“Si n’vendin tim kund nuk ka” ka jehuar në fund të koncertit të Filharmonisë së Kosovës të hënën mbrëma në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës teksa kanë shpërthyer në ajër letrat vezulluese me ngjyrat e flamurit. Ky ka qenë mesazhi kulmor, të cilit i ka paraprirë një rrugëtim premierash nga kompozitorë vendorë, që nëpërmjet tingujve përthekojnë historinë e vendit. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, lojës mjeshtërore të Shkëlzen Baftiarit në piano, e interpretimit mahnitës të mexosopranos Flaka Goranci, prej premierave të Mark Kaçinarit, tek ajo e Blond Krasniqit, Liburn Jupollit e Korab Shaqirit, janë hapur kapituj epokash e ngjarjesh që rrëfehen nëpërmjet tingujve
Me vepra që kthejnë në peizazhet e luftës, në tragjeditë e familjeve shqiptare si dhe që sjellin traditën muzikore klasike të vendit, Filharmonia e Kosovës ka festuar përvjetorin e 17-të të Pavarësisë. Koncerti tradicional që vjen çdo vit në datën historike të vendit, ka sjellë në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, repertor kuptimplotë e përplot mesazhe. I fundit, i përcjellë nga rreth 120 interpretues në skenë, ka qenë ai për dashurinë ndaj vendit.
Me vepra të reja, por me kushtet e vjetra, Filharmonia e Kosovës shfaqi madhështinë e institucionit në datën historike. Pos profesionalizmit të muzikantëve që dëshmohet në secilin koncert të institucionit, kësaj here u dëshmua edhe potenciali i kompozitorëve të rinj të vendit. Tri vepra u interpretuan premierë, bashkë me atë të Mark Kaçinarit.
Ndryshe nga veprat të cilat publiku i ka dëgjuar për të parën herë, publiku e njeh kaherë çdo cep të sallës. Për një formalitet ku ata që performojnë paraqiten nga prapaskena, anëtarëve të Filharmonisë iu desh të parakalojnë publikun nga dera kryesore e drejt në skenë. Po kjo sallë është dëshmia se edhe zhvendosja aty nga një sallë më e vogël, prapë nuk akomodon krejt publikun e muzikës klasike. Të gjitha ulëset e renditura në dy anë të skenës kanë qenë të zëna ndërsa ka qenë i mbyllur korridori sipër sallës për publikun. Në Atelie, kjo hapësirë ka qenë përherë alternativa e pjesës që mbesin në këmbë.
Dhjetë minuta prej kohës së paraparë për të nisur koncerti, anëtarët e Filharmonisë së Kosovës kanë nisur të pozicionohen në vendet e tyre. Kjo, vetëm pas ardhjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. I pranishëm ka qenë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Koncerti qe më solemn se zakonisht. Krejt në fillim u interpretua himni i Kosovës, vepër e kompozitorit Mendi Mengjiqi. Udhëhequr nga dirigjenti Baki Jashari, pjesa artistike ka nisur me “Suitë ilire” të Mark Kaçinarit. Vepra u luajt premierë me rastin e 90-vjetorit të lindjes së kompozitorit të ndjerë.
Harmonia e melodive me elemente tradicionale është tema e parë e veprës. Një tjetër melankolike hapet, e më pas sjell tema lirike. Janë tingujt stoikë të klarinetës solo të përcjella nga tupani, që më pas përcillet edhe te formacioni i frymorëve. Dajrja ia shton elementet tradicionale, ndërsa shkon duke arritur kulmin e saj.
Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari, që ka qenë në krye të këtij koncerti, ka thënë se kjo vepër, ka qenë një nga katër premierat që janë veçantia e koncertit.
“Vit pas viti, fizionomia e programit ka pësuar ndryshime, por kësaj radhe veçanti e programit kanë qenë veprat premierë të kompozitorëve kosovarë, duke u nisur nga Mark Kaçinari i ndjerë me ‘Suitë ilire’ që ishte premierë, orkestruar nga kompozitori Krist Lekaj”, ka thënë Jashari.
Secila vepër ka sjellë frymë unike. Kapitulli i radhës ka qenë vepra “Fantazi për piano dhe orkestër” e Blond Krasniqit ku solist ka qenë pianisti Shkëlzen Baftiari. Loja e tij e shkurtër solo është introja e veprës. Është hyrje e furishme që shkon duke u shuar dhe përsëritet vazhdimisht. Në këtë vepër moderne, vendosja e tingujve të pianos tingëllon në frymën e jazzit dhe komunikon bukur me harpën. Nëpër partitura shpesh luajnë vetëm grupe të veçanta të instrumentistëve. Dinamika e vazhdueshme dhe e përsëritshme i bën krejt bashkë në tingull. Të çakorduar janë tingujt e ksilofonit. Çakordohet edhe ritmi në momentin kur vepra arrin pikën më serioze të saj.

