Kulturë

Cleo Laine – dama e jazzit me zërin e pakufishëm

Dama Cleo Laine

Cleo Laine në vitet ’80 kur i pushtonte skenat botërore

Vokalistja e gjithanshme, Cleo Laine, e përshkoi jazzin, muzikën klasike, popin dhe teatrin muzikor me një gamë prej katër oktavash, si dhe bashkëpunoi për dekada me bashkëshortin, John Dankworth. Ajo gjithashtu e pati një karrierë të shkëlqyer si solo artiste, përfshirë edhe në SHBA, ku u bë artistja e vetme e nominuar për çmim “Grammy”. Pak këngëtarë e kanë shkathtësinë për të interpretuar pjesë atonale të Arnold Schoenbergut dhe për të kënduar duet me Ray Charlesin

Dama Cleo Laine, këngëtarja më e suksesshme dhe më e njohur e jazzit në Britani të Madhe, ka vdekur në moshën 97-vjeçare. Një deklaratë e lëshuar nga fëmijët e saj, Jacqui dhe Alec, shkruan: “Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të nënës sonë të dashur, Cleo, e cila vdiq qetësisht dje pasdite. Do të na mungojë shumë të gjithëve. Familja dëshiron të ketë hapësirë për ta vajtuar humbjen e saj dhe kërkojmë privatësi në këtë periudhë shumë të vështirë”.

Cleo Laine shquhej për bashkëpunimin e gjatë me bashkëshortin e saj të ndjerë, kompozitorin dhe muzikantin John Dankworth, duke kënduar me bendet e tij të jazzit që nga mesi i viteve ’50 e tutje. Por ajo gjithashtu e pati një karrierë të shkëlqyer si soloartiste, përfshirë edhe në SHBA, ku u bë artistja e vetme e nominuar për çmim “Grammy” në kategoritë pop, jazz dhe klasike; pak këngëtarë e kanë shkathtësinë për të interpretuar pjesë atonale të Arnold Schoenbergut dhe për të kënduar duet me Ray Charlesin.

Laine u lind në vitin 1927 në Uxbridge, në perëndim të Londrës. Babai i saj ishte veteran i Luftës së Parë Botërore me prejardhje nga Xhamajka, kurse e ëma ishte angleze. Ajo e kishte humbur çdo kontakt me familjen e saj për shkak se nuk ia aprovonin martesën me një burrë të racës së zezë. Emri i saj origjinal ishte Clementina Campbell, megjithëse ishte regjistruar me emrin Clementine Bullock, mbiemri i nënës së saj. Ajo u rrit në Southall dhe e pati një rini modeste, duke punuar në punë të ndryshme pas shkollës, si stiliste flokësh, bibliotekare dhe në financa. Kur ishte akoma adoleshente, u martua me George Langridge me të cilin e pati një djalë, Stuart.

Laine këndonte në klube nate pas punës, por u bë këngëtare profesioniste në mes të të 20-ave, pasi e kaloi me sukses një audicion për t’iu bashkuar grupit “Dankworth Seven”.

“Në njëfarë mënyre, me ta fillova nga maja e suksesit”, kishte thënë ajo në një intervistë.

Fitonte 7 funte në javë dhe e ndryshoi emrin në Cleo Laine. Martesa e saj me burrin e parë dështoi dhe Laine e braktisi atë për John Dankworthe, me të cilin u martua në vitin 1958.

“Langridge mendonte se karriera ime ishte një ëndërr pa shpresë”,  deklaroi më vonë këngëtarja.

Cleo Laine dhe John Dankworth në shtëpinë e tyre në Wavendon në vitin 2009.

Ajo punoi shumë për ta zhvilluar zërin e saj, duke e arritur përfundimisht një diapazon prej katër oktavash dhe duke u bërë një nga përfaqësueset më të vlerësuara të stilit të këndimit “scat”. Ajo luajti në shfaqja dramatike dhe muzikore në Londër, si dhe performoi me Dankworthin dhe bendin e tij; në vitin 1961, u fut në top-listat britanike të muzikës pop me këngën “You’ll Answer to Me”, e cila arriti të pozicionohet në vendin e 5-të.

Laine dhe Dankworth arritën famë më të gjerë me interpretimet e tyre jazz të poezive të Shakespeare, E. E. Cummings, WH Auden dhe TS Eliot. Të inkurajuar nga një turne i suksesshëm në Australi, ata filluan të realizojnë performanca live në New York. Kritikët amerikanë e pritën me entuziazëm, dhe Laine konsolidoi karrierën e saj amerikane me koncerte të mbështetura nga bashkëshorti, në vende prestigjioze, si salla “Carnegie Hall”, krahas teatrove më të popullarizuar në Broadway. Ajo e incizoi një album të vlerësuar lart, me këngë të Stephen Sondheim, këndoi duet me Ray Charlesin për një regjistrim të operës së kompozitorit George Gershwin, “Porgy and Bess”, dhe realizoi albume në bashkëpunim me kitaristin John Williams dhe flautistin James Galway. Në vitin 1992, ajo e shoqëroi Frank Sinatran në pesë koncerte të mbajtura në “Royal Albert Hall” të Londrës.

Në vitin 1970, Laine dhe Dankworth e themeluan kompaninë “Stables” në oborrin e shtëpisë së tyre në Wavendon, Buckinghamshire. Aty vazhduan të organizohen koncerte nga yje të famshëm, si Dave Brubeck, Amy Winehouse dhe shumë të tjerë, si dhe sot organizohen projekte të edukimit muzikor.

Në vitin 1979, Laine u nderua “Oficere e Urdhrit të Perandorisë Britanike” dhe në vitin 1997 e mori titullin “Damë”. Dankworth e pranoi titullin “Kalorëse” në vitin 2006.

Çifti vazhdoi të bënte turne deri pak para vdekjes së Dankworthit, më 6 shkurt 2010, në moshën 82-vjeçare. Laine, me fëmijët e tyre muzikantë, Jacqui dhe Alec, performoi po atë natë për një koncert të planifikuar për ta festuar 40-vjetorin e “Stables”. Në fund të koncertit e njoftoi publikun për vdekjen e burrit të saj.

“Nuk ishte se ‘shfaqja duhej të vazhdonte patjetër’. Nuk jam aq e përkushtuar ndaj skenës. Mirëpo, instinktivisht e dija që Johnny do të donte që ne të performonim atë mbrëmje. E njëjta do të ndodhte edhe nëse do të vdisja unë. Johnny dhe unë ishim vërtet të pandarë”, tha ajo në një intervistë në vitin 2010. Cleo Laine la pas fëmijët, Jacqui dhe Alec. Djali i saj, Stuart, vdiq në vitin 2019, në moshën 72-vjeçare.