Shtëpia e kulturës në qytetin e Vitisë është kthyer në sallë koncertale për më shumë se një orë. Publiku nisi të zërë vend gjysmë ore para se të jepej shenja e fillimit të koncertit. Hapësira gjallërohet gradualisht derisa tingujt që rrjedhin nga testimet finale të formacionit trazohen me zërat e publikut. “Frymë” nga “Filharmonia e Kosovës në lëvizje” ka shpalosur kapitullin e radhës
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka frymuar për herë të parë edhe në qytetin e Vitisë. Paleta muzikore e shpalosur mjeshtërisht nga anëtarët e saj nën drejtimin e tre dirigjentëve ka qenë ndërthurje e zhanreve të muzikës. Ritme valsi, rock, orientale e moderne kanë mbërthyer shtëpinë e kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” me koncertin e serisë “Frymë”. E ka bërë këtë të premten mbrëma, një natë pas Kamenicës prej ku ka nisur për sivjet “Filharmonia në lëvizje”, siç titullohet nisma që e çon institucionin me të lartë të muzikës nëpër qytete të ndryshme.
I veçantë ka qenë interpretimi i perlave shqiptare dhe përshtatja e tyre në versionin e instrumenteve frymore. Vitia e Kamenica nuk do të jenë qytetet e vetme në të cilat Filharmonia e Kosovës ka koncertuar për herë të parë, pasi organizatorët kanë paralajmëruar se programi i tyre do të zgjerohet edhe në qendra të tjera.
Shtëpia e kulturës në qytetin e Vitisë është kthyer në sallë koncertale për më shumë se një orë. Publiku nisi të zërë vend gjysmë ore para se të jepej shenja e fillimit të koncertit. Hapësira gjallërohet gradualisht derisa tingujt që rrjedhin nga testimet finale të formacionit trazohen me zërat e publikut. Entuziazmi i tyre dëshmohet edhe te notat e ulëta të veprave. E premtja e 20 janarit ka qenë datë e shënuar për dashamirët e muzikës klasike në Viti, e cila do mbahet mend gjatë për interpretimin mjeshtëror të formacionit në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” të nisur vitin e kaluar.
Me ngrohtësinë e publikut u pritën anëtarët e Orkestrës së Filharmonisë. Dirigjentja Lirjona Sylejmani, menjëherë pas tyre. Siç nuk ndodh në koncertet e Filharmonisë – që interpretuesit t’i drejtohen publikut – një vendase e tyre konsideroi se ua ka borxh. Shtëpia e Kulturës nuk ka pasur kurrë hare për Lirjona Sylejmanin, e cila e kishte vizituar atë çdo 28 shtator, datë që shënon rënien heroike të babait të saj dëshmor, Bajram Sylejmanit, xhaxhait të saj, Gursel Sylejmani. Paraqitja në skenë për të shënuar interpretimin e parë në qytetin e saj i ka kthyer në mendje luftën me dhimbjen e mungesën, por edhe krenarinë, nga rendi i parë i ulëseve të publikut.

“Kam qenë me ndjenja të përziera si çdoherë kur jam në këtë sallë, edhe në ato fjalët e pakta para koncertit që këtë herë shpresoj që kujtimeve të mia pikërisht ky koncert do t’u shtojë shije tjetër kësaj salle. Si çdoherë tjetër, edhe këtë herë natyrisht se jam krenare se e bija dhe mbesa e kujt jam, por shpresoj që të paktën familjen t’i kem bërë krenarë”, ka thënë Lirjona Sylejmani për KOHËN.
Drejtimi i formacionit në institucionin që mban emrin e babait dhe xhaxhait të saj do të synonte të merrte kahe tjetër në raportin e saj me hapësirën.
“Kjo shtëpi e kulturës ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe, por shija e kujtimeve të mia nuk është aq e mirë”, është shprehur dirigjentja Sylejmani para masës, ku kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të familjes së saj. Vëllezërit Bajram e Gursel Sylejmani u vranë në fushëbetejë me forcat serbe më 28 shtator 1998 në Jezerc të Ferizajt.
Duke lënë emocionet anash për t’u futur në botën shumëngjyrëshe të ritmit të muzikës, me shkopin e drejtuar nga formacioni, ka dhënë shenjë për të nisur interpretimi i “Oregon” të kompozitorit holandez Jacob de Haan. Ka nisur lehtas, por ka gjetur ritmin harmonik duke u kombinuar, pos frymorëve, me tinguj ksilofoni dhe tupani. Kolona zanore e filmit “Pirates of the Caribbean” kompozim i gjermanit Klaus Badelt ka filluar si pjesë melankolike që sa shkon e bëhet më dinamike. Ka qenë edhe interpretim temperament i gërshetuar mes emocionales e dinamikës.

