“Përvjetorët janë momente për të kujtuar se çfarë ishim dhe për t’u zotuar për çfarë duam të bëhemi. Dhe ajo që duam është një Bibliotekë e hapur, një Bibliotekë që, pos shtëpi e librit, është edhe hapësirë e dijes, hapësirë e kërkimit, e inovacionit dhe e dialogut kulturor”, ka thënë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, në ceremoninë e shënimit të 82-vjetorit të këtij institucioni. Viti 2026 është cilësuar si vit i zgjerimit të veprimtarisë, i zhvillimit institucional dhe i hapjes gjithnjë e më të madhe të Bibliotekës drejt botës
Një videomaterial, ku është inkorporuar narracion me Inteligjencë Artificiale, tregon punën që po e bën Biblioteka Kombëtare e Kosovës për t’i digjitalizuar njësitë bibliotekare, si gazetat, librat, revistat e materialet e tjera. Megjithëse për publikun ende nuk janë të qasshme materialet e digjitalizuara, në shënimin e 82-vjetorit të themelimit të institucionit më të lartë bibliotekar në Kosovë, të pranishmit kanë pasur mundësinë t’i qasen arkivit digjital. Sipas të dhënave të shpalosura nga institucioni, numri i përgjithshëm i faqeve të digjitalizuara ka arritur në rreth katër milionë.
Në ceremoninë e mbajtur të premten mbrëma është promovuar edhe vëllimi i parë i bibliografisë retrospektive “Bibliografia e Librit Shqip 1912–1974”. Një ekspozitë që dëshmon aktivitetet e sivjetshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ka qenë e qasshme për të pranishmit.
Drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se 82 vjet nuk janë shumë, por as pak për jetën e një biblioteke kombëtare, sidomos në rrethanat e një historie si ajo e Kosovës, e përshkuar nga periudha të vështira, ndërprerje e ndryshime të mëdha. Sipas saj, megjithatë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka arritur të mbledhë e të ruajë trashëgiminë e shkruar, duke mbetur një nga institucionet më të rëndësishme dhe një nga institucionet më jetëgjata të kulturës në vend. Ka thënë se viti 2026 ka qenë vit i zgjerimit të veprimtarisë, i zhvillimit institucional dhe i hapjes gjithnjë e më të madhe të Bibliotekës drejt botës. Ka numëruar se gjatë këtij viti kanë realizuar 46 ngjarje e aktivitete në programin vjetor, 15 ekspozita dokumentare, fotografike e kulturore, ndërsa në hapësirat e Bibliotekës janë organizuar edhe rreth 90 aktivitete nga institucione dhe organizatorë të jashtëm. Në këtë rast ka përmendur se kanë mirëpritur vizita e mysafirë të shumtë dhe kanë zhvilluar përfaqësime ndërkombëtare në 11 qytete të Evropës e më gjerë, duke nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

“Këta janë numra, të cilët e dëshmojnë qëllimin tonë për një Bibliotekë më aktive, për një Bibliotekë më të hapur, për një Bibliotekë më të pranishme në jetën kulturore të vendit. Përmes ligjëratave, diskutimeve e ekspozitave kushtuar Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, trashëgimisë së Rilindjes, historisë së Kosovës dhe figurave të rëndësishme të kulturës sonë; përmes promovimeve, konferencave e aktiviteteve përkujtimore, kemi synuar që memorien ta nxjerrim nga arkivat dhe ta kthejmë në një përvojë të gjallë publike”, ka thënë ajo. Rogova-Gaxha ka treguar se një ndër drejtimet më të rëndësishme të këtij viti ka qenë fuqizimi i diplomacisë kulturore dhe se janë angazhuar që Biblioteka të jetë një institucion që e përfaqëson dhe e promovon trashëgiminë e kulturën përtej kufijve të vendit. Ka përmendur pjesëmarrjet në panairet e librit në Leipzig dhe Frankfurt, si dhe në takimet profesionale e kulturore në Bruksel, Venecia, Varshavë, Madrid, Budapest, Sarajevë, Ankara e Vjenë.
