Arti i Ema Bilbilajt është i prekshëm. Nuk mban distancë, përkundrazi e shkrin atë dhe bëhet i përdorshëm. Në frymën e pop-artit veprat e saj janë orendi, pasqyra, karrige, gjësende nga përditshmëria. Në esencë, një klithje përballë përmbysjes së vlerave. “Nuk dua që të ngelet një pikturë në mur aty dhe thjesht të shkojnë e ta shikojnë. Dua që arti im të përdoret, të jetë në jetën e përditshme”, ka thënë Bilbilaj
Krijimtaria e artistes së re, Ema Bilbilaj, është kontrasti me skenën e artit vizual në vend. Vepra moderne po se po. Por qëllimi i tyre është që të integrohen në shtëpitë e shikuesit jo veç si piktura në mure. Arti i saj ngjyros edhe orenditë, e një “ankand” i ngjashëm është ekspozuar në kafe-galerinë “Hani i Dy Robertëve” në Prishtinë me ekspozitën “Art beyond function”.
Teksa shikuesi shëtit në ekspozitën e artistes Bilbilaj, ndeshet në një lloj arti rebel jo veç nga përmbajtja, por perceptim të tillë i japin edhe imazhet e nxjerra prej grafiti.
Me të nisur rrugëtimin në vepra nga të parat në renditje nga hyrja e hapësirës, ky rebelim është më i butë në veprat “Golden” ku piktura me figurën e dashit lartësohet te brinjët që vishen me fletëza ari e në atë ku engjëlli djallëzohet në veprën e saj duke mbajtur armën e vdekjes, ose në nxjerrjen e krahëve prej druri në veprën “Born to fly high”.
Prej objekteve më të shumta aty janë pasqyrat. Mesazhe të hapura e të fshehura janë në këto objekte reflektuese me korniza klasike. Kur publiku sheh veten aty, merr edhe një kompliment. Në vazot e ekspozuara citohen e artistja u referohet autorëve vendorë e ndërkombëtarë. Marrin kontekst poetik dhe vetë ekspozita shpalos dy arte: pamor e atë të të shkruarit.
Vargjet nga poezitë erotike të ndaluara nga regjimi, “Kanga e kandarit” e Çajupit si dhe ato të “Letrës së Tatjanës” dërguar Oneginit, nga poema e famshme e Pushkinit, bashkë me të tjera të shkruara nëpër pasqyra dhe në mobilie, janë një lloj proteste ndaj dukurive të ndryshme shoqërore.
Në veprën “Chaos Lamp”, koka e një gruaje zëvendësohet me një llambë që mban mbishkrimin “Chaos” si ilustrim i maskimit të shëndetit mendor me pamjen e jashtme.
E kuruar nga filozofi dhe kritiku i artit Shkëlzen Maliqi, ekspozita qëndron e hapur deri më 21 shtator.

Ekspozitën me vepra të pop-artit, Maliqi e ka konsideruar si një prej më interesanteve në vend.
“Është ekspozita e saj e dytë. Pos piktura, ajo punon një lloj pop-arti me objekte të gatshme si mobilie, pasqyra. Intervenon në to, i ridizajnon e i plotëson. Te ne nuk kam parë punime të tilla, po instalime, por ajo krijon një lloj ambienti me ulëse, fotele, dollapë, që i bën edhe të shfrytëzueshme. Dhomat e instaluara duken si një antikitet. Edhe pikturat janë interesante e përmbajtjesore, por është edhe një qasje erudite me poezi në veprat e saj. Trajton disa tema që mua më janë dukur shumë interesante sesi i realizon në kontekst që duken me porosi si një përmbajtje libri”, është shprehur Maliqi në një bisedë për KOHËN, pas hapjes së ekspozitës të enjten pasdite.
E, në tekstin kuratorial, Maliqi i quan “klithma rebeluese” mbishkrimet e Bilbilajt në objektet e ekspozuara. Konsideron se artistja intervenon lirshëm me ngjyra gjallëruese.
