Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës me projekt për dokumentimin e historisë së vet

Me promovim projektesh e video-intervista për librin shqip, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, ka shënuar të premten Ditën Botërore të Librit, 23 Prillin.

Në një ceremoni të mbajtur në hapësirat e BKK-së, ku u lexua edhe një fjalë rasti e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është bërë promovimi i projektit “Kujtesa e Kosovës: Tregimi i historive për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”.

Gresa Maliqi, e cila është menaxhere e këtij projekti, ka shpjeguar në mënyrë të përgjithshme qëllimet e tij.

“Ky është një nga projektet më të rëndësishme të bibliotekës, që do të dokumentojë, mbledhë, ruajë dhe promovojë kujtimet dhe përjetimet e secilit që ia ka kushtuar bibliotekës një pjesë të madhe të jetës”, ka thënë Maliqi.

Me këtë rast, ajo ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në institucionin më të madh bibliotekar në vend, rrëfimet e të cilëve, kur të jenë të përmbledhura, do t’ua mundësojnë brezave të ardhshëm që të dinë saktë ato që kaluan vendi dhe libri shqip.

Maliqi, po ashtu, ka bërë me dije se të gjitha rrëfimet do të xhirohen dhe më pas transkriptohen, ashtu që botimi që do të dalë të jetë një nga më të rëndësishmit e BKK-së.

Edhe Biblioteka Kombëtare – 81 vjet trashëgimi drejt kapitujve bashkëkohorë Kulturë Biblioteka Kombëtare – 81 vjet trashëgimi drejt kapitujve bashkëkohorë

Një aktivitet tjetër që u mbajt gjatë ditës ishte edhe insertimi i video-intervistës për librin shqip “Evokim i së kaluarës”, në hapësirën e Këndit Amerikan. Pjesë e tij ishin edhe ish-drejtori Mehmet Gërguri, ish-shefi i Departamentit të Koleksioneve të Rralla, Nehat Krasniqi, Muharrem Halili nga Departamenti i Katalogimit, ish-bibliotekaret Zejna Fejzullahu e Jehona Halili.

I treti aktivitet – dhe i fundit me këtë rast – ishte edhe “Pasurimi i koleksioneve të bibliotekave të Kosovës” me donacione nga BKK-ja, ku përfituese do të jetë biblioteka e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.