Më 25, 26 dhe 27 mars do të masakroheshin 243 persona. 25 vjet pas, kur në krejt vendin po shuheshin burimet e dëshmive për dokumentimin e spastrimit etnik mbi shqiptarët, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është promovuar botimi “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” në dhjetë vëllime. Projekti i nisur katër vjet më parë është vlerësuar si material me rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën kolektive e si një kanal për ekzekutimin e drejtësisë mbi krimet e kryera. Rrëqethëse janë historitë personale të banorëve të Krushës së Madhe. Detajet janë dëshmi të freskisë në kujtesën e atyre që panë tmerrin e që ishin shumë pranë fatit të 243 të vrarëve mizorisht
Fundmarsi i vitit 1999 do të linte pasoja afatgjata për Krushën e Madhe të Rahovecit. Ajo do të bëhej vatra e njërës prej masakrave më të mëdha nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Fshati edhe sot është sinonim i krimeve serbe të kryera në Kosovë. Më 25, 26 dhe 27 mars do të masakroheshin 243 persona. 25 vjet pas, kur në krejt vendin po shuheshin burimet e dëshmive për dokumentimin e spastrimit etnik mbi shqiptarët, është promovuar botimi “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” në dhjetë vëllime. Projekti i nisur katër vjet më parë është vlerësuar si material me rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën kolektive e si një kanal për ekzekutimin e drejtësisë mbi krimet e kryera.
Rrëqethëse janë historitë personale të banorëve të Krushës së Madhe. Detajet janë dëshmi të freskisë në kujtesën e atyre që panë tmerrin e që ishin shumë pranë fatit të 243 të vrarëve mizorisht. Kur janë bërë 25 vjet prej kur fshati pranë lumit Drini i Bardhë në Rahovec u godit për të lënë vragë e pasoja të përjetshme, erdhi një pjesë e kujtesës së luftës së fundit në vend.
U vlerësua si trashëgimi për brezat e rinj për të mos e harruar historinë e si një rrugë për gjetjen e drejtësisë në institucionet në Kosovë e jo vetëm. Projekti u përurua të hënën mbrëma në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, institucion që e finalizoi projektin bashkë me Departamentin e Antropologjisë së Universitetit të Prishtinës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vëllimet e publikuara i shërbejnë institucionit që ajo udhëheq e gjeneratave të reja që të mos i harrojnë krimet që Serbia ka kryer mbi popullatën civile në Kosovë.
“Dëshmitë dhe dëshmitarët e kësaj masakre janë një burim i rëndësishëm për kujtesën tonë kolektive. Ajo do të ishte e mangët pa mbledhjen e rrëfimeve të atyre që përjetuan drejtpërdrejt masakrat si kjo e Krushës. Emocionet që bartin rrëfimet janë dëshmi jo vetëm për drejtësinë formale, por edhe për kuptimin që ato i dhanë të kaluarës sonë”, ka thënë ministrja Haxhiu në ngjarjen ku është përuruar botimi 10-vëllimësh me rrëfime nga dëshmitarë e të mbijetuar të masakrës në Krushë të Madhe.
Sipas saj, materialet i kontribuojnë gjykimit të krimit të luftës nga institucionet vendore e ndërkombëtare e edhe Institutit për Krime Lufte.
“Mbledhja e rrëfimeve, jo vetëm të tipit të këtij projekti por edhe grumbullimi i atyre rrëfimeve para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare, do të ishte material i bollshëm që në kuadër të Institutit të sapokrijuar për dokumentimin e krimeve të luftës, ne të mbledhim dëshmi të tilla. Kur jemi te themelimi i Institutit, ndonëse me vonesë, pas më shumë se dy dekadave prej përfundimit të luftës, Kosova e ka Institutin ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ministrja Albulena Haxhiu.
Ligji për të cilin u miratua më 13 korrik të vitit të kaluar i ka hapur rrugë rithemelimit të institucionit që u mbyll në vitin 2018, ku ishin botuar disa materiale, përfshirë kujtime e rrëfime mbi personat e pagjetur e raporte mbi dëmet materiale. Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë pranoi dokumentet e para muajin e kaluar, kur shteti shënoi 16-vjetët e shpalljes së Pavarësisë.
Ministrja Albulena Haxhiu ka theksuar edhe zhvillimin e seancave gjyqësore në mungesë të të akuzuarve serbë për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.
“Së fundi është duke u zbatuar edhe gjykimi në mungesë të kriminelëve të luftës, duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë. Ajo është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe atyre që kryejnë krime në kohë të paqes”, ka thënë ajo më tej në fjalën e saj.
Intervistat janë realizuar edhe në formë vizuale. Kryesuesi i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se është e rëndësishme që materiale të tilla të jenë në dispozicion në video e të transkriptuara.
