Shtojca për Kulturë

Bienalja e Venecias marramendëse, e çuditshme dhe kaotike

Robotët në Bienalen e Arkitekturës në Venecia në ekspozitën kryesore në Arsenale (Foto: The Guardian)

Robotët në Bienalen e Arkitekturës në Venecia në ekspozitën kryesore në Arsenale (Foto: The Guardian)

Nga printimi 3D me baktere, te humanoidët që përziejnë kokteje, nga e ardhmja e kostumeve hapësinore deri te siguritë e ofruara për ndryshimet klimatike, ekspozita marramendëse dhe e çuditshme e Bienales së Arkitekturës në Venecia do të kishte nevojë për një vizion më të përqendruar kuratorial

Oliver Wainwright

Një mur i paqëndrueshëm me tulla të gjelbra të ndotura i mirëpret vizitorët në Bienalen e Arkitekturës së Venecias këtë vit, duke formuar një bllokadë imponuese afër fillimit të ekspozitës. Blloqet janë bërë nga bio-cement, duke përfshirë rrjeta peshkimi dhe alga të nxjerra nga thellësitë e lagunës së Venecias. Pjerrësia e murit ndjek kurbën e rritjes së popullsisë globale gjatë mijëvjeçarit të fundit, duke përfunduar papritur afër tavanit për të përfaqësuar kulmin e afërt të njerëzimit.

“Çfarë na pret në anën tjetër të kodrës?”,  pyet Carlo Ratti, drejtori i Bienales së këtij viti, teksa qëndron përballë shkëmbit të rëndësishëm. Përgjigjja është një grumbull i madh lëndë të ndotura. Një mal që fermenton si myk është grumbulluar pas murit, dukshëm një alegori për inteligjencën mikrobiale. Por mund të jetë gjithashtu një metaforë për pjesën më të madhe të veprave që pasojnë në sallën e madhe të ekspozitës. 

“Instalacioni synon një etikë alternative”, thotë një përshkrim i paqartë. “Një plastikë bashkëpunuese, trans-specie, që është vetë inteligjencë”.

“Të menduarit e mençur” në Bienale (Foto: The Guardian)

Mund t’ju duhet të sillni një fjalor shkencor në ekspozitën e këtij viti, bashkë me shumë durim. Ratti, profesor në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT), ku ai drejton atë që quhet “Senseable City Lab”, ka mbledhur një kastë mahnitëse prej 750 pjesëmarrësish — rreth 10 herë më shumë se numri i zakonshëm — shumica akademikë, të bashkuar nën ombrellën e gjerë të “Inteligjentëve”. Rreth 300 projekte janë të organizuara lirshëm rreth temave të inteligjencës natyrore, artificiale dhe kolektive, duke paraqitur eksperimente në çdo gjë, nga printimi 3D me baktere, planet e dyshemeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, e deri tek e ardhmja e kostumeve hapësinore. Ka shumë robotë dhe shumë pemë – dhe disa kombinime të të dyjave. Mos kini frikë nga kriza klimatike, ekspozita synon t’i sigurojë vizitorët: një bashkim harmonik i teknologjisë dhe natyrës do të na shpëtojë.

“Humanoidët janë këtu!”

Ka shumë punime për të kënaqur adhuruesit e teknologjisë. “Humanoidët janë këtu!”, njofton Ratti me entuziazëm, teksa arrijmë në një hapësirë apokaliptike me trungje pemësh të djegura, ku një robot shkel me këmbët e tij metalike në mënyrë të ngathët, ndërsa një tjetër godet një daulle çeliku. Gjatë gjashtë muajve të ekspozitës (deri në nëntor) thotë ai, këta humanoidë do të mësojnë aftësi të ndryshme, përfshirë përgatitjen perfekte të një “Aperoli”. Aty pranë, një tjetër robot varet nga tavani, duke u dridhur brenda një kafazi prej çeliku, që ishte endur nga robotë të tjerë në një universitet zviceran. Diçka që i ngjan një fotokopjuesi të ndjeshëm vjen drejt meje, hap një kapak dhe më kërkon të skanoj një kod QR. Nuk ngarkohet. Më tej, më shumë robotë përballen me njerëzit: dy mjeshtër nga Butani gdhendin me durim një tra dekorativ të ndërlikuar për një aeroport të ri të projektuar nga Bjarke Ingels, përkrah një versioni shumë më të ashpër të së njëjtës vepër, të gdhendur nga një krah robotik i udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale. “Robotika nuk e zëvendëson mjeshtërinë, por e përmirëson atë”, pretendon përshkrimi, përkundër çdo prove që tregon të kundërtën.

Arkitekti japonez, Kengo Kuma, ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të analizuar gjeometrinë e pemëve të rrëzuara dhe për të gjeneruar nyje të printuara në 3D për t’i bashkuar ato

Printerë robotikë janë përdorur gjithashtu për të krijuar struktura të shumta sferike – disa që ngjajnë me foletë e termitëve, të tjera si pemë. Arkitekti holandez, Winy Maas, imagjinon një “arkitekturë dinamike të bio-materies” që ftoh, filtron ujin dhe rigjeneron, duke paraqitur një model të frymëzuar nga rrënjët e mangrovave, i bërë nga rëra dhe balta. Duket si një skenë nga një film horror fantastiko-shkencor. 

