Te kaosi i përditshmërisë në Tiranë, Olson Lamaj gjen estetikën unike, tek luan me imazhet. Pastaj krijon rrëfimin dhe personazhe janë një karrige, kabllo a vrima në mur. Ekspozita e tij “Between Patterns and Shadows” ka përmbyllur të parin edicion të ngjarjes, që “Fondacioni Shtatëmbëdhjetë” e ka quajtur “Pop-up Art Week”, ku artistëve u jep hapësirë e publiku duhet të “shpejtojë” ta zërë artin, sepse ai shfaqet brenda orësh
“Between Patterns and Shadows” në “Galerinë 17” krijon një kompozicion të tërë, ku imazhet pavarësisht dikotomisë gjejnë paqe në bashkëjetesë, e cila përkthehet ndryshe dhe si një kakofoni paternash, simbolesh e detajesh nga përditshmëria e hapësirave urbane. Olson Lamaj përmes shkrepjes së këtyre fotografimeve, arkitekturës e detajeve të tjera stilistike të përditshmërisë u jep ngjyrime antropologjike, duke e bërë kompozicionin në tërësi si një tentim të pavetëdijshëm për etnografi.
Ekspozita e hapur të enjten mbrëma i sjell Prishtinës një copëz nga Tirana, e cila përmban venerimet e artistit në kaosin urban të qytetit, ku ai vetë është lindur e rritur. Por aty gjen vlera estetike nisur edhe nga subjektiviteti i tij. Ato mund të duken të rëndomta – një karrige plastike e vendosur si ndalesë në një trotuar, kangjella të banesave, tela elektrikë – por artisti arrin që në thjeshtësinë e tyre të gjejë artistiken, intervenimin e pavetëdijshëm të njerëzve që u jep atyre epitetin e artistikes.
“Krijimi i këtij cikli ka lindur në mënyrë spontane, sepse unë jam rritur në këtë lagje të Tiranës me shumë jetë, ku prezenca njerëzore luan rol kyç edhe pse njeriu nuk është drejtpërdrejt në fokus”, ka thënë artisti, duke theksuar se ai synon të kapë universalen, aty ku ndihet prezenca njerëzore, e cila lidhet mjeshtërisht me aspektin estetik të arkitekturës si spektër me ndikim në jetë.
Ekspozita e tij ka përmbyllur atë që “Fondacioni Shtatëmbëdhjetë” e ka quajtur “Pop-up Art Week” si një formacion i ri i aktiviteteve që u ofron artistëve hapësirë për të ekspozuar veprat e tyre të dimensioneve të ndryshme artistike. Thirrja rezultoi si mjaft e nevojshme pas aplikimeve të shumta. Juria e përbërë nga njohëse të fushës së artit, si Catherine Nichols, Fatime Kosumi dhe Doruntina Kastrati hapi rrugën që kjo përvojë unike të sjellë së bashku gjashtë artistë të ndryshëm dhe të talentuar, duke ekspozuar instalacionet e tyre të veçanta për një kohë të kufizuar prej pesë orësh në hapësirat e ofruara nga “Galeria 17”.

Me një koncept si ky synohet thyerja e barrierave tradicionale midis artit dhe audiencës së tij, duke ofruar një përvojë të re, e cila inkurajon pjesëmarrësit të ndërveprojnë me artin dhe ta shijojnë atë. Mirëpo natyra e shkurtër e eventit gjithashtu i shton një element ekskluziviteti vetë ngjarjes, dhe mundësisë për t’i parë ato vepra artistike vetëm për një kohë të caktuar.
Sihana Klisurica, menaxhere e komunikimit në “Fondacionin Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se një praktikë e tillë është nisur nga nevoja e vazhdueshme e artistëve për hapësira të destinuara për ekspozim.
“Kemi menduar që i kemi borxh komunitetit me hapë një galeri për të tjerët, sepse vetë ‘Galeria 17’, është jetësu falë ndihmës së komunitetit”, ka thënë ajo. Për artistët e përzgjedhur është ofruar ndihmë duke e mundësuar edhe procesin e promovimit të këtyre ekspozitave, instalimin e veprave dhe konsultimin e artistëve pjesëmarrës me profesionistë.
“Pop-up Art Week” nisi më 11 dhjetor, ndërsa përfundoi me “Between...” Ekspozitat që u paraqitën gjatë këtyre gjashtë ditëve përfshinin videoinstalacione, audioinstalacione, performanca e instalacione që e ftojnë audiencën në interaktivitet. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të njihen nga afër me veprat dhe artistët pjesëmarrës si Gerta Xhaferaj me veprën “Descent into Limbo”, Endrit Jashanica me “Nuk i dua retë”, Fjolla Voca dhe Zanë Xhuli me “Illumination Sounds”, Likana Cana me “Space Available” dhe Rina Treml me Ylber Mehmetin në instalacionin “Loçkë”.
Me “Between Patterns and Shadows”, Olson Lamaj sjell peizazhin e sinqertë që me raste shndërrohet në diçka jo fort të këndshme. Ashtu qenë dy fotografi të vendosura afër njëra-tjetrës në ekspozitë, të veçuara nga të tjerat. Njëra – një zog pikalosh i ngordhur në rrugë e tjetra një fasadë me vrima, e cila jep përshtypjen e një dizajni “polka dot”. Por ka diçka që i lidh ato. Vrimat e fasadës dhe dizajni natyral i puplave të zogut duket se i përgjigjen njëra-tjetrës me mirëkuptimin që vetëm një sy artisti mund t’i përputhë. Kështu Lamaj i jep artit të tij përmes fotografisë edhe një qasje groteske, si element i paevitueshëm në përditshmëritë urbane. Ai nuk synon të zbukurojë asgjë, e gjen të bukurën tek objektet e fotografuara. Për syrin ofron spektaklin për të cilin nuk duhet blerë biletë, sepse është prezent përreth, çdo ditë.
Kjo prozë e artistit Olson Lamaj përmes fragmenteve vizuale u kushtohet vendit të tij dhe të fshehurave që nuk e shohin dritën.
“… formojnë simbole të koduara, si shkronjat e një alfabeti të një gjuhe të panjohur të fshehur në rrugicat sekondare, ku jeta intime e banorëve zhvillohet. Larg propagandës, politikës dhe turistëve të vërshuar kohëve të fundit”, thuhet në konceptin e ekspozitës.