Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dirigjentja e Orkestrës së FSK-së, brezi i tretë me uniformë

“Atdhedashurinë e kam të trashëguar, nuk ka qenë diçka e imponuar as nga rrethi e as nga familja”, thotë asistent-dirigjentja e Orkestrës Frymore të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kur synonte të bëhej dirigjente, midis ëndrrës për të dirigjuar orkestra botërore dhe Orkestrën e FSK-së, kishte diçka që anonte nga e dyta. Ajo i takon të tretit brez në familjen e saj që vesh uniformë, pas babait e xhaxhait me atë të UÇK-së dhe gjyshit të saj në Luftën e Dytë Botërore

Lirjona Sylejmani e ndien krejt ndryshe të qenit asistent-dirigjente e Orkestrës Frymore të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Sa herë që vesh uniformën, e mban në krah stemën e institucionit më të lartë të sigurisë në vend, përgjegjësia shkon një hap më përpara se krenaria. Kjo për vetë faktin e të qenit brezi i tretë që vesh uniformë ushtarake, pas babait e xhaxhait me atë të UÇK-së dhe gjyshit të saj në Luftën e Dytë Botërore.

“Atdhedashurinë e kam të trashëguar, nuk ka qenë diçka e imponuar as nga rrethi e as nga familja. Rrjedh në gjakun tonë për shkak që qysh nga gjyshi si ushtar i Luftës së Dytë Botërore e deri te babai dhe xhaxhai që kanë qenë ushtarë të UÇK-së, unë e kam pasur fatin ta tregoj patriotizmin duke e gërshetuar me profesionin tim”, thotë ajo. Babai i ka vdekur një ditë para se ajo t’i mbushte një vit. Prej tij i kanë mbetur pas vetëm fjalë të mira të të tjerëve e një fotografi, të cilën e ruan me shumë zell e krenari. Por nga ai ka ruajtur e trashëguar edhe nevojën e kontributit për atdhe. Në kohë paqeje këtë e realizon duke e ushtruar profesionin e dirigjentes, dëshirë që ka jetuar gjatë brenda saj.

Gjithçka kishte nisur para dy vjetëve, atëherë kur aplikoi si 22-vjeçare pak pas diplomimit nga Fakulteti i Arteve.

“Nga momenti kur kam vendosur se dua ta studioj dirigjimin, paralelisht, sa e kam parë veten duke dirigjuar orkestra simfonike botërore, e kam parë veten duke dirigjuar Orkestrën Frymore të ushtrisë së vendit tim. Dëshira dhe ëndrra për të qenë pjesë e saj kanë qenë shumë të mëdha dhe të kamotshme”, tregon Sylejmani, e cila ka dirigjuar edhe në koncertin e përbashkët mes Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Filharmonisë së Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Image
“Çdo paraqitje që unë e kam me uniformë, është paraqitje e veçantë që me padurim e pres dhe e përfundoj me përgjegjësi”

Himni i ëndrrës

Edhe Brezi i tretë i uniformës, dirigjentja Lirjona Sylejmani EXPRESS Brezi i tretë i uniformës, dirigjentja Lirjona Sylejmani

Për të marshi i FSK-së kishte qenë himn në një trajtë tjetër. Ajo rrëfen se e ka dëgjuar me vite të tëra dhe me plot admirim i ka ndjekur paradat e paraqitjet në raste festash, gjithmonë duke ëndërruar që një ditë të jetë koka që i drejton instrumentistët e Orkestrës.

“Marshi i FSK-së që është edhe himn i yni është marsh që unë e kam dëgjuar pa qenë pjesë e FSK-së, kur e kam parë paradën dhe e kam dëgjuar atë marsh për qejf kur kam qenë në shtëpi, e kam imagjinuar veten si dirigjente e FSK-së”, tregon profesoresha e lëndës së dirigjimit në shkollat e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë dhe në “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

E një moment ajo kishte vendosur që ta përjetonte ditën kur thotë se është ndier shumë e lumtur dhe e përmbushur. “Krenare që po e kam mundësinë e fatin të jem pjesë e asaj ceremonie”, thotë ajo. Kanë qenë emocione të përziera nga momenti kur u hap vendi për asistent-dirigjente në Orkestrën Frymore.

“Ka qenë një dëshirë e jashtëzakonshme me qenë pjesë e kësaj orkestre, ku sfidat emocionale kanë filluar qysh prej momentit të parë kur kam aplikuar, kur e kam mbajtur intervistën e deri kur jam përzgjedhur, pastaj deri te trajnimi intensiv që e kemi mbajtur këtu në kazermë, që e kemi mbajtur nga trajneri ynë Shkumbini, ku jemi trajnuar që të jemi sa më të gatshëm”, rrëfen tutje ajo me sytë që i shkëlqejnë teksa kthehet prapa në kohë.

