E majta franceze fajëson qendrën dhe të djathtën për krizën e kostos së jetesës, e cila gjithnjë e më shumë po shton pakënaqësinë dhe zemërimin te francezët. Ndërsa dhunën ia atribuon të majtës ekstreme, e cila i mohon këto akuza. Nga ana tjetër, e djathta nacionaliste premton se, nëse vjen në pushtet, do të rikthejë rendin dhe sigurinë në rrugët e Francës
Franca ndodhet në një gjendje të trazuar. Borxhi publik në nivele alarmante, një president që po përfundon mandatin pa mbështetje të fortë dhe trazirat masive sociale, të nxitura nga protestat studentore, të cilat janë përshkallëzuar në plaçkitje dhe dhunë.
E shtuna e shkuar shënoi fundjavën e gjashtë radhazi të protestave kundër rritjes së vrullshme të çmimeve, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe rasteve të pretenduara të brutalitetit policor. Dhuna nga ana e protestuesve është ulur krahasuar me muajin e kaluar, por vazhdon të jetë e pranishme.
Presidenti Emmanuel Macron i ka fajësuar publikisht për trazirat siç ka thënë, “delikuentët” dhe “grupet e ekstremit të majtë”, që, sipas tij, synojnë rrëzimin e Republikës Franceze.
Ky është një pretendim i fortë dhe që kërkon shqyrtim.
Trazirat në Francë janë kthyer në një instrument të betejës politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm. E majta franceze fajëson qendrën dhe të djathtën për krizën e kostos së jetesës, e cila gjithnjë e më shumë po shton pakënaqësinë dhe zemërimin te francezët. Ndërsa dhunën ia atribuon të majtës ekstreme, e cila i mohon këto akuza. Nga ana tjetër, e djathta nacionaliste premton se, nëse vjen në pushtet, do të rikthejë rendin dhe sigurinë në rrugët e Francës.
Por, kush janë saktësisht këto grupe të “ekstremit të majtë” për të cilat flet Macroni? Sa të organizuara dhe sa të rrezikshme janë ato?
Është jashtëzakonisht e vështirë të bisedohet me pjesëtarë të së majtës radikale. Ata nuk i kanë shumë për zemër mediat që i quajnë tradicionale. I shohin si pjesë të një establishmenti që shumë prej tyre e përçmojnë.
Mundësia më e mirë ishte të shkoje në protesta dhe t’u afroheshe personave të veshur tërësisht me të zeza dhe me maska (kapuçë që mbulojnë fytyrën dhe që sipas tyre, shërbejnë për të fshehur identitetin nga policia). Kjo është një lloj uniforme jozyrtare, e lidhur me protestuesit e dhunshëm ose ata që shkaktojnë trazira nga e majta, të njohur si “Black Bloc”.
Ata shfaqen në protesta në të gjithë Evropën. Në Francë, zakonisht dalin nga rrugicat anësore të qyteteve, ndërsa protestat gjatë ditës shuhen, bie muzgu dhe policia fillon të shfaqet me forca të plota.
Shërbimet franceze të inteligjencës e nënvlerësuan rëndë shpërthimin e zemërimit, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve pas protestave të muajit të kaluar. Raportohet se më shumë se 1.000 policë u plagosën, ndërsa protestuesve të rinj iu thyen kockat dhe dy prej tyre, sipas raportimeve, humbën nga një dorë në përleshjet me policinë, e cila përdori granata trullosëse.
Gazeta “Le Monde” ka publikuar një artikull që përditësohet vazhdimisht për të hulumtuar numrin në rritje të raportimeve për plagosjen e protestuesve. Federata Franceze e Sigurimeve vlerëson se dëmet ndaj dyqaneve dhe pronës private vetëm më 17 tetor, ditën e trazirave më të mëdha, arritën në rreth 207 milionë euro.
Që atëherë, autoritetet franceze po përpiqen t’i menaxhojnë protestat nën masa të rrepta kontrolli. Prania policore është e madhe. Protestuesit thonë se policia po përdor forcë të tepruar.
Nga fundi i njërës prej protestave të këtij muaji, u pa se personat që synonin të shkaktonin trazira ishin shumë më të paktë në numër. Ata kishin përgatitur shishe qelqi dhe bomba me bojë të bëra në shtëpi për t’i hedhur drejt policisë. Megjithatë, nuk mund të krahasoheshin me shkopinjtë e gomës, granatat trullosëse dhe gazin lotsjellës që kishin në dispozicion policët.
