Kulturë

“Columns” me libra si monument për qëndrueshmëri dhe një portret kolektiv

Janë plot 700 libra të dhuruar në mënyrë anonime. Bashkë krijojnë një kolonë që asocion në stabilitet. Instalacioni duket si monument ku bashkohen rrëfime dhuruesish, histori prapa tyre. “Columns” zbërthehet si një portret kolektiv i anonimëve. Ndërsa ende pret pjesëmarrjen e publikut, vepra konsiderohet si një instalacion në ndërtim e sipër

Prishtinë, 19 shkurt – Librat që muaj më parë ishin pjesë e bibliotekave personale, tashmë kanë zënë vend në një hapësirë të veçantë. Plot 700 libra që janë mbledhur prej shtatorit tashmë qëndrojnë të radhitur njëri pas tjetrit për të marrë formën e kolonave me gjatësi të ndryshme. Tituj të librave në gjuhën shqipe, angleze e italiane janë bërë pjesë e instalacionit të krijuar nga artisti Stefano Romano, që ka hapur ekspozitën “Columns” në galerinë “Paper” në Prishtinë. Një ekspozitë me koncept të njëjtë e kishte hapur në vitin 2003 në Galerinë e Artit Modern në Bergamo. Artisti italian, që jeton prej vitesh në Shqipëri, flet rrjedhshëm shqip. Madje, kjo dëshmohet edhe më në mënyrën e rrjedhshme që lexon disa nga librat në gjuhën shqipe, gjersa shpjegon konceptin e ekspozitës së hapur të premten në mëngjes, që është rezultat i bashkëveprimit të publikut për të ndërtuar një vepër arti. Ndërsa ende pret pjesëmarrjen e publikut, vepra konsiderohet si një instalacion në ndërtim e sipër.

“Librat e dhuruar nga njerëzit në mënyrë anonime tregojnë diçka për dhuruesin. Njerëzit që zgjodhën të dhurojnë një libër, njerëz që shfrytëzojnë rastin për të larguar diçka ose njerëz që janë të ndjeshëm ndaj kauzës së bibliotekës së burgut, njerëz që janë krenarë që diçka që u takonte atyre të bëhet pjesë e një vepre arti, miqtë që zgjodhën të ndihmonin projektin. Cilado qoftë arsyeja, një portret kolektiv i anonimëve konkretizohet në këtë projekt”, shkruhet në fjalën e kuratores së ekspozitës, Claudia Santeroni.

Artisti u është rikthyer librave me këtë ekspozitë për faktin se gjatë pandemisë ata ishin mënyra e vetme që ua mundësonte “udhëtimin” dhe “takimin” me njerëz. Gjithçka nisi si një “ftesë” ndaj njerëzve që në mënyrë vullnetare mund të bëheshin pjesë e ekspozitës.

“Është një vepër që nuk mund të realizohet pa ndihmën e publikut, sepse unë në fillim nuk kam asgjë në dorë. U kërkova njerëzve që të më dhurojnë një libër dhe kjo ka akoma më shumë kuptim gjatë izolimit. Libri është një objekt i veçantë në vetvete, sepse në momentin që ne e lexojmë është i yni, por prapë kemi vështirësi që të ndahemi nga ai objekt dhe unë u kërkova njerëzve që ata t’i dhuronin për instalacion”, ka thënë Romano.

Image
Stefano Romano u është rikthyer librave me veprën “Columns”, të ekspozuar të premten në “Paper”, për faktin se gjatë pandemisë ata ishin mënyra e vetme që mundësonte “udhëtimin” dhe “takimin” me njerëz. Gjithçka nisi si një “ftesë” ndaj njerëzve që në mënyrë vullnetare mund të bëheshin pjesë e ekspozitës

Me t’u bërë pjesë e këtij instalacioni, libri humbet funksionin e vet, ndërsa përmes librave artisti fokusohet në krijimin e një kolone të qëndrueshme, ndërsa tregon se nuk është fokusuar në titujt e librave, duke e lënë që rastësisht të takohen librat e njerëzve të ndryshëm. Duke lexuar titujt, krijohen narracione të ndryshme.

“Kam luajtur me konceptin e kolonave sepse në realitetin tonë kolonat janë pjesa mbështetëse e arkitekturës dhe kanë të bëjnë edhe me idenë e monumentit. Unë kam krijuar një strukturë ku më ka interesuar stabiliteti i kolonës”, ka thënë ai për KOHËN.

Kësaj ekspozite i ka paraprirë një ngjarje e mbajtur në fund të janarit, e titulluar “Gin & Books”, në galerinë “Paper”, ku pjesëmarrësit kishin dhuruar një libër në këmbim të një kokteji.

Koordinatorja e kësaj galerie, Rina Statovci, ka thënë se vizitorët e kësaj galerie kanë dhuruar libra që nga muaji shtator.

“Në mbrëmjen ‘Gin & Books’ kemi mbledhur një numër të konsiderueshëm të librave. Ka pasur persona që i kanë sjellë rreth 20 libra dhe kemi pasur romane të ndryshme dhe libra për fëmijë”, ka thënë Statovci.

Era Qena është një nga pjesëmarrëset e eventit “Gin & Books”, ku ka dhuruar tre libra nga mini-biblioteka e saj, ndërsa thotë se e ka përcjellë një emocion i veçantë kur i ka parë ata si pjesë të instalacionit artistik të Romanos.

“Është ndjenjë shumë e mirë t’i shohësh librat në këtë koncept siç janë kolonat dhe veçmas kur e di që këta libra do të bëhen përsëri të vlefshëm”, ka thënë Qena.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 mars dhe gjatë kësaj kohe vizitorët mund të dhurojnë libra të tjerë. Pas ekspozitës, këta libra do t’i dhurohen organizatës “TOKA”, që ofron programe edukative për fëmijë, si dhe për bibliotekën e burgut në Prishtinë.