Ka vdekur në moshën 86-vjeçare artistja e madhe e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.
E lindur në Pagarushë të Malishevës më 1933, ajo la pas vetes një bagazh të pasur perlash muzikore që dëshmojnë për një talent e vokacion të parë shumë rrallë ndër artistë, raporton KTV.
Kushëriri i saj i afërt, Sadik Kryeziu, ndan disa nga kujtimet dhe ndër të tjerash tregon edhe amanetin e fundit të këngëtares.
Për karrierën e saj të bujshme u nderua me shumë çmime.
Ajo mori medaljen presidenciale “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë si dhe një varg çmimesh tjera, përfshirë këtu edhe çmimin “Rexhai Surroi”, për vepër jetësore.
Edhe
Bilbili i Kosovës në katërvjetorin e vdekjes “kujtohet” në Facebook
Interpretoi mbi 150 këngë, në periudhën mes viteve ‘50 dhe mesi i viteve ’80 dhe përherë u identifikua me epitetin “Bilbili i Kosovës”.
Përveç talentit të lindur që kishte në muzikë, Pagarusha u shqua edhe në domenin e filmit, fushë në të cilën rrëmbeu edhe disa çmime.
Pagarusha braktisi profesionin si këngëtare për një dekadë e gjysmë, për t’u kthyer në skenë në vitin 2000, me interpretimin e këngës “Kur një ditë të kthehesh ti”, bashkë me Ardit Gjebrean.
Pastaj u tërhoq sërish, për t’u kthyer në vitin 2018.
Për vdekjen e saj kanë reaguar zyrtarë institucionalë, liderë të partive politike, kolegë të fushës dhe të tjerë, të cilët kanë shprehur ngushëllime dhe dhimbje për humbjen e një figure të tillë.
Në telegramin e ngushëllimit të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, thuhet se Nexhmije Pagarusha, me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë.
Edhe
Kujtohet Nexhmije Pagarusha në datëlindjen e saj
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vdekja e këngëtares është humbje e madhe për kulturën dhe artin kombëtar.
Kurse, kryeministri Albin Kurti shkroi se kjo është humbje e madhe për të gjithë popullin e për muzikën.