“Një zhvillim i veçantë i këtij viti është pjesëmarrja e Kosovës, për herë të parë, si anëtare vëzhguese në rrjetin letrar ‘TRADUKI’, dhe kjo pas një angazhimi të vazhdueshëm institucional. Po ashtu, marrëveshjet me Bibliotekën ‘Marciana’ të Venecias dhe me Bibliotekën Kombëtare të Hungarisë, si dhe bashkëpunimet me institucione homologe evropiane, janë hapa drejt ndërkombëtarizimit të trashëgimisë sonë kulturore e letrare”, ka thënë ajo. Si rezultat me rëndësi strategjike, sipas saj, është funksionalizimi i Rrjetit të Bibliotekave të Kosovës përmes platformës KOHA. Ka thënë se tashmë ky rrjet përfshin Bibliotekën Kombëtare dhe 48 biblioteka të tjera, duke krijuar bazën e një sistemi të përbashkët bibliotekar dhe të një katalogu kombëtar elektronik.
“Krahas kësaj, kemi avancuar ndjeshëm edhe transformimin digjital. Numri i përgjithshëm i faqeve të digjitalizuara ka arritur në rreth katër milionë. Edhe këta janë numra dhe një proces që lë përshtypjen e një procesi teknik. Por kjo është mënyra e re për ta mbrojtur të kaluarën nga dëmtimi fizik, për ta bërë atë më të kërkueshme e më të qasshme. Në këtë drejtim, siç pamë edhe në hyrje të kësaj ceremonie, po eksplorojmë edhe mundësitë e inteligjencës artificiale për modernizimin e kërkimit dhe shërbimeve bibliotekare”, ka thënë Rogova-Gaxha. Po ashtu, ka përmendur edhe botimin e prezantuar në këtë ngjarje. Më pas ka dalë te sfidat infrastrukturore që, sipas saj, janë të mëdha, sikurse ato profesionale e teknologjike.

“Përvjetorët janë momente për të kujtuar se çfarë ishim dhe për t’u zotuar për çfarë duam të bëhemi. Dhe ajo që duam është një Bibliotekë e hapur, një Bibliotekë që, pos shtëpi e librit, është edhe hapësirë e dijes, hapësirë e kërkimit, e inovacionit dhe e dialogut kulturor”, ka thënë ajo.
Zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, fjalën e saj e ka nisur duke cituar Gjergj Fishtën, për të dalë te rëndësia arkitekturore e ndërtesës së Bibliotekës dhe te fakti se si institucioni është prioritet qeveritar.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ vazhdon të jetë një nga institucionet më të rëndësishme të dijes dhe kulturës sonë”, ka thënë Arapi-Krasniqi. Sipas saj, Biblioteka u ka bërë ballë sfidave të shumta historike, duke ruajtur jo vetëm librin dhe dokumentin, por edhe kujtesën intelektuale të shoqërisë sonë. Ka thënë se ndërtesa e saj ikonike, vepër e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq, është pjesë e rëndësishme e identitetit arkitekturor të vendit.
“Zhvillimi i institucioneve tona të dijes kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe mbështetje konkrete. Në vitet e fundit, BKK-ja ka qenë ndër institucionet që ka gëzuar vëmendje të shtuar institucionale. Kjo mbështetje është reflektuar me rritjen e buxhetit, krijimin e qendrës së digjitalizimit dhe pasurimin e koleksioneve me mbi 176 mijë pasuri të reja bibliotekare”, ka thënë Arapi-Krasniqi. Pasurimi i koleksionit nuk është çështje që lidhet drejtpërdrejt me Qeverinë.
Botimin e vëllimit të parë të bibliografisë e ka prezantuar Shqipe Canolli-Haziri, kryesuese e Këshillit Botues në BKK. Ajo ka thënë se bibliografia është shumë më tepër se një përmbledhje retrospektive e të dhënave për veprat e botuara.
“Ajo është një dëshmi e historisë së gjuhës, dijes dhe përpjekjeve për ta ruajtur jetën kulturore edhe në rrethana shumë të vështira”, ka thënë Canolli-Haziri. Sipas saj, nëpërmjet saj dokumentohet jo vetëm ajo që është botuar, por edhe një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë intelektual e kulturor.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës është themeluar në nëntor të vitit 1944, në Prizren, fillimisht si institucion bibliotekar qendror i Kosovës, në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore. Dy vjet më vonë, më 1946, ajo është transferuar në Prishtinë, ku edhe e ka selinë.