Fondi i librave, të cilin e posedon biblioteka e qytetit “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, është pasuruar me 1 mijë e 426 tituj të rinj. E gjithë kjo i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 50 mijë euro. Titujt të cilët janë shtuar bazohen në kërkesat që i kanë pasur rreth 8 mijë lexues të cilët e kanë vizituar këtë Bibliotekë gjatë vitit 2019. Sipas udhëheqësve të Bibliotekës, shtimi i këtyre titujve të rinj ka bërë që rreth 90 për qind e kërkesave që kanë lexuesit të plotësohen. Po ashtu është thënë se pasurimi i këtij fondi do të ishte mirë që të bëhej edhe më shpesh dhe jo vetëm një herë në vit.
Lajmin për pasurimin e fondit të bibliotekës “Hyvzi Sulejmani” e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai ka shkruar se prej literaturës angleze dhe asaj franceze e deri te përrallat për më të vegjlit, tirazhi për bibliotekën ”Hivzi Sulejmani” po vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë.
“Bibliotekës komunale ‘Hivzi Sulejmani’ iu shtuan edhe 1.426 tituj të ndryshëm të cilët prej kohësh ishin të kërkuar nga lexuesit e këtij institucioni. Në listën e shfrytëzueseve të rregullt, përpos qytetarëve, ka edhe një numër të madh studentësh, kërkesat e të cilëve janë mirëpritur nga menaxhmenti i bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani’”, është komenti i Ahmetit.
Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni, ka thënë se përzgjedhja e titujve është bërë në bazë të dy kritereve që ata i kanë vendosur.
Mynishi ka treguar se më 2019-n, Biblioteka ka pasur mbi 8 mijë e 300 lexues, ndërsa mbi 12 mijë libra janë tërhequr për lexim/ Alberina Haxhijaj.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)