Ajo e cilëson veten me fat që është pjesë e këtij institucioni, teksa edhe tregon për ditën që është ndier më e përmbushur se çdoherë tjetër.

Image

Lirjona Sylejmani, në koncertin e përbashkët të Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Filharmonisë së Kosovës në nëntor të vitit të kaluar

Image

“Ndjenja e lumturisë, krenarisë, përgjegjësisë, stresit kanë qenë të vazhdueshme, mirëpo në momentin kur e kemi bërë betimin si ushtar, mund të them që ka qenë ndër ditët më të lumtura të jetës sime, e deri në paradë ku emocioni fillon nga momenti i veshjes së uniformës, ecjes, përgatitjes dhe paraqitjes në paradë”, tregon tutje Sylejmani.

E re në moshë, me përgjegjësinë e prejardhjes familjare dhe papërvojën në një institucion kaq serioz, ajo nisi rrugëtimin, i cili vazhdon ende t’i falë emocione të pashtershme.

“Momenti stresues ka qenë hera e parë kur kam ardhur në prova, në moshë shumë e re në profesion, e sapodiplomuar, ndoshta për shkak të përvojës së shkurtër e kam pasur frikën se si do të pritem unë përballë kësaj orkestre me plot profesionistë. Stres i cili ka zgjatur shumë pak, deri në momentin kur kam dalë para tyre, ata ma kanë dhënë mikpritjen e tyre”, tregon ajo. Çmon bashkëpunimin me komandantin Shkumbin Bajraktari, dirigjentët Baki Jashari e Hajrullah Syla.

Edhe “Frymë” në kapitullin e radhës pushton edhe Vitinë Kulturë “Frymë” në kapitullin e radhës pushton edhe Vitinë

Sipas saj, përgjegjësia e të qenit dirigjente është shumë e madhe, mirëpo në një Orkestër siç e cilëson ajo, “kaq profesionale që e posedon FSK-ja” ka qenë më e lehtë sesa që e ka paramenduar.

Kur pyetet se cila është performanca e saj që e do më së shumti, nuk mund të veçoj ndonjë për shkak se, sipas saj, që nga e para e deri tek e fundit, secila ka veçantinë e vet.

“Çdo paraqitje që unë e kam me uniformë, është paraqitje e veçantë që me padurim e pres dhe e përfundoj me përgjegjësi. Çdoherë që e vesh uniformën përmban rrëfime të cilat më kanë rritur e përcjellë gjatë gjithë jetës. Sa herë e veshi, janë ndjenjat që them: ‘Më në fund edhe unë e kam veshur’”, rrëfen Sylejmani.

Dy gjëra të cilat i do më së shumti janë muzika dhe atdheu. Të dyja thotë se i janë bashkuar në një vend. “E ushtroj profesionin, duke e mbajtur uniformën me nder dhe krenari”, thotë ajo.

Për të nuk ka stres në punë. Vështirësi e përgjegjësi, ndoshta me raste. Njëra nga to janë ceremonitë protokollare në nderim të ardhjes së krerëve të huaj në vend.

Image
Babai i Lirjona Sylejmanit, ushtar i UÇK-së, qe ai prej të cilit ka trashëguar atdhedashurinë. Ai vdiq një ditë para se ajo t’i mbushte një vit. Prej tij i kanë mbetur pas vetëm fjalë të mira të të tjerëve e një fotografi, të cilën e ruan me shumë zell e krenari

Pasqyra e parë

“Ne si Orkestër e FSK-së jemi personat e parë që ata na shohin. Është pak stresuese pjesa kur ke përgjegjësi kaq të madhe. Jemi krenarë që jemi fytyrat që ministrat, kryeministrat shohin për herë të parë kur vijnë në Kosovë”, thotë ajo, teksa kur pyetet për përshtypjet që merr nga të tjerët, shton: “Çka na bën të ndihemi shumë rehat është pjesa e qytetarëve që na shohin aq ëmbël e me aq krenari në parada e paraqitje. Shumë shpesh pas paraqitjeve tona marrim lëvdata, duke filluar nga Ministria e Mbrojtjes, që na tregojnë sa krenar janë me ne”.

Edhe Orkestra Frymore e FSK-së dhe Filharmonia me premiera e kapitull të ri Kulturë Orkestra Frymore e FSK-së dhe Filharmonia me premiera e kapitull të ri

Teksa përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës shtohen e vitet ecin, mornicat që ia përshkruajnë trupin sa herë që dirigjon në data të shënuara vazhdojnë të mbesin të pandryshueshme.

“Dirigjimi i himnit shtetëror është ndjesi më vete, sidomos në data si 17 Shkurti e 28 Nëntori e kanë peshën edhe më të rëndë. Dirigjimi në një Orkestër të tillë është kënaqësi, ku Orkestra është e FSK-së, e ushtrisë së vendit tim, e ka peshën e rëndë dhe të veçantë e që neve na përmbush”, thotë ajo.