Autori i kësaj vepre, Blond Krasniqi, ka bërë të ditur se është një lajtmotiv në fillim që zhvillohet gjatë tërë veprës.
“Veprën e kam shkruar gjatë viteve 2017-2018, pra dy vjet me punë intensive, shumë të mundimshme. Për nga forma është ‘Fantazi për piano dhe orkestër’, pra rolin kryesor e ka pianisti”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se vepra është ekzekutuar mrekullueshëm.
“Kam qenë edhe në prova, më ka pëlqyer shumë. Fillimisht e përgëzoj pianistin Shkëlzen Baftiari, dirigjentin Baki Jashari dhe gjithë Filharmoninë. Nuk e kam pritur një interpretim kaq të mirë”, është shprehur ai.
Në interpretimin e kësaj vepre, Baftiari ka interpretuar si solist me Orkestrën, pas tetë vjetësh. Në vitin 2017 qe solist në mbyllje të festivalit “Chopin Piano Fest” që tashmë tradicionalisht, koncertin e fundit e realizon në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Po atë vit, në muajin nëntor, me institucionin muzikor pati performuar në shënim të festave të nëntorit.
Sipas pianistit nga Maqedonia e Veriut, autori i veprës ka treguar pjekuri muzikore në të.
“Kur e ka shkruar këtë vepër Blondi, ka qenë student, mirëpo tregon pjekuri të madhe në vepër, tregon muzikalitet të madh. Vepra për piano është sfiduese, mirëpo ai vetë ka luajtur edhe në piano dhe është e përshtatshme për dorën, ndonëse shumë e vështirë. Për një pianist mësohet lehtë dhe është kënaqësi të luhet. Gjithashtu edhe pjesa e orkestrës është shkruar në mënyrë të bukur, perfekte”, ka thënë Baftiari.
Ai ka marrë pjesë në shumë koncerte në Maqedoni dhe jashtë saj. Përveç kësaj, ai është edhe fitues i shumë garave kombëtare dhe ndërkombëtare. Disa prej tyre përfshijnë: çmimin e parë në Blagoevgrad në Bullgari, Laureat në Konkursin Ndërkombëtar “Valentino Bucchi” në Romë, çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Nikolai Rubinstein” në Paris, çmimin e dytë në Torino të Italisë, çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar “Schumandi” në Bullgari. Në prill të vitit 2007 ishte fitues i çmimit special të parë në konkursin e Republikës së Maqedonisë.

Dirigjenti Baki Jashari, derisa e ka vlerësuar këtë vepër, ka thënë ky nuk do të jetë interpretimi i fundit.
“Një vepër jashtëzakonisht e fuqishme artistike dhe unë mendoj se kjo vepër premierë sonte nuk do të jetë hera e fundit që do ta dëgjojmë. Sigurisht se Filharmonia e Kosovës do ta ketë në program edhe në koncertet në vazhdim”, është shprehur Jashari.
Poema simfonike “Mizer - Reçak” e Liburn Jupollit, ka qenë po ashtu premierë. Tema e parë e veprës me titull “Rrethimi në mëngjes” sjell një situatë përplot tension në të cilën përmenden emra viktimash që me zë e tinguj sjellin imazhet e rënieve të njëpasnjëshme. Të pandalshme janë edhe sulmet që ilustrohen me tingujt e fuqishëm të tupanëve në pjesën muzikore të cilën kompozitori Jupolli e ka emërtuar “Granatimet dhe bastisjet”.
Te “Ekzekutimi i Banushit”, me simfoninë e tingujve vijnë imazhet e aktit makabër. Pas një zhurme tronditëse, vjen qetësia. E më pas tingujt flasin për dhimbjen që secilën herë rëndohet. Ngjan si një lloj heroizmi për të rënët kur Kori përsërit emrat e viktimave të Masakrës së Reçakut. Intonacioni i zërit ngjan si simbolikë e folklorizmave në rastin e luftës në Kosovë, por në veprën e Jupollit përmbysen në fund dhe janë kontrasti maksimal me dhimbjen. “Shkatërrimi i fshatit dhe shtëpia e Sadik Osmanit”, “Kolona tragjike” dhe “Masakra te gropa e Bebushit” kanë qenë emërtimet e pjesëve të fundit të veprës “Mizer - Reçak”.
