Se për herë të parë Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbajtur një koncert vetëm për publikun e pa ndonjë arsye të veçantë a detyrim shtetëror, ka qenë vetëm një detaj. Ka bashkuar forcat me Orkestrën Frymore të Filharmonisë së Kosovës duke sjellë një program premierash. Por harmonia që kanë gjetur në debutim në koncert të përbashkët është pikënisja e një kapitulli të ri bashkëpunimesh. Pos programit unik që kanë sjellë, koncerti vjen si dëshmi profesionalizmi, që duhet të shpaloset jo vetëm me turne nëpër vend, por edhe në rajon
Muzikantët e koncertit që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në shikim të parë dallojnë veç nga veshja. Dikush qe me uniformë ushtarake e dikush me të zeza. Kështu tregojnë se i përkasin Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës ose asaj të Filharmonisë. Në të dëgjuar, loja e tyre mjeshtërore e zhvillimi akademik që kanë marrë në këtë drejtim bënë që të tingëllojnë si një trupë e vetme, ani pse ky ishte prezantimi i tyre i parë i përbashkët.
Nën drejtimin e tre dirigjentëve, Baki Jasharit, Lirjona Sylejmanit dhe Hajrullah Sylës, të enjten mbrëma u interpretuan vepra bashkëkohore, që nuk janë dëgjuar më parë në Kosovë. Në program kanë qenë vepra nga Franck Erickson, Jan van der Roost, Samuel R. Hazo, Jacob de Haan dhe Klaus Badelt.
Dirigjentja Lirjona Sylejmani ka thënë se ky koncert ishte i veçantë pasi që për herë të parë Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbajtur një koncert vetëm për publikun e pa ndonjë arsye të veçantë a detyrim shtetëror.
“Për mua ka qenë një kënaqësi shumë e madhe. Pas një pune të gjatë që kemi bërë me prova erdhi edhe dita e koncertit, ku jemi kënaqur që të gjithë; ne dirigjentet, Orkestra dhe, siç e pamë e siç u duk, edhe publiku, gjë që është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Sylejmani.
Sipas saj, të gjithë janë instrumentistë të diplomuar me përvojë dhe ka qenë kënaqësi e madhe që si dirigjente e re të bashkëpunojë me instrumentistë kaq të zotë.
“Puna nuk ka qenë e vështirë, sigurisht jemi lodhur që të gjithë, mirëpo edhe gjatë provave kemi kaluar shumë mirë dhe besoj që ajo energji është shprehur edhe gjatë koncertit”, ka thënë ajo.
Të tetë veprat e ekzekutuara ishin premierë dhe arritën të krijonin një afërsi mes muzikantëve e publikut. Një dëshmi se programe të tilla më relaksuese komunikojnë mjaft mirë me audiencën. Madje, ndonjëherë janë edhe të nevojshme për të kapërcyer përtej klasikes, që mbizotëron në programin e Filharmonisë së Kosovës e për t’u ndalur edhe te kolona zanore e filmave si ajo e “Piratet e Karaibeve”.
Në rolin e solistëve u paraqitën Betim Krasniqi në trombon në interpretim të “Koncert për trombon dhe orkestër frymore” nga Nikolai Rimsky-Korsakov në orkestrim të Clark McAlister, nën dirigjim të Baki Jasharit dhe Avni Krasniqit, në trumbetë në interpretim të Adagio nga “Concierto de Aranujez” të Joaquin Rodrigo, nën dirigjim të Lirjona Sylejmanit. Programi i ka bërë për vete edhe muzikantët.

Një nga solistët e mbrëmjes, trumbetisiti Avni Krasniqi, ka thënë se puna e bërë nga tre dirigjentët dhe veprat e përzgjedhura i kanë dhënë finesë kësaj mbrëmjeje mjaft ngazëlluese për instrumentistët e dy trupave.
“Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe fakti se kam luajtur solo me këta muzikantë fantastikë që i kam pasur mbrapa, gjithë këtë orkestër të madhe që ka qenë e përbërë nga bashkimi i dy institucioneve shumë të rëndësishme muzikore, të themi më të rëndësishmet në vendin tonë”, ka thënë ai, gjersa ka treguar se edhe publiku u ka dhënë përshtypjen se i ka pëlqyer programi. “E ne që kemi qenë atje e kemi pasur një ndjenjë të veçantë”, ka shtuar ai.
Profesionalizmi i treguar nga të dyja trupat i ka lënë përshtypje dirigjentit Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë, i cili ka kohë që bashkëpunon me FSK-në. Sipas tij, ky koncert ishte një lajmëtar se mes këtyre dy trupave do të ketë bashkëpunime edhe në të ardhmen.
“Kemi sjellë një program krejtësisht origjinal, me vepra që janë të shkruar pikërisht për këtë formacion. I gjithë programi ka qenë premierë, diçka që nuk është dëgjuar më parë asnjëherë. Unë ka prej mbas luftës që e përcjelli, pra ka 20 vjet që ne nuk kemi pasur kësi lloj muzike. Besoj se ky do të jetë një prej koncerteve të një serie, sigurisht të radhës së koncerteve të tilla jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, ka thënë ai.
Madje ka shtuar se në të ardhmen duhet menduar edhe për turne jashtë vendit e pjesëmarrje në aktivitete të tjera.
“Për dallim prej orkestrave ushtarake të rajonit e më gjerë ku ato janë gjysmamatore, ne të gjithë jemi profesionistë, andaj niveli i startit është mjaft i lartë dhe ky program i sotëm ka qenë shumë logjik dhe besoj që kjo do të vazhdojë edhe me programe më ambicioze në të ardhmen”, ka thënë ai.
Koncerti u përmbyll me “Mambo” nga mjuzikli “West Side Story” nga Leonard Bernstein e në orkestrim të Michael Sweeneyt nën dirigjimin e Hajrullah Sylës.
Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës është themeluar në vitin 2003 në kuadër të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Pas transformimit në FSK, Orkestra Frymore filloi të veprojë në Togun ceremonial të Komandës së Forcave Tokësore (KFT) me kapacitete të plota profesionale me gjithsej 36 muzikantë. Koncerti i përbashkët debutues u mbajt në kuadër të sezonit artistik të Filharmonisë për vitin 2021/2022.