Ndërsa policia i rrethoi me forcë dhe i mbajti të bllokuar, redaktorja për Evropë e BBC-së, Katya Adler u përpoq të bisedonte me personat që synonin të shkaktonin trazira. Pak prej tyre pranuan të komunikonin, por më pas ajo takoi 18-vjeçarin Nas (jo emri i tij i vërtetë) dhe disa miq të tij. Ata pranuan të flisnin vetëm nëse identiteti i tyre do të mbetej i fshehtë. Sipas tyre, kjo ishte për të shmangur identifikimin nga policia.
Duke qëndruar mes policëve, të cilët mbanin shkopinjtë e gomës gati për përdorim, ata dukeshin si mishërimi i stereotipit të protestuesve të dhunshëm të së majtës radikale.
“Pa dhunë nuk arrin asgjë”
“Si mund ta justifikoni dhunën?”, u pyetën.
“Pa dhunë nuk arrin asgjë”, tha njëri prej tyre. “Është e vetmja mënyrë për ta bërë zërin tonë të dëgjohet”.
“Ne vijmë nga një zonë me reputacion të keq. Shkollat tona janë në gjendje të mjerueshme. Mësuesit tanë japin dorëheqje. Të duhen kualifikime për të gjetur një punë të mirë. Në Francë supozohet se të gjithë janë të barabartë. Ne nuk do të heqim dorë nga lufta jonë”, shtoi ai.
Këta të rinj, siç u kuptua, vijnë nga lagjet e mëdha të banimit në periferi të qyteteve franceze, të njohura si “banlieues”, të cilat lidhen me varfërinë, trazirat dhe familjet e emigrantëve të gjeneratës së dytë ose të tretë.
Ata këmbëngulën se nuk ishin politizuar apo organizuar nga e majta radikale, por se ishin thjesht të zemëruar.
Më herët, BBC-ja kishte vënë re dy aktivistë studentorë të së majtës ekstreme, të cilët qëndronin të maskuar mbi strehën e një stacioni autobusi, mbi turmën e protestuesve që valëvisnin pankarta me simbolin e kuq të anarkizmit dhe atë të lëvizjes Antifa (antifashiste).
Ata u përpoqën ta minimizonin dhunën gjatë trazirave, por pranuan të flisnin vetëm nëse do të mbeteshin anonimë.
“Dhuna përfundon duke i dëmtuar lëvizjet tona. Nuk na pëlqen. Por, çfarë është një vitrinë e thyer dyqani në krahasim me përdorimin e armëve trullosëse nga policia kundër nxënësve që protestojnë? Për më tepër, në Francë njerëzit shpesh mbeten pa ngrohje dhe pa ushqim. Ata po humbasin besimin te kjo shoqëri”.
Sipas tyre, në Francë, këto ditë, dhuna e vërtetë është ajo e ushtruar nga shteti.
Shërbimet franceze të inteligjencës vlerësojnë se në vend ka 5.000 aktivistë të “ekstremit të majtë”.
Anticapitalist Starflix (ky është emri i tij i koduar) e konsideron veten një prej tyre. 17-vjeçari është gjithashtu pjesëtar i lëvizjes së dhunshme “Black Bloc”. Ishe dakorduar për një takim në skaj të protestës, pranë një kanali të ngushtë.
I frikësuar se mund të kapej nga policia, ai kërkoi që identiteti i tij të mbetej anonim.
Tregoi disa bomba me bojë të përgatitura në shtëpi – lëvozhga vezësh të mbushura me bojë dhe të mbyllura me ngjitës mjekësor, të cilat i hedh drejt policëve. Ai i mbante në çantën e shpinës, të mbështjella me një fanellë futbolli të ekipit “Italia”, me ngjyrë blu mbretërore.
“Ne i hedhim bombat me bojë drejt pjesës transparente të helmetave të policëve, në mënyrë që ata të detyrohen t’i ngrenë për të parë. Kështu përfundojnë duke thithur gazin e tyre lotsjellës, të cilin e kanë hedhur kundër nesh”, tha ai.
