Benjamin Von Wong, një artist dhe aktivist kanadez, e projektoi skulpturën gati 6 metra të lartë të quajtur “Barra e Mendimtarit” dhe e ndërtoi me një ekip. Ajo është interpretimi i tij i skulpturës së famshme të Auguste Rodin, “Mendimtari” në Paris. Në javën e dytë të negociatave të hënën për një marrëveshje globale për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, artisti grumbulloi mbetjet plastike mbi një skulpturë të madhe para zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë
Përderisa shtetet filluan javën e dytë të negociatave të hënën për një marrëveshje globale për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, një artist grumbulloi mbetje plastike mbi një skulpturë të madhe para zyrës së Kombeve të Bashkuara.
Delegatët e bisedimeve për traktatin kalojnë çdo ditë pranë skulpturës, si një kujtesë për përgjegjësinë e tyre për të zgjidhur krizën e ndotjes plastike. Bisedimet pritet të përfundojnë të enjten.
Benjamin Von Wong, një artist dhe aktivist kanadez, e projektoi skulpturën gati 6 metra të lartë të quajtur “Barra e Mendimtarit” dhe e ndërtoi me një ekip. Ajo është interpretimi i tij i skulpturës së famshme të Auguste Rodin, “Mendimtari” në Paris.
Ka një figurë mashkullore në thellësi mendimi, siç e paraqiti Rodin. Por, në vend që të jetë ulur mbi një shkëmb, figura e Von Wong është ulur mbi “Nënën Tokë”, duke mbajtur në krahë një fëmijë dhe duke shtrënguar shishe plastike. Një zinxhir ADN-je i lidh së bashku, për të nxjerrë në pah ndikimet e ndotjes plastike në shëndet.
Me ndihmën e vullnetarëve, Von Wong po shton mbetje plastike në instalacion gjatë gjithë kohës së negociatave për të pasqyruar koston në rritje të mosveprimit. Të hënën, ai u ngjit në një shkallë për të arritur majën e skulpturës dhe për të thurur shishe plastike nëpër ADN. Ai vendosi përpara edhe një makinë lodër plastike.
“Deri në fund të kësaj jave, ne duhet të kemi një skulpturë pothuajse të mbytur krejtësisht nga plastika; megjithatë, shpresa është që një traktat i fortë dhe ambicioz për plastikën do të thotë që mund ta zgjidhim këtë problem një herë e përgjithmonë”, thotë tha ai.
Fondacioni “Minderoo”, një organizatë bamirëse australiane, ishte donatori më i madh i projektit. Organizata vendore jofitimprurëse dhe grupet komunitare mblodhën mbeturinat plastike.
Duke qëndruar pranë skulpturës, Maria Ivanova, një eksperte e qeverisjes mjedisore ndërkombëtare, tha se ajo “të zgjon”. Ivanova është bashkëdrejtuese e Qendrës për Plastikën në Universitetin Northeastern në Boston.
“Njerëzit nuk ndryshojnë mendim për shkak të fakteve. Ata e bëjnë këtë për shkak të ndjenjave”, tha ajo. “Dhe këtu mendoj se arti është absolutisht thelbësor për të lëvizur gjilpërën e politikave”.
Delegatë dhe turistë ndaluan për t’i bërë pyetje Von Wong mbi punën e tij dhe për të pozuar për foto para saj. Michael Bonser, kreu i delegacionit kanadez, e quajti veprën artistike “jashtëzakonisht të thellë”.
“Ajo na jep një ndjesi, çdo ditë, për atë që duhet të bëjmë brenda sallës, për atë që duhet të marrim me vete kur të dalim jashtë. Dhe kjo është një marrëveshje që na lejon të kthejmë prapa trendin,” tha ai. “Do të jetë sfiduese, por mendoj se është e mundur”.
Rreth 3,700 persona po marrin pjesë në bisedime, duke përfaqësuar 184 vende dhe mbi 600 organizata. Ata po hartojnë traktatin e parë global, ligjërisht të detyrueshëm për ndotjen plastike.
Shumë bien dakord se ritmi i negociatave duhet të përshpejtohet. Ata mbërritën në Gjenevë me qindra mosmarrëveshje për t’u zgjidhur. Numri i çështjeve të pazgjidhura u rrit javën e kaluar, në vend që të zvogëlohej.
Komisionerja evropiane, Jessika Roswall, thotë se është e shqetësuar për mungesën e përparimit dhe “është koha për të marrë rezultate”. Roswall është komisionere për mjedisin, qëndrueshmërinë e ujit dhe ekonominë rrethore konkurruese.
Drejtoresha Ekzekutive e Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, Inger Andersen, u tha gazetarëve se ende është e mundur të arrihet një traktat këtë javë që i jep fund ndotjes nga plastika.
“Kjo është e arritshme”, thotë Andersen. “Dritarja mbetet e hapur për të lënë Gjenevën me këtë traktat”.