Festivali DAM është nderuar me vulën “EFFE Label” pikërisht në nisje të edicionit të 14-të të tij.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kjo vulë iu jepet festivaleve pas vlerësimit të bërë nga ekspertë ndërkombëtarë në botën e festivaleve.
“Për t’u kualifikuar për etiketën EFFE, një festival duhet të përmbushë së paku 7 nga 10 standarde të cilësisë. Festivali DAM ndër vite ka prezantuar konsistencë në programin artistik, ka mbështetur zhvillimin artistik të shumë muzikantëve dhe artistëve përmes rezidencave të organizuara, ka mbështetur ide të reja kreative dhe eksperimentale dhe projekte kërkimore artistike. Me aktivitetin e tij festivali është vlerësuar për kontributin në rrafshin lokal e njëkohësisht ka shërbyer si platformë për rrjetëzim me organizata dhe festivale në Evropë”, thuhet në komunikatë.

Pavarësisht vështirësive, DAM ka arritur të shpërfaq konsistencë dhe stabilitet në zhvillimin e aktiviteteve dhe ka qenë i përfshirë në mbështetjen e kauzave nga të drejtat e njeriut deri te integrimi i grupeve të margjinalizuara në jetën kulturore të vendit, dhe jo më pak e rëndësishme, shtyllë qendrore ka pasur dhe vazhdon ta ketë programin edukativ me organizimin e akademive verore, programeve artistike rezidente, punëtorive që e bëjnë një prej vlerave të çmueshme për komunitetin e muzikantëve dhe jo vetëm.
Edhe në këtë edicion artistëve u është krijuar hapësira si mundësi për të shkëmbyer pasionin, dashurinë, idetë e mendimet me vizionin e qëllimin e vetëm, për të krijuar art.
“Viti i 14-të e kthen festivalin në hapësirat e zakonshme / tradicionale koncertuese por duke vazhduar rrugëtimin drejt përvojave të reja eksperimentuese muzikore – interpretuese. Me pjesëmarrjen e mbi 100 artistëve, këtë edicion organizatorët janë fokusuar në tri programe kryesore: punëtori, koncerte dhe gara e kompozitorëve të Ballkanit - BCCP (me finalistë Anda Kryeziu, Damjan Joviqin, Angel Spiroski, Nemanja Radivojeviq dhe Ylli Daklani) e cila paraqet shtyllën kryesore të festivalit këtë vit”, thuhet në komunikatën e DAM-it.
Edhe
“DAM” i sivjetmë përtej koncerteve e punëtorive
Më tutje thuhet se qëllimi është krijimi i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.
Rrugëtimit të 14-të të Festivalit i janë bashkangjitur ansambli Oerknal, formacion lider në promovimin e muzikës bashkëkohore, solistë e orkestra prestigjioze Evropiane Olivier Doise, Eric Lacrouts, Laurent Verney dhe Vlorent Xhafaj, pianisti Romain Nosbaum, Zala Kravos e konsideruar një yll në ngritje dhe ndër talentet e rrallë të momentit, artistja e Steinway-it Olga Zado, dirigjenti polak Szymon Makowski dhe Quartteto di Cremona, ansambli më i mirë i gjeneratës së tyre që nga themelimi (2000).
“Padyshim që në këto 6 ditë e net të Festivalit vazhdojmë me promovimin dhe paraqitjen për herë të parë të artistëve të rinj vendor, ndër ta edhe ansambli tashmë i konsoliduar sFOURzando të cilët po rriten artistikisht duke parakaluar nëpër edicione të ndryshme të festivalit. Në skenën e dytë të festivalit do shëtisim nëpër gamë të gjerë stilesh muzikore nga ajo folklorike e deri tek ritmet e muzikës elektronike përmes performancave të Nezafete Shalës, grupit zviceran Die Die Be, dyshes Rene van Munster dhe CS, Oda Halitit e jo vetëm”, thuhet në komunikatë.