“Mbledhim edhe gurë. Çdo gjë që gjejmë në rrugët e Parisit, për t’i hedhur”.
Meqenëse ai është nën moshën 18-vjeçare, prindërit e tij japin leje për bisedë me të. Sipas Starflix, prindërit i ndajnë bindjet e tij politike, por jo të gjithë protestuesit, të cilët janë të maskuar dhe të veshur me të zeza si ai, mendojnë njësoj.
“Black Bloc nuk është një organizatë e vetme. Është një mënyrë veprimi. Disa prej nesh përdorin dhunën për të detyruar qeverinë të bëjë reforma. Unë dua të sjell një revolucion. Të tjerët janë oportunistë që shfrytëzojnë anonimitetin për të vjedhur gjëra. Kur të gjithë vishemi njësoj, policia e ka më të vështirë të na identifikojë”, thotë 18-vjeçari.
Kur pyetet nëse ka frikë se mund të plagoset ose të arrestohet, ai pranon se po, por thotë se ajo që e frikëson më shumë është mendimi se shoqëria mund të mos ndryshojë kurrë.
Rrjetet sociale luajnë një rol të madh në trazira. Starflix tregon se ai dhe miqtë e tij përdorin aplikacionet Signal dhe Telegram për të organizuar takime gjatë protestave.
Ka shumë faqe interneti dhe profile në Instagram, kryesisht të menaxhuara nga organizata të majta, që ofrojnë këshilla për protestuesit dhe personat që shkaktojnë trazira. Ndër to janë: lëreni telefonin në shtëpi që policia të mos ju gjurmojë, mbulojeni fytyrën për të shmangur identifikimin dhe ndiqni shembullin e ekspertit të arteve marciale Bruce Lee, duke “u bërë si uji”, duke u shfaqur dhe zhdukur mes turmave. Kjo është një këshillë që protestuesit në Hong Kong e përhapën tetë vjet më parë.
Edhe pse përmes këtyre postimeve nuk organizohen drejtpërdrejt protestat apo aktet e dhunës, mund të konsiderohet fakti që grupet i publikojnë këto informacione në internet si një formë nxitjeje apo manipulimi të të rinjve, emocionet e të cilëve janë kaq të forta në Francë.
Të gjithë protestuesit e rinj të dhunshëm me të cilët BBC-ja ka biseduar, këmbëngulën se askush nuk po i drejton apo po i kontrollon.
Ekipit i BBC-së gjen më pas një aktivist me përvojë të gjatë në lëvizjen “Black Bloc”, i cili pranon të flasë.
“Është krejtësisht e pavërtetë ajo që thonë autoritetet, se ne jemi të gjithë të organizuar. Edhe shërbimet e inteligjencës e dinë këtë”, thotë me përbuzje aktivisti. “Është një manipulim i opinionit publik francez, për t’i bërë njerëzit të besojnë se kanë një armik brenda vendit”, shton më pas.
“Ajo që na bashkon është zemërimi”
“Në thelb, njerëzit shkojnë në një protestë, vishen me të zeza dhe bëjnë atë që duan. Ajo që na bashkon është zemërimi, dhe kjo nuk ndodh vetëm në Francë. Të njëjtin zemërim e sheh edhe në protestat në Itali, Gjermani dhe Spanjë. Ai po shpërthen vetvetiu”.
BBC-ja e pyet se a dëshiron ai ta rrëzojë qeverinë franceze.
“Dua vetëm të them se ne nuk e duam dhunën. Nuk dua ta shkatërroj Francën. Ne duam të shkatërrojmë një sistem që, natyrisht, është kapitalist, por synojmë ta ndryshojmë shoqërinë në një mënyrë që, sipas nesh, do të jetë më e mirë për shumicën e njerëzve, për më shumë njerëz. Gjithnjë e më shumë njerëz po e kanë të vështirë t’ia dalin me shpenzimet. Në zonat rurale, njerëzit nuk kanë më mundësi as ta mbushin rezervuarin e veturës me karburant”, thotë ai.
Për të takuar disa prej elementeve më të organizuara dhe më radikale të së majtës ekstreme, duhet të largohesh nga qyteti dhe të udhëtosh drejt zonave rurale të Francës, të veshura me ngjyrat e mrekullueshme të vjeshtës.
