Digjitalizimi është një hap i paralajmëruar kaherë, i cili sivjet bëhet edhe me hapa konkretë. Por, për qasje të reja ndaj lexuesit nuk është i vetmi. Biblioteka Kombëtare e Kosovës të premten ka shënuar 78-vjetorin e themelimit me projekte e plane që këtij institucioni i hapin rrugë që të marrë vëmendjen jo vetëm për thesarin e librave e materialeve të tjera arkivore që ka, por edhe me qasje në arsimim
Me jo pak synime, të arritura, projekte që kanë nisur e do të nisin, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” të premten ka shënuar 78-vjetorin e themelimit. Ka festuar edhe me pasurimin e fondit të vet e të bibliotekave të tjera, të nismës për digjitalizim, sikurse ka shënuar edhe Ditën Kombëtare të Vetëdijesimit për Biblioteka në Kosovë.
Me krejt këto Biblioteka hap rrugë që të marrë vëmendjen jo vetëm për thesarin e librave e materialeve të tjera arkivore që ka, por edhe me qasje në arsimim.
Nëpërmjet projektit “Biblioteka në shërbim të komunitetit: Themelimi i një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor”, synohet themelimi e akreditimi i degës së studimeve bibliotekare në nivelin bachelor dhe të Kurrikulës Kombëtare të Kualifikimit. Kjo degë do të mundësojë që të ekzistojë një program kombëtar për fushën e arsimit bibliotekar e kulturor.
Digjitalizimi është një hap tjetër i paralajmëruar kaherë. Në këtë drejtim është hartuar strategjia që përcaktohet dhe përshtatet me nevojat ekzistuese të BKK-së. Me projektin “Shërbimet e Bibliotekës Digjitale” do t’i mundësohet publikut të ketë qasje në çdo objekt të digjitalizuar që është në domenin publik”.
“Mandati i BKK-së është gjithëpërfshirës në fushën e zhvillimit bibliotekar, mbledhjes dhe ruajtjes së trashëgimisë së dorëshkrimeve, shtypit, botimeve dhe të asaj gojore”, ka thënë drejtori Fazli Gajraku, në ceremoninë e organizuar për festën e institucionit që udhëheq.
Në aspektin e hapave infrastrukturorë, objekti i Bibliotekës Kombëtare pret hartimin e një masterplani, i cili do ta sigurojë renovimin e tij duke ndjekur hapat e dokumentimit e vlerësimit të gjendjes teknike. Konservimi pritet të jetë në hapësirën e jashtme e të brendshme, në pjesën e orendive e elementeve dekorative, si dhe të inxhinierisë konstruksionet hidroteknike, elektroteknike dhe të makinerisë. 300 mijë euro janë paraparë për vitin që vjen, dedikuar objektit të Bibliotekës që mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore.
“Krijimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës” quhet njëri prej projekteve që është në proces e sipër, e që synon bashkëpunimin midis BKK-së dhe bibliotekave publike, universitare e atyre speciale në Kosovë. Ndërkaq rëndësi do t’u kushtohet edhe koleksioneve të veçanta të BKK-së, për të cilat synohen trajtimi, ruajtja, përshkrimi bibliografik dhe në fund qasja e tyre te lexuesi.
Për projektin e historisë gojore që dokumenton rrëfimet e dëshmitarëve e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe “Kujtesa e Kosovës...” janë mbledhur 202 intervista, të cilat pritet të transkriptohen, të lekturohen e të përkthehen në anglisht e serbisht.
Gajraku ka përmendur se sivjet fondi është pasuruar edhe me 2 mijë e 439 tituj apo 8 mijë e 381 ekzemplarë. Ndërkaq vetë BKK-ja ka pasuruar për një vit 9 biblioteka shkollore me 1 mijë e 518 tituj apo 3 mijë e 857 ekzemplarë. Rëndësi është duke iu kushtuar edhe dokumentimit e vlerësimit të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga lufta e fundit, veçmas fondit që BKK-ja e ka humbur në këtë periudhë.
“BKK është duke verifikuar të gjithë librat fizikë të inventarit dhe do të nxjerrë statistika për koleksionet e spastruara dhe koleksionet e mbetura gjatë revizionit të vitit 1998”, ka thënë Gajraku.
Feim Hoxha, zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, ka thënë se tash bibliotekat po marrin trajtimin e duhur nga institucioni më i lartë kulturor. Ka theksuar se janë në fazën e vlerësimit të ofertave për renovimin e përgjithshëm të objektit të BKK-së.
“Pas diskutimeve e punëve të një rrjeti bibliotekar e bashkëpunëtorësh si nevojë e krijimit të tij, tash po flitet për hapa konkretë që janë ndërmarrë për këtë program, që rrit kapacitetin e bibliotekave në Kosovë”, ka thënë Hoxha.
Qerim Qerimi, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thëne se bibliotekat janë burim ekzistencial i dijes edhe në kohën e digjitalizimit. Ndërkaq shënimin e përvjetorit të BKK-së e ka çmuar për vlerën historike e kulturore të institucionit për të vazhduar me “kujdesin institucional për librin, karakterin universal të tij dhe me aspiratat tona për të qenë pjesë e këtij universi”.
Gjatë ceremonisë u nënshkrua edhe akti nismëtar i pranimit të fondit të librave të ndërmarrjes botuese “Rilindja”, përmes së cilave BKK-së i dhurohen 430 pako librash shkollorë.
“Gjithë kjo për t’i dalë në ndihmë Bibliotekës në pasurimin e fondit të librave dhe shtimin e koleksionit të BKK-së”, ka thënë Arben Limani, drejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërkaq memorandum u nënshkrua edhe me organizatën FLOSSK, që ofron bashkëpunim për digjitalizimin e fondeve të BKK-së.
Në fushën e botimeve të BKK-së sivjet janë edhe “Kujtesa e Kosovës: Familja Jashari - në dritën e betejës për liri”, e cila është një përmbledhje e artikujve të gazetave e revistave si koleksione të institucionit. Pjesë është edhe botimi pesëvëllimësh i Ydriz Bashës, e cila dokumenton shkrimet e një prej emigrantëve të njohur shqiptarë dhe botimin periodik “Java e Bibliotekës” me punimet e sesionit “Kujtesa Kombëtare – koleksionet audiovizuale dhe efemeret”.
Në kuadër të ceremonisë, në BKK është hapur edhe ekspozita “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” me kurator Sean Pessin, nëpërmjet së cilës nxirren prej arkivave disa karikatura në shtypin britanik e amerikan nga shekujt XIX e XX. Nëpërmjet tyre, siç prezantohet, “mund të shihet se qëndrimet e Evropës Perëndimore dhe ato amerikane nuk respektonin pretendimet për sovranitetin shqiptar dhe kërkesat për formimin e një Shqipërie zyrtare”. Nëpërmjet 16 veprave të dhuruara nga Qendra për Studime Shqiptare në Londër shpaloset një rrugëtim i gjykimeve, shpesh mendimeve të gabuara e pikëpamjeve të shteteve të fuqishme të Evropës e Amerikës së asaj kohe. Mirëpo, nuk janë veç për shqiptarët. Ato vërehen edhe ndaj grekëve, turqve e popujve të tjerë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është themeluar në vitin 1944 në Prizren.