Orkestrën frymore e kanë drejtuar edhe ndihmësdirigjenti i Filharmonisë, Hajrullah Syla, dhe drejtori, Baki Jashari, i cili është pozicionuar para formacionit për t’u dhënë instruksione në interpretim të “Fanfare Nueve” të amerikanit John Fannin. Tingujt e ksilofonit kanë qenë më dominues për dallim nga pjesët e tjera të interpretuara, në përcjellje edhe të atyre të trumbetave bashkë me shuplakat e disa anëtarëve të formacionit. Flautet kanë qenë instrumenti më i dëgjuar në “Arabesque” të amerikanit tjetër Samuel R. Hazo. Interpretimi i nisur me vetëm një flaut sa shkonte e jehonte më shumë në gjithë hapësirën me inkuadrimin e instrumenteve që ngërthejnë ansambël tingujsh, përfshirë ata të tupanit. Disa klarinetistë kanë përcjellë ritmin me shuplaka.
Ngjyrat e vallëzimit latin janë sjellë para publikut në Viti nëpërmjet “Danzon nr.2” të meksikanit Arturo Marquez si përcjellje e harmonisë mes instrumenteve.
“Është ndjenjë e veçantë në secilin vend ku interpretojmë, pasi po shkojmë në vendet ku nuk kemi interpretuar më herët. Edhe në Kamenicë kemi kaluar shumë mirë, na kanë pritur shumë mirë, publiku ka qenë shumë entuziast për programin, pasi është shumë i kapshëm”, ka thënë dirigjentja Sylejmani.
Pos veprave të kompozitorëve botërorë, perlat e muzikës shqiptare e kanë shumëfishuar entuziazmin e publikut, që dukshëm është vërejtur sa e kanë gjetur titullin e këngëve qysh në interpretim të notave të para. Ka nisur me këngën shkodrane “Pranvera filloi me ardhë” të aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj, pjesë të cilën e ka bërë përrallor interpretimi në flaut. Përpunimi klasik i këngës popullore “Hapi sytë e zezë” ka sjellë ritmin e këngës tipike qytetare me aranzhim të Avni Krasniqit. Meloditë e secilës pjesë në versionin klasik të këngës shqiptare vijnë familjare për publikun. I tillë ka qenë interpretimi i këngës “Mallëngjimi”, e cila është përcjellë me vokal nga tenori Liridon Sadriu.

Laramani e programit është vërejtur jo veç në gërshetimin e zhanreve midis veprave botërore e shqiptare, por edhe në përfshirjen e solistëve.
Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se formacioni është përzgjedhur duke marrë parasysh kapacitetin e sallave për interpretim.
“Është përvojë për të parën herë dhe nuk e dimë se si do të pranohet Filharmonia e Kosovës, megjithatë e ka programin më të veçantë muzikor dhe gjithmonë ekziston dyshimi se a do të mund të komunikojmë. U vërejt nga duartrokitjet e shumta pas çdo interpretimi, reagimi shumë pozitiv dhe kjo na jep më shumë kurajë të vazhdojmë”, është shprehur Jashari. Koncerti “Frymë” me formacionin dhe programin e njëjtë ishte mbajtur edhe në Obiliq në nëntorin e kaluar.
Magji mbi këngën “Agimet Shqiptare” të Avni Mula ka hedhur Adelina Paloja me vokalin e saj në pjesën tejet emocionuese. Ndërkohë instrumentali i këngës “Baresha”, kompozuar nga Rexho Mulliqi dhe kënduar nga Nexhmije Pagarusha, është dëshmuar si himn i këngës shqiptare çdoherë që notat e saj kanë kumbuar në koncertet e Filharmonisë. Gjatë kësaj vepre, barrën kryesore në interpretim e pati klarinetisti Shkumbin Bajraktari. Entuziazëm i jashtëzakonshëm ishte shfaqur te publiku edhe në koncertin festiv të Filharmonisë, ku “Bareshën” e kishte interpretuar violinistja Sihana Badivuku.
“Filharmonia në lëvizje” synon qendra të tjera. Drejtori Baki Jashari ka paralajmëruar se destinacion i radhës i Filharmonisë do të jetë Vushtrria e më pas qytete të tjera, si Istogu, Hani i Elezit, Podujeva e Kaçaniku. “Nga bota e re” do të jetë koncerti i radhës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë më 29 janar, ku do të interpretohen veprat e Antonin Dvorak, Joaquin Rodrigo dhe Kreshnik Aliçkaj. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, e formacionit do t’i bashkohet maestroja në kitarë, Petrit Çeku.