Premiera amerikane e filmit “Cirku fluturues” ka dalë të jetë e mbarë. Ka marrë çmimin për filmin më të mirë në kategorinë ndërkombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave në Santa Barbara të Kalifornisë. Rrëfimi nga fundi i viteve ’90, nën regji të Fatos Berishës, ka lënë prapa 11 filma që ishin në garë në këtë kategori, përfshirë filmin kanadez “A brother’s Love” nga Monia Chokri, i cili vitin e kaluar triumfoi në kategorinë “Un certain regard”, në Festivalin e Filmit në Cannes. Konkurrentë të “Cirkut...” ishin edhe filmi sllovak i regjisorit Teodor Kuhn “By a sharp knife”, inspiruar nga rasti ende i pazgjidhur i vrasjes së studentit të ri Daniel Tupý nga neonazistët në vitin 2005, komedia zvicerane “If Only (Magari) i Ginevra Elkann e të tjerë.
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit u hap më 15 janar dhe përfundoi me ndarjen e çmimit të shtunën e 25 janarit. “Cirku...” përveçqë ishte në garë, u shfaq edhe në kuadër të programit “Crossing Borders” (Kalimi i kufijve). Në edicionin e 35-të përveç atij për filmin nga Kosova, u ndanë edhe 10 çmime të tjera. Ndër të tjera, çmimin e audiencës e mori “The Birdcatcher’s Son” nga Suedia, nën regji të Richard Hobert, atë për dokumentarin me të mirë të shkurtër, produksioni amerikan “Sixth of June”, nën regji të Henry Roosevelt e çmimin për filmin me të mirë të shkurtër live-aksion, “Sin Cielo“ produksion amerikan nën regji të Jianna Maartin, e atë për animacionin më të mirë, “Cosmic Fling” nga Jonathan Langager, po ashtu i ShBA-së. Filmi, për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“’Dodona’, teatri i vogël i Prishtinës, mbyllet si institucioni i fundit publik. Katër personazhet kryesore, aktorët e rinj, Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka, shikojnë posterin e shfaqjes së tyre duke u hequr. Është komedia surrealiste e quajtur ‘Cirku fluturues’, e frymëzuar nga seritë legjendare britanike ‘Monty Python’s Flying Circus’, por ‘diçka krejtësisht ndryshe’ do të ndodhë. Ata marrin një ftesë për të performuar në Festivalin e Teatrit në Shqipëri, por nuk kanë pasaporta”, është përshkrimi i filmit, producente e të cilit është Vjosa Berisha. Aty tregohet se katër aktorët vendosin ta marrin këtë rrugë, edhe pse mënyra e vetme është duke kaluar ilegalisht kufijtë e Malit te Zi dhe të Shqipërisë.
Regjisori Fatos Berisha për gazetën, të dielën, një ditë pasi që filmi i tij triumfoi në këtë festival të njohur amerikan, ka thënë se ky çmim i bën krenarë duke marrë parasysh konkurrencën.
Fituesit e këtij edicioni janë zgjedhur nga juria e cila përbëhej nga emra të shquar të industrisë së kinematografisë. Njëri prej tyre edhe dirigjenti e kompozitori amerikan, John Williams, fituesi i 24 çmimeve “Grammy”, shtatë “British Academy Film Awards”, pesë “Academy Awards” dhe katër “Golden Globe Awards”. Me 52 nominime në “Academy Award”, Williams – i njohur për kompozime për alamet produksionesh filmike si “Star Wars”, “Schindler's List”, “Close Encounters of the Third Kind”, “Superman” – zë vendin e dytë sa u përket nominimeve individuale pas producentit Walt Disney. Bashkë me të, në juri kanë qenë edhe Anthony Zerbe, fitues i çmimit “Emmy” për rolin me të mirë mbështetës në serialin televiziv “Harry O” në vitin 1976, bashkëshortja e tij, aktorja Arnette Jens, e njohur për rolet e saj në “Cloud Dancer” (1980) dhe “The Balcony” (1963), e emra të tjerë të njohur në kinematografi si Jason Baffa, Max Barbakow, Lisa Black, Alex Carter, Geoff Green, Paul Kurta, Perry Lang, Artie Schmid, Rita Taggart e Diego Tinoco.
Aktori Armend Smajli, i cili portretizon Kushtrimin, ka thënë se ky çmim tregon se një histori e Kosovës mund të komunikojë gjithandej me publikun.
Siç ka raportuar mediumi amerikan ”The Wrap”, që kryesisht mbulon ngjarjet në Hollywood, drejtori ekzekutiv i Festivalit, Roger Durling, ka falënderuar të gjithë ata që i kanë ndihmuar gjatë festivalit e që u janë bashkuar për të festuar me më shumë se 200 filma.
Më gjerësisht në edicionin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”