Prishtinë, 12 mars – Teatri i qytetit të Prishtinës “Dodona” në vitet ’90 ishte një lloj oaze artistike e vendit. Në kohën kur shqiptarët ishin larguar nga institucionet e asaj kohe, “Dodona” bashkonte artistët shqiptarë.
Por në filmin “Cirku fluturues”, që në fokus ka katër aktorë, del në pah një kohë edhe më e vështirë. Është pragu i luftës. Aktorët tash nuk e kanë në dispozicion as teatrin e vetëm që shfrytëzonin pas vitit 1991. Në njërën anë frikën e kanë të madhe e në tjetrën ëndërrojnë shumë. Pavarësisht krejt vështirësive të kohës, në filmin e Fatos Berishës – që është dhënë premierë vendore të mërkurën në Prishtinë – shpaloset jeta jo veç bardhezi e atyre viteve.
Janë katër aktorë që e duan goxha profesionin. Në vendin e tyre nuk mund të luajnë. Një festival i teatrove që organizohet në Shqipëri i bën për vete. Megjithëse u duhet të lënë familjet në Kosovë e përmes Malit të Zi të kalojnë ilegalisht kufirin për në Shqipëri, ata marrin përsipër aventurën më të rrezikshme të jetës së deriatëhershme. Leka (Tristan Halilaj), Kushtrimi (Armend Smajli), Donati (Afrim Muçaj) e Fatmiri (Shpëtim Selmani) ia mësynë Shqipërisë. Ndalja e autobusit nga policia serbe gjatë rrugës për në Ulqin është histori më vete. Gjatë viteve ’90 tregtia ilegale me naftë midis zonave kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë kishte marrë vëmendje të madhe. E katërshja nëpërmjet trafikantëve duhej ta kalonte kufirin përmes barkave. Një puthje e tokës shqiptare nga Tristan Halilaj shpreh dashurinë e kosovarëve për anën tjetër të kufirit. E me të dalë andej hynë në lojë veprimet që shqiptarët e asaj kohe dinin t’i bënin më së miri: plaçkitjet. Një polic që ua gjen transportin deri në Shkodër, e ndan 100-dollarëshin me shoferin. Një natë qëndrojnë në burg në qytetin verior. Paraqitet një polici e Shqipërisë së kohës që më së paku ishte forcë e rendit. Por në secilin hap katërshja ka qëllim të njëjtë e profile të ndryshme. Ata që i dërgojnë në Tiranë qëllojnë të jenë tejet njerëz të mirë. E kryeqyteti i pret si heronj. Paraprakisht kishin marrë vesh se në Shqipëri po qëndronte komediani i njohur anglez Michael Palin. Ëndërrojnë ta takojnë atë. Shfaqja e tyre “Cirku fluturues” vlerësohet si më e mira e festivalit.
Kinematografia kosovare nëpërmjet ekranizimit të historive ka rrëfyer edhe më herët për vitet ’90. Por filmi që është dhënë premierë botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni vitin e kaluar i kthen ato vite nga perspektiva e aktorëve. Me një lojë të nivelit të lartë katërshja, por edhe aktorët e tjerë sjellin pos imazheve edhe një ndjesi të parehatisë që ekzistonte. E humori që zë vend në disa skena vjen si mjeshtëri për të treguar gjallërinë në vitet e vështira.
Regjisori Fatos Berisha ka thënë se filmi është i ndërtuar në bazë të një përvoje personale të tij. Përvoja i kishte shërbyer si bazë e më tej skenari kishte pësuar goxha ndryshime. Nga drafti i parë e deri te premiera vendore janë 9 vjet.
“Cirku...” flet për frikën, kushtet e vështira, armikun mbi kokë, luftën që është në prag. Por midis krejt këtyre sjell edhe dëshirën për jetë e profesion bashkë me një humor të hollë që e mban shikuesin aktiv përballë ekranit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)