Prishtinë, 27 nëntor – Portrete njerëzish mbulojnë muret e ambientit. Janë në bardhezi, por pavarësisht kësaj, paraqesin gjendjen në të cilën janë. Ekspozita “Black in white” (E zeza në të bardhë) përmbledh 13 vepra të artistes Fitore Berisha në “Tillt Radio” në Prishtinë.
Portrete të veçanta e aso që vijnë në grup prekin dimensione të ndryshme njerëzore. Berishës, që njihet si artiste e disa fushave, i bëjnë shumë përshtypje fytyrat e njerëzve. I fikson ato në mjete transporti e hapësira të tjera publike. Pos gjendjes emocionale që lë gjurmë në fytyra, veprat në ekspozitën shitëse që është hapur të hënën mbrëma në Prishtinë flasin për lidhjet midis njerëzve. Edhe ky dimension ka qenë në fokus të artistes. Ata që kalojnë disa minuta duke i shikuar punimet me tush në letër mund t’i shohin ato edhe si një mostër të shoqërisë në tre vjetët e fundit, kohë kjo kur edhe janë punuar. Larg atmosferës së ekspozitave që mbledhin shumë njerëz në hapje, ajo e Berishës ka ngjarë më shumë me një ambient intim. Edhe veprat i shkojnë për shtati hapësirave të tilla.
Artistja që më 2006 ishte zhvendosur në Islandë, qysh prej marsit të këtij viti është kthyer në Kosovë. Berisha njihet për disa murale në Prishtinë. Gjurmët e saj janë pjesë e disa lagjeve të kryeqytetit .
Të hënën mbrëma ka thënë se shpesh kur ndihet e vetmuar nis të vizatojë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)