Kjo është bota e aktivizmit ekologjik dhe e personave të njohur për akte sabotimi. Një person vazhdon të mbahet në paraburgim në lidhje me zjarrin që përfshiu Bashkinë e Limoges gjatë protestave të muajit të kaluar. Ndërtesa e shkatërruar, por që ende ruan njëfarë elegance, e shekullit XIX, është shndërruar në simbol të gjendjes në të cilën duket se ndodhet aktualisht Franca. Edhe një muaj pas ngjarjes, në ajër vazhdon të ndihet një erë e rëndë djegieje.
I dyshuari 34-vjeçar për zjarrvënie, i cili këmbëngul se është i pafajshëm, vjen nga një fshat i vogël pranë Limogesit, i njohur për komunitetin e tij anarkist dhe ambientalist. Babai i tij, gjithashtu aktivist, është i njohur edhe për shërbimet franceze të inteligjencës. Babai dhe avokati i të dyshuarit nuk pranuan të flisnin.
Në vend të tyre, ekipi i BBC-ja takoi një 39-vjeçar, baba i një fëmije dhe aktivist lokal i së majtës ekstreme prej më shumë se dy dekadash. Ashtu si personat e tjerë, ai pranoi të fliste vetëm me kusht që identiteti i tij të mbetej anonim.
“Ne të gjithë u tronditëm nga zjarri në bashki, edhe pse po e shikonim të ndodhte para syve tanë, por është detyra jonë të veprojmë”, thotë ai.
“Nuk mund t’ia lë këtë botë djalit tim në gjendjen në të cilën ndodhet. Shikoni se si shteti përdor automjete ushtarake dhe forcë brutale kundër studentëve tanë të rinj.
“A duhet të vritet një polic që shteti të fillojë të dëgjojë?”
“Është e pabesueshme që njerëzit nuk kanë marrë armët kundër tyre. A duhet të vritet një polic që shteti të fillojë të dëgjojë?”.
“Kur isha fëmijë, u edukova me vlerat franceze – lirinë, barazinë dhe vëllazërinë, por kur shoh padrejtësitë sociale në botë sot, ndihem i neveritur. Si baba, nuk mund të lejoj që kjo të vazhdojë. Nëse është e nevojshme, do të merrja një plumb për të mbrojtur rininë e këtij vendi”, shton ai.
Këto janë fjalë që tingëllojnë të rrezikshme, por e majta radikale nuk duket se është mjaftueshëm e madhe, e armatosur apo e bashkuar për të përbërë një kërcënim serioz për Francën.
BBC-ja ka provuar vazhdimisht të kontaktojë edhe shërbimet franceze të inteligjencës, por ato nuk pranuan të komentonin. Ndoshta kjo tregon ndjeshmërinë e madhe të situatës aktuale, veçanërisht kur Franca po i afrohet me shpejtësi zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet të zhvillohen në një klimë tejet të tensionuar.
Megjithatë, Michel Klein, ish-komisioner policie, i cili është pensionuar së fundmi, tha se nuk beson që e majta radikale përbën një kërcënim serioz për shtetin francez.
“Besoj se e majta radikale dhe anarkistët kanë vullnetin të përpiqen ta shkatërrojnë Republikën, por është e qartë se nuk i kanë mjetet për ta bërë këtë”,tha ai.
Ai nuk sheh rrezik për një luftë civile në Francë, një mundësi për të cilën dëgjon të flasin disa njerëz në vend këto ditë, por identifikon një rrezik në rritje për përleshje mes grupeve të ekstremit të majtë dhe atij të djathtë përpara zgjedhjeve presidenciale.
Sondazhet aktualisht parashikojnë që në rundin e dytë të zgjedhjeve të përballen kandidatja nacionaliste Marine Le Pen dhe kandidati antikapitalist Jean-Luc Melenchon.
Kandidati i njohur i së majtës ekstreme për president, Melenchon, merr pjesë në shumicën e demonstratave, ndërsa mbështetësit e tij shpërndajnë fletushka politike mes turmave që brohorasin. Megjithatë, ai mohon çdo lidhje me dhunën.
Franca është kaq e polarizuar, saqë ka pak shenja se zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm do ta qetësojnë situatën. Kjo përzierje e trazirave të së majtës dhe së djathtës, e tensioneve sociale dhe politike, duket si një stuhi e përsosur që po përgatitet të shpërthejë.