Mbledhja e trashëgimisë së emigracionit, studimi, arkivimi e ekspozimi te publiku i gjerë janë synimi i ri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Si institucioni kryesor në Kosovë, BKK-ja kësaj çështjeje ia kushton edhe Javën e sivjetshme të bibliotekës. Nën temën “Dokumentimi i kulturës së emigracionit – koleksionet e shtypura dhe digjitale”, BKK-ja të hënën ka hapur edhe edicionin e 19-të të “Javës së bibliotekës”. Për një javë studiues nga vendi, rajoni e disa shtete të botës do të trajtojnë këtë temë nga perspektiva të ndryshme. Në ceremoninë e hapjes së “Javës së bibliotekës” të pranishmit kanë thënë se institucionet e arkivimit të dijes janë platforma të kujtesës së një populli
Emigracioni si fenomen ndër shqiptarët ka zënë fill në kohë goxha të moçme. Por, krijimtaria artistike bashkë me veprimtarinë e gjithanshme kulturore e kombëtare midis emigrantëve nëpër botë nuk është hulumtuar shumë. Mbledhja e kësaj krijimtarie, studimi, arkivimi e ekspozimi te publiku i gjerë janë synimi i ri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Si institucioni kryesor në Kosovë, BKK-ja kësaj çështjeje ia kushton edhe Javën e sivjetshme të bibliotekës. Nën temën “Dokumentimi i kulturës së emigracionit – koleksionet e shtypura dhe digjitale”, BKK-ja të hënën ka hapur edhe edicionin e 19-të të “Javës së bibliotekës”. Për një javë studiues nga vendi, rajoni e disa shtete të botës do të trajtojnë këtë temë nga perspektiva të ndryshme.
Në ceremoninë e hapjes së “Javës së bibliotekës” të pranishmit kanë thënë se institucionet e arkivimit të dijes janë platforma të kujtesës së një populli.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se bibliotekat nuk janë vetëm deponi, arkiv e sistemim i dijes njerëzore ndër shekuj. Sipas tij, janë edhe simbol i kësaj deponie të dijes njerëzore. “’Java e Bibliotekës’ si manifestim tradicional sivjet do të diskutojë për dokumentimin e kulturës së emigracionit shqiptar”, ka thënë ai. Sipas Rugovës, tubimet e kësaj natyre mëtojnë të sjellin rezultate të reja.
E drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se kultura e emigracionit duhet të mblidhet, të ruhet dhe të bëhet e qasshme.
“Qëllimi është që të bashkojmë studiuesit për t’i bërë më të mira e më të pasura bibliotekat. Puna dhe veprimtaria e mërgimtarëve duhet të ruhet. Ata duhet të kujtohen e respektohen. Synimi ynë është që të bëjmë një fushatë kombëtare për përkrahjen e bibliotekave që të mbledhin dhe ofrojnë materiale të trashëgimisë së emigracionit”, ka thënë Gajraku.
Sipas tij, puna në këtë drejtim nuk është rraskapitëse pasi familjarët e veprimtarëve kanë arkivat e tyre dhe në bashkëpunim me bibliotekat mund të bëjnë një punë kolosale.
“Kush e di sa veprimtarë e familje mund të kenë ruajtur dëshmi të punës së tyre për Kosovën e ne nuk e dimë. Sigurisht që ka shumë materiale që rrezikohen të dekompozohen e të humbin përgjithmonë”, ka thënë Gajraku.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se librin, veprimtarinë botuese dhe bibliotekat i kanë adresuar edhe në reformën e përgjithshme për kulturë, e cila veçse ka nisur me miratimin e koncept-dokumentit për kulturë nga Qeveria e Kosovës. Ai është zotuar se institucioni që udhëheq do të përkrahë nismat e tilla, do të ketë politika zhvilluese për bibliotekat e veprimtarinë e librit.
“Libri dhe bibliotekat janë referenca bazë e dokumentimit në një shtet. Biblioteka Kombëtare gëzon një kapacitet të jashtëzakonshëm të cilin po e rrisim çdo ditë e më shumë me mbështetje dhe po e trajtojmë me prioritetin e duhur institucional”, ka thënë ministri Çeku.
E drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, ka thënë se “Java e Bibliotekës është një ndër veprimtaritë më të rëndësishme që organizon institucioni më i lartë bibliotekar në Kosovë.
“Është një manifestim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e bibliotekave në Kosovë. Zgjedhja e temës bosht është një shtysë për të gjitha bibliotekat tona për të shtuar bashkëpunimin e për të mbledhur materiale të reja. Është një temë që ka shumë dimensione”, ka thënë Misha. Sipas tij, sa i përket hulumtimit e studimit të kulturës së emigracionit duhet të marrin rol edhe ministritë e Kulturës së të dyja vendeve. Sipas tij, emigracioni shqiptar ka një mozaik të pasur kulturor, i cili duhet studiuar e shpërfaqur për publikun.
“Është detyra jona ta grumbullojmë këtë trashëgimi dhe ta studiojmë atë. Koha është e pamëshirshme dhe i bën të paarritshme gjërat”, ka thënë ai, duke aluduar se projekte të tilla duhet të jetësohen sa më shpejt. Pas hapjes së “Javës së Bibliotekës” është hapur edhe ekspozita “Kujtesa e Kosovës”, e cila përmban edhe dokumente nga arkivi i familjes Basha, të cilat shpërfaqin jetën dhe veprën e Ydriz Bashës. Nën kurimin e Blerina Vehapit, Eronida Ismajlit dhe Venera Nitajt, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të “Javës së bibliotekës”, që mbyllet në ditën e 11-të të këtij muaji.