Ka qenë jashtëzakonisht emocionale. Dirigjenti Jashari ka thënë se me këtë vepër, në koncert festiv, janë përkujtuar viktimat e luftës.
“E fuqishme ishte vepra ‘Mizer – Reçak’ e Liburn Jupollit ku natyrisht nuk ka qenë e zakonshme që në koncertet ku ne festojmë me muzikë festive, të kemi një vepër dramatike që përshkruan tmerrin e Masakrës së Reçakut, ku Kori i Filhrmonisë e ka rolin në shqiptimin e të gjithë emrave të të rënëve aty dhe kjo natyrisht e bën shumë prekëse. Do të thotë që edhe pse ne festojmë Pavarësinë dhe ndiejmë gëzim e krenari, natyrisht asnjëherë nuk mund t’i harrojmë edhe viktimat përgjatë historisë sonë.
Andaj edhe kjo vepër e gjeti vendin këtu dhe e ndryshoi fizionominë e programit”, ka thënë ai.
“Dies Irae” nga “Messa da Requiem” e Giuseppe Verdit, ka qenë po ashtu një lloj homazhi për viktimat. Pjesë tejet e fuqishme korale, himn i repertorit sakral dhe një nga meloditë më të famshme të këndimit të këtij lloji.
Një tjetër imazh i krijimit të muzikës klasike nga kompozitorët vendorë ka qenë edhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri, që ka qenë premierë tjetër e këtij koncerti. Në veprën për soliste, kor dhe orkestër, mexosopranoja Flaka Goranci i ka dhënë emocion të veçantë rrëfimit të saj. Me tekst të Ilir Shaqirit, vepra trajton tragjedinë në një dasmë shqiptare.
Pjesa korale e paraprin interpretimin e solistes që vjen thellësisht emocional, si vajtim. Pjesa muzikore nuk është e ngarkuar, duke i lënë hapësirë të dëgjohen madje edhe pëshpëritjet e Korit që sjellin një lloj dhimbjeje të pashprehur. Me ksilofon nostalgjia bëhet më e shprehur.
“Intro, Ninulla”, “Lufta”, “Balada” e “Elegjia” janë emërtimet e pjesëve që luhen pa ndërprerje. “Drama” e bën veprën të kulmojë ndërsa te “Pastorale, Dasma” janë ritmet tradicionale harmonike të gëzuara. Më pas vijon balada e elegjia melankolike.

Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari e konsideron temën e veprës si pjesë të historisë shqiptare.
“Një kantatë shumë interesante, e cila buron nga tradita e muzikës shqiptare nga karakteristikat që e veçojnë popullin tonë nga popuj të tjerë. Solistja Flaka Goranci shkëlqyeshëm e luajti rolin e motrës e cila natyrisht e vajton vëllain për shkak të tragjedisë që ndodh pikërisht në ditën e martesës. Edhe kjo tematikë historike bën pjesë në bagazhin e zhvillimeve tona, traditave”, është shprehur ai derisa ka folur për veprën “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri.
“Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi” të Rashid Krasniqit, e ka përmbyllur koncertin.
“Koncerti u mbyll me veprën ‘O vendi im’ që është një vepër që në fund na përkujtoi pse jemi mbledhur: që ta duam vendin tonë, të punojmë për të dhe se më të bukur se vendi ynë nuk ka. Andaj, ky ishte edhe mesazhi me të cilin Filharmonia e përfundoi këtë koncert”, ka thënë dirigjenti Baki Jashari për këtë vepër.
Ai ka konsideruar se ky ka qenë koncerti i parë për nder të Pavarësisë së Kosovës ku ka pasur një program shumë më artistik, më domethënës dhe me më shumë mesazhe. E ka vlerësuar potencialin e kompozitorëve vendorë.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i befasuar me idetë e tyre, njohurinë e orkestracionit, formës muzikore dhe para së gjithash, ideve që kanë. Janë jashtëzakonisht kreativë dhe është kënaqësi t’i kemi. Konsideroj se Filharmonia e ka obligim t’i stimulojë ata dhe të kemi sa më shumë vepra të tyre në programet tona”, ka vlerësuar Jashari.
Shpërthimi i letrave vezulluese me ngjyrat e flamurit të Kosovës ka qenë shenja e fundit e koncertit. As nuk qenë më madhështore se tingulli e vargu i fundit që u interpretua e as nuk i zbehin dot kushtet e dobëta në të cilat Filharmonia e Kosovës vepron tash e 17 vjet shtet, e që përherë vulos secilën festë a datë historike.