Për 16 ditë nga 9 tetori do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Vallëzimit në Tiranë. Organizator është mjeshtri i koreografisë Angjelin Preljocaj. Shqiptaro-francezi Preljocaj nëpërmjet një videomesazhi ka ftuar qytetarët që të mos mungojnë në performancat që do të mbahen gjithandej kryeqytetit shqiptar.
“Këtë vit krahas disa prej shfaqjeve më emocionuese të Evropës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, teatrin ‘Metropol’, Teatrin e Kukullave dhe skena të tjera festivali do të hapet edhe për të gjithë qytetin me një shfaqje të re për publikun falas”, ka treguar ai.
Preljocaj shtoi se së bashku me trupën e tij G.U.I.D do të sjellë vallëzimin pranë njerëzve duke ofruar shfaqje falas në vende të veçanta dhe të papritura në të gjithë Tiranën.
“Ju qytetarët e Tiranës jeni arsyeja pse mund të sjellim kaq shumë jetë, lëvizje dhe gëzim në rrugët tuaja. Këtë tetor le ta mbushim së bashku Tiranën me bukurinë dhe energjinë e vallëzimit”, ka thënë ai në mesazhin e shpërndarë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Angjelin Preljocaj, i lindur në Francë nga prindër shqiptarë, i nisi studimet me baletin klasik, përpara se të merrej me baletin modern duke arritur të interpretonte në skenat botërore.
Koreografia e tij përshkruhet si interpretim i baletit klasik dhe modern. Ai konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Preljocaj iu bashkua Beletit të Operës Nacionale në Paris në vitet ’90. Më 2017 ai mahniti publikun shqiptar në Tiranë e po ashtu në Prishtinë me shfaqjen, “Un trait d’Union”.
Asokohe në një intervistë për KOHËN kishte treguar diçka prerazi: “Baleti mundëson të bëhet lidhshmëria e shpirtit me trupin”. Lidhja e tij me shqiptarët vjen nga prindërit. Ata kishin vendosur të iknin nga Shqipëria komuniste më 1957. U arratisën në kohën kur ata që ziheshin tek linin Shqipërinë dënoheshin rëndë. Dy javë pas arritjes në Paris kishte lindur Preljocaj. Si fëmijë do të niste karrierën prej balerini për t’u bërë alamet artisti.
Temat e tij si koreograf prekin segmente të shumta të jetës. Shquhet për hulumtimet që bën, e gërshetime të shumë zhanreve të artit në vepra koreografike. Është e kuptueshme që ka dallime thelbësore midis baletit klasik dhe atij bashkëkohor por, në anën tjetër, flet edhe për ngjashmëritë.
“Mua më intereson t’i hap fushat e mundësisë së trupit njerëzor. Nëse ka diçka nga kjo tek klasikja, e përfshij tek bashkëkohorja. Por mundësitë më të mëdha të japësh diçka të re janë tek bashkëkohorja”, kishte thotë Preljocaj. Sipas tij, te bashkëkohorja njeriu gjithmonë është në kërkim, kurse klasikja është një gjë e njohur e akademike.
“Në baletin klasik kemi vetëm riprodhime. Unë kam respekt të madh për baletin klasik. Gjuha ime në balet është bashkëkohorja, por nganjëherë integroj edhe pjesë të klasikes”, kishte thënë ai. Disa libra i janë kushtuar veprimtarisë së tij. Edhe shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, ia ka kushtuar një ese të gjatë që është botuar në formë libri, “Kushëriri i engjëjve”. Kadare shkruan se që prej shekujsh janë bërë pyetjet: përse vallëzohet? Ç'i shtyn njerëzit e shekujve, racave, të regjimeve të ndryshme ta bëjnë atë përzgjedhje lëvizjesh, me fjalë të tjera të vallëzojnë? Janë të pakënaqur nga shkronjat dhe i quajnë të pamjaftueshme për të shprehur atë që kanë në shpirt?
“Pa dyshim që është kështu, aq më tepër që njerëzit kanë vazhduar të vallëzojnë edhe pasi janë shpikur shkronjat. Janë të pakënaqur nga ngjyrat dhe tingujt e muzikës dhe i quajnë të paplotë njëlloj si shkronjat? Pa dyshim që është kështu, ndonëse që të dyja, edhe ngjyrat, edhe muzika, janë më të lashta se shkronjat dhe më universale se ato”, shkruan ai në këtë vepër. Flet edhe për historinë e Preljocajt e arratisjen e prindërve të tij.
“Kumti i erdhi foshnjës nga jashtë, në një mënyrë tragjike. Dhe, ndoshta, nëpër të gjitha skenat e botës, ku ai vallëzon ose ndërton spektaklin e vallëzimit, pa e ditur as vetë, s’bën gjë tjetër veçse i bindet atij kumti, domethënë ripërsërit kaosin e asaj nate, atë makth e atë lëvizje misterioze nëpër terr, ku vdekja të ndjek e ti përpiqesh t’i ikësh, për të dalë në zonën e dritës”, shkruan Kadare. Vallja në përgjithësi, shkruan Kadare, me trajtën e saj rrethore përsërit një nga simbolet më të lashta dhe universale të njerëzimit: rrethin, domethënë simbolin e diellit, si edhe lëvizjen e tij në kupën qiellore. Kadare shkruan se vallja, e cila sillet në kah të mbrapshtë, domethënë në anën e kundërt të diellit, nga e majta në të djathtë, si në vazon ilire, do të thotë vdekje.