“Gara mes gjuhës së shkruar dhe të folur në epokën tonë të mediumeve bashkëkohore merr një tjetër dallim. Dallimet e para pak dekadave kanë ndryshuar dukshëm falë rrjeteve sociale dhe kulturës në të cilën gjendemi. Në këtë epokë e kemi edhe projektin që po e promovojmë sot – rrëfime të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe. Një gjuhë e folur që është shkruar si një sfidë për kujtesë, për shoqërinë që e ka aq të lehtë të harrojë, për shoqërinë që është mësuar të harrojë. Uroj të ketë më shumë projekte të tilla”, ka thënë Rugova.
Në nëntor të vitit 2020 kishte nisur puna për projektin e BKK-së dhe Departamentit të Antropologjisë, kur edhe ishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi midis Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” e Ministrisë së Kulturës. Profesorët Aliriza Arënliu, Arsim Canolli dhe Tahir Latifi ishin mentorë. Ky i fundit ka thënë se kishin trajnuar hulumtuesit e projektit si dhe ishin kujdesur për aspektet metodologjike.
“Duke ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë e projektit, stafi i BKK-së dhe mentorët e projektit i kanë kushtuar rëndësi të madhe fazës përgatitore, sidomos aspekteve metodologjike, etike dhe trajnimeve për hartuesit e projekteve. Realizimi i intervistave është bërë përmes metodës së historisë gojore me qëllim të dokumentimit të kujtesës përmes rrëfimit autentik të dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, ka thënë Latifi.
E mbijetuara e masakrës së Krushës së Madhe, Miradije Ramadani, mes emocionesh ka rrëfyer momentet e ngjarjes para të pranishmëve.

“Na thanë përshëndetuni për herë të fundit. Nuk e dinim ku po na çojnë. Katundi ishte i kallur krejt, nuk kishte shtëpi pa u rrëzuar e djegur, pa u bërë shkrumb. Kemi shkuar në rrugën kryesore, vetëm kur kemi parë që po u del flaka. Nuk dinim a po digjen shtëpitë apo burrat”, ka thënë Ramadani.
Copëza rrëfimesh sikurse ai i Ramadanit gjenden edhe në ekspozitën që sjell fragmente nga dhjetëvëllimëshi “Kujtesa e Kosovës...”. Kanë qenë gjithsej 14 pllakate, të cilat ia kanë shpalosur publikut një pjesë të rrëfimeve rrëqethëse.
“E djali jem i vogli, Leonardi, m'thojke:- ‘mami kur dojna m’i dalë na babit përpara me majt tubën me lula? O... e nijsha vetën... s’kisha as përgjigje m’i dhanë thmijës. Po kur u ba kufoma, që dul kufoma, atëhere i kam thanë: - Çu, qetash tubën me lula, dili babit përpara...”, vjen një pjesë e rrëfimit në njërin prej pllakateve të ekspozuara që mban inicialet N.H. për narratoren.
“Kur e kanë gjujtë benzinin, e njisha erën... Ata thoshin: Ma shpejt ta kryjmë se po na presin shumë punë, po na presin... Me ba masakra të tjera. Ata ia kishin pas shti flakën dhe ishin duke u largu. E unë nuk dijsha çka po bahet përjashta, veç e dijsha që po kërset talla dhe temperaturë e madhe po më vjen. Por isha me fytyrë për dheu. Dy-tri kufoma i kisha përmbi “, është një fragment i rrëfimit të N.H., një prej 200 rrëfimtarëve në libër. Rrëfimi i tij është shfaqur si incizim në nisje të ngjarjes ku është promovuar “Kujtesa e Kosovës...”.
25 vjet më parë, më 25, 26 dhe 27 mars, forcat serbe do të mësynin të masakronin civilë të pafajshëm përfshirë burra, gra, pleq e fëmijë në gjithsej 243 persona.
Në mëngjesin e 26 marsit të 1999-s policia serbe do t’i gjente në pyll. Gra e fëmijë do t’i urdhëronte të iknin për në Shqipëri, ndërsa burrat do t’i drejtonte për në një vendbanim në fshat. Aty forcat serbe do të kryenin krim masiv duke hapur zjarr mbi ta. Trupave do t’u hidhej sipër lëndë e djegshme e materiale që ndihmojnë djegien.
Pos viktimave u dogjën 893 shtëpi private e shoqërore. Masakra në Krushë të Madhe është ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Ende disa nga trupat e të vrarëve nuk janë gjetur.
“Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” është ndihmuar financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe nga Komuna e Rahovecit.
Projekti vjen si ftesë për të mos harruar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve bashkë me sakrificën e sfidat e popullit. Rrëfimet e faqosura krijojnë imazhet nga skenat e krimit që përjetuan protagonistët në botimin “Kujtesa e Kosovës...”. Nëpër faqe fut nëpër një pjesë të tragjedisë së vendit me të cilën banorët e Krushës së Madhe bashkëjetojnë edhe sot.