“Kështu ajo dekoron mobilierinë me ca intervenime, në të shumtën me tekste, kryesisht në gjuhën mbizotëruese angleze, të vendosura në trajta të klithmave rebeluese që karakterizon grafitet e street artit. Megjithatë, përshtypje e panairit është sipërfaqësore dhe simplifikuese, kur të kihet parasysh përmbajtja e ‘klithmave’ të Ema Bilbilajt, e cila, në të vërtetë, mbi mobilet, por edhe në disa piktura që e plotësojnë ansamblin e ekspozitës, shpërfaqet si artiste që reflekton një bagazh konceptual mbase më esencial të traumave sociale të bashkëkohësisë, që konsiston në përmbysjen e vlerave që do të duhej të ishin shtyllat e qytetërimit”, shkruan ai.

I referohet veprës ku shkruhet në anglisht “If not love, I want power” (Nëse jo dashuri, dua fuqi) ku fjalët me ngjyrë të kuqe e thyejnë kontrastin e sfondit bardhezi.
“Në përgjithësi, ekspozita është një ansambël i përbërë nga mobilieri të ndryshme që sikur inskenojnë një prapavijë të vlerave të amshueshme, p.sh. është një qyp i kuq ‘antik’ me mbishkrimin ‘Timeless’ krahas një qypi tjetër, më kiç për nga stili, ku gjejmë të përsëritur psherëtimën ‘Blah, Blah, Blah...’ që ironizon fjalamaninë e pakuptimtë që po e bën gjithnjë e më toksike përditshmërinë e botës të sotme, ku përfshihet edhe ‘kultura e lartë’ e rreme”, shkruhet më tej në tekstin kuratorial të Shkëlzen Maliqit.
Edhe vetë autorja e veprave e quan ekspozitën si më ndryshe nga të tjerat në skenën artistike në vend.
“Edhe për mua është ndryshe, sepse jam duke eksperimentuar me pop-art dhe jam duke ndërthurur jo vetëm piktura, por edhe mobilie. Procesi ka qenë shumë i gjatë, por mund të them se më i gjatë ka qenë procesi i mendimit deri të dilja tek ideja sesa realizimi i punimeve”, është shprehur ajo për KOHËN.
E ka bërë të qartë që do që arti i saj të jetë pjesë e ambienteve të ngrohta familjare a tjetër hapësirë, jo veç të shihet për ca javë në galeri.
“Se çfarë kam dashur të shpreh, mund ta them shumë shkurt dhe pastër që unë nuk dua që arti im si artiste të ngelet në galeri. Nuk dua që të ngelet një pikturë në mur aty dhe thjesht të shkojnë e ta shikojnë. Dua që arti im të përdoret, të jetë në jetën e përditshme. Dua që ashtu siç mund ta varësh një pikturë në mur, ashtu të kesh edhe një karrige të pikturuar apo një pasqyrë me një shprehje që në një anë të bën të reflektosh me veten dhe me punimin që po sheh. Kjo ka qenë kryesisht ideja ime dhe ajo që dua ta përçoj te njerëzit, që arti të bëhet i prekshëm. Është jo vetëm art për t’u admiruar, por për t’u përdorur dhe për t’u ndier në çdo aspekt”, ka konsideruar ajo.
Arti i saj përfshin pikturë, intervenim artistik në objekte e skulpturë.
“Një pjesë e mobilieve janë të vjetra, por të rifreskuara. Një pjesë janë shumë moderne që janë blerë, por që me pak element kanë marrë një formë tjetër, për shkak të ngjyrave apo të shprehjeve. Për mua, të qenit artiste nuk do të thotë të jesh vetëm piktore, as nuk do të thotë të njohësh pesë piktorët më të famshëm në botë. Për mua, të jesh artiste do të thotë që të dish çfarë domethënë muzikë, kinematografi e çdo lloj arti i mundshëm, çdo lloj arti i mundshëm, jo vetëm pikturë”, ka thënë artistja e re Ema Bilbilaj.