Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës dhe përfaqësues të Komunës së Prishtinës e komunitetit artistik, mbajtën debat për sallën koncertale. Gjatë debatit të mbajtur pas publikimit të marrjes së vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, për shpronësimin e ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Gërmia”, u diskutua për mundësinë e përshtatjes së kësaj ndërtese në sallë koncertale sikurse edhe për lokacione tjera të mundshme.
Yll Rugova, drejtor i Kulturës, Rinisë e Sportit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se edhe vet ndodhet në dilemë lidhur me çështjen e ndërtesës, raporton “Koha Ditore”.
“Prandaj po më duket që një diskutim i tillë është shumë i rëndësishëm. Kisha dashur të them që në këtë pikë është me rëndësi sesi komuniteti i arkitektëve e jep një opinion në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Në emër të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, Arianit Loxha ka thënë se kjo është hera e parë që një organizatë profesionale i jep ndihmë Komunës së Prishtinës lidhur me një çështje të tillë.
“Ne kemi mandat me Komunën t’ju ofrojmë terma të referencës dhe programin për një hartim të suksesshëm”, ka thënë Loxha, i cili ka dhënë shembuj sesi ndërtesa të trashëgimisë kulturore në vende të ndryshme të botës janë përshtatur për nevoja të komunitetit.
“Ne kemi mandatin t’i bëjmë dy dokumentet të cilat edhe tashmë i kemi dorëzuar Komunës së Prishtinës, pa prejudukuar atë zgjedhjen e fundit të cilën Komuna e ka të drejtën ta zgjedh”, ka shtuar ai.
Arkitekti Ilir Gjinolli ka thënë se sipas tij, lokacioni më i përshtatshëm për sallën koncertale, është afër Pallatit të Shtypit, për shkak se është lokacion i hapur dhe nuk ka pengesa. Ai e ka shtruar një pyetje që e konsideron esenciale.
“Të shohim cilat janë argumentet, a të shfrytëzohet lokacioni ekzistues apo të shfrytëzohet salla për ta bërë një ‘landmark’”, ka thënë ai.
Muzikanti Ilir Bajri, ka thënë se ajo që mungon më së shumti është një analizë e detajuar për ofertën kulturore në Prishtinë, sipas së cilës edhe do të përcaktohej numri i ulëseve të sallës e detajet tjera.
Debati i mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka përfunduar pa ndonjë konkludim a sugjerim. Ndërkohë gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në rrjete sociale ka shkruar se shpronësimi i “Gërmisë” është bërë për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve.
“Një ndër vendimet kryesore të Mbledhjes së sotme të Qeverisë, ishte ai për shpronësimin e ish-ndërtesës së ndërmarrjes ‘Gërmia’, për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve”, ka shkruar ai. /E.B./