Prishtinë, 4 shkurt – Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” kanë hedhur hapin parë për ta realizuar punën në terren sa i përket projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”. Ky projekt ishte paralajmëruar në nëntor të vitit të kaluar. Do të mblidhen rrëfimet e të mbijetuarve të vitit 1999 në fshatin që gjendet në Komunën e Rahovecit. Ministria dhe Biblioteka janë vënë në kërkim të 30 vetave, që do t’i realizojnë intervistat dhe transkriptimin e intervistave për projektin. Për këtë kanë hapur thirrje publike. Planifikohet që të dokumentohet një pjesë e historisë së viteve të luftës së fundit në Kosovë.
Në ditën e 24-t të marsit 1999, forcat serbe do ta rrethonin Krushën e Madhe të Rahovecit. E një ditë më pas në emër të “ndjekjes së terroristëve shqiptarë” do të vriteshin, digjeshin e hidheshin në lum mbi 240 civilë shqiptarë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Tash, më shumë se 20 vjet më pas, ende nuk dihet gjë për trupat e pagjetur të mbi 40 personave. Rrëfimet për atë që ka ngjarë në këto vendbanime janë të shumta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, 250 deri në 300 prej tyre do të mblidhen e regjistrohen me video e audio. Këtë do ta bëjnë të mundur projekti i bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik. Brenda dy vjetëve punë, planifikohet që të arkivohen si audio e video dhe pos në shqip, të transkriptohen edhe në anglisht e serbisht.
Sipas konkursit të hapur këtë javë, një intervistë do të paguhet 50 euro dhe po aq edhe transkriptimi. Të angazhuarit do të ndjekin të gjitha trajnimet e organizuara në kuadër të projektit, të marrin pjesë në identifikimin e të intervistuarve, të realizojnë intervistat me standarde të larta etike dhe profesionale dhe ta bëjnë transkriptimin në mënyrë autentike dhe të saktë. Kërkohet që konkurrentët të cilët mund t’i dorëzojnë aplikacionet deri më 4 shkurt, të jenë të diplomuar ose në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin Filozofik apo në Fakultetin e Filologjisë, dhe të kenë së paku një rekomandim që dëshmon përvojën në këtë fushë.