngjarjen që gjallëruan sheshin, kurse argëtim dhe energji dhanë për publikun vajzat balerina e ato të pop-dance. Duartrokitjet dhe brohoritjet shoqëruan pothuajse gjithë performancën e tyre. E gjithë kjo për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, e cila zyrtarisht shënohet më 29 prill.

Shkolla e vallëzimit “Evolucion Dance” është anëtare e “Safe in Dance International”, komunitet ndërkombëtar i vallëzimit që prej vitit 2011, i cili vepron në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë – UNESCO. Prej atëherë, shkolla ka filluar ta festojë këtë ditë.

Image
Prishtina i është bashkuar botës me Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit që sivjet ka dyzetvjetorin

“Jemi mbledhur disa shkolla të vallëzimit për ta festuar Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit. Nga viti 2011, ‘Revolution Dance’ e feston këtë ditë. Këtë vit për të dymbëdhjetën herë me radhë. Kryesisht mblidhemi ne, shkollat e vallëzimit nga fushat e ndryshme si baleti, valle popullore, vallëzime moderne, latine e të tjera dhe performojmë kryesisht në shesh”, ka thënë organizatorja e ngjarjes, Dafina Rudi, e cila njëkohësisht është edhe udhëheqëse e shkollës. Sipas saj, në organizimet e para disa vjetëve pjesëmarrja e publikut ka qenë shumë më e madhe.

Dhjetëra vajza nga katër deri katërmbëdhjetë vjeç për një orë e gjysmë reflektuan plot gjallëri dhe energji te publiku. Ndjekin “Dancing House” nga Gjilani dhe Kamenica, “Evolution Dance”, studio “Mjellmat” dhe studio e baletit “Piruette” nga Prishtina.

Image
Dhjetëra vajza nga katër deri katërmbëdhjetë vjeç për një orë e gjysmë reflektuan plot gjallëri dhe energji te publiku

Për shkak të masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, dy vjetët e kaluar ky aktivitet ishte shfaqur virtualisht. Përveç prezantimit të vallëzimeve, kjo shkollë në vitet 2018 dhe 2019 kishte organizuar dy gara mes nxënësve të shkollave të ciklit fillor, ku pjesëmarrëse ishin pesë shkolla.

Edhe Fëmijët e “Love and dance Prishtina”, të pasionuar pas vallëzimit PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE Fëmijët e “Love and dance Prishtina”, të pasionuar pas vallëzimit

Organizimet e kësaj shkolle për Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit kanë filluar dy ditë para datës që e shënon atë. Të mërkurën mbrëma ka festuar edhe me “natë latine” kur ishte hapur punëtoria për t’ua mësuar të pranishmëve vallëzimin ‘Salsa Rueda de Casino”.

Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit u shpall më 1982 nga Komiteti i Vallëzimit që në kuadër të Institutit Ndërkombëtar të Teatrit, për të festuar çdo vit 29 prillin, përvjetorin e lindjes së themeluesit të baletit modern, balerinit e koreografit francez, Jean-Georges Noverre, (29 prill 1727 – 19 tetor 1810), me qëllim që të vihet në pah diversiteti dhe talenti i balerinëve në të gjithë botën.