Arkitekti japonez, Kengo Kuma, ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të analizuar gjeometrinë e pemëve të rrëzuara dhe për të gjeneruar nyje të printuara në 3D për t’i bashkuar ato. Rezultati është një grumbull i çrregullt trungjesh të lidhura me nyje të bardha të trasha, shumë më pak efikase (ose të bukura) sesa përdorimi i teknikave të zakonshme të zdrukthtarisë. “Shpresoj të jetë e bio-degradueshme”, thotë Ratti, duke prekur materialin si gomë, dhe duke mos dhënë përshtypjen se ka njohuri të detajuar të projekteve të ekspozuara.

Kaosi i stërmbushur

Nuk është aspak çudi. Në vend që të përzgjedhë me kujdes një grup arkitektësh ose studiuesish, punën e të cilëve ai e vlerëson — siç është zakonisht roli i një kuratori — Ratti vendosi të bënte një thirrje të hapur. “Desha të prezantoja një qasje ‘nga poshtë-lart’, ndryshe nga procesi i zakonshëm që është ‘nga lart-poshtë’”, thotë ai. “Për të krijuar një superorganizëm të rrjetëzuar”. Është një ambicie për t’u admiruar, por që rezultoi në mbi një mijë propozime për pjesëmarrje dhe pak ndjesi kontrolli të cilësisë. Ana pozitive është se kjo u ka dhënë hapësirë disa zërave më margjinalë, herë pas here kritikë. Grupi aktivist “Architecture Lobby” ka krijuar një instalacion mbresëlënës mbi kushtet e punës së arkitektëve.

“Faleminderit për punën tuaj pa pagesë”, thotë një pankartë e madhe në pjesën e pasme të stendës së tyre, e vendosur me zgjuarsi pranë skenës ku drejtorët e firmave të mëdha të arkitekturës do të flasin javët në vijim. Ekziston një urë e improvizuar e ndërtuar nga protestuesit për të pushtuar një pyll të rrezikuar në Gjermani, dhe një film për rinovimin e banesave publike në Evropë, por është e vështirë të dallosh vlerën e së vërtetë mes këtij kaosi të stërmbushur.

Fondacioni “Norman Foster” në bashkëpunim me kompaninë “Porsche” (Foto: The Guardian)

Meqë pavijoni qendror i Giardinit në Venecia (një nga dy vendet kryesore të Bienales) është mbyllur për restaurim, ekspozitat janë zhvendosur në ish-fabrikën e prodhimit të litarëve. Rezultati është edhe më kaotik se zakonisht, si një panair shkencor i shkollës së mesme në superlativa, ku çdo ekspozues bërtet me zë të plotë për eksperimentin e vet novator. Shumë prej tyre janë produkte të departamenteve kërkimore të universiteteve, “dhe disa prej fituesve të çmimit ‘Nobel’”, shton Ratti. Atmosfera është shumë e ngjashme me Bienalen e vitit 2021, e kuruar nga një tjetër profesor i MIT, Hashim Sarkis, me po aq zhargon të pakuptueshëm. Presidenti i bienales, i emëruar nga partia djathtiste, Pietrangelo Buttafuoco, do të bënte mirë të zgjeronte horizontin e tij, ndoshta edhe përtej mureve të vetëpërfshira të akademisë.

Egoja për vëmendje

Ndjesia e përgjithshme e ‘déjà-vu’-së theksohet edhe më shumë nga komisionet më të mëdha, të cilat kanë një frymë çuditërisht retro. Janë të pranishëm të njëjtit emra të mëdhenj me të drejtë të vetëdeklaruar, që bashkëpunojnë me sponsorë të pasur, duke krijuar një atmosferë që të kujton Ekspozitën Verore të Akademisë Mbretërore, ku egot e mëdha gjejnë mënyra për të dalë në pah dhe për të kërkuar vëmendje. Në një nga vendet më të spikatura, fondacioni “Norman Foster” ka krijuar një rampë të madhe tubulare në bashkëpunim me kompaninë “Porsche”, e mbështjellë me një lëkurë metalike që valëvitet si luspa. Ajo ngjan me një eksperiment të dizajnit parametrik nga fillimi i viteve 2000. Ekipi e përshkruan atë si “një manifestim fizik i ndërthurjes së ëndrrave dhe realitetit, frymëzuar nga natyra dhe teknologjia”. Rampa të çon drejt një pontoni lundrues për një flotë biçikletash uji – një nga pasionet e Fosterit – ku vizitorët mund të lëshohen në ujë, pranë një habitati lundrues për bulkthat e rrezikuara.

Aty pranë, Philippe Starck, ylli i dizajnit të viteve ‘90, ka ngritur një çadër të madhe prej plastike, që strehon atë që duket si një sallon për ekspozim makinash SUV. “Një shtëpi me çmimin e një makine”, shkruhet në shpjegim.

Pavijoni i Danimarkës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia (Foto: The Guardian)

“Espressoja më e mirë në Venecia”

Duke vazhduar me temën nostalgjike, marka amerikane “Diller Scofidio + Renfro” ka ringjallur një propozim që e kishin menduar fillimisht për Bienalen e vitit 2008 (i ndërprerë nga burokracia rregullatore), për të pastruar ujin e kanaleve të Venecias për të bërë espresso. Ende është në pritje të miratimit nga autoritetet shëndetësore, por Ratti premton se së shpejti do të shërbejë “espresson më të mirë në Venecia”, në bashkëpunim me një shef kuzhine të vlerësuar me yll “Michelin”. Nigel Coates, që gjithashtu ishte pjesë e edicionit të vitit 2008 të Bienales, është rikthyer me një nga modelet e tij të çuditshme të masterplanit, të ndërtuar nga pjesë të ndryshme. Por këto shaka tashmë duken paksa të lodhura. Bota ka ndryshuar, ka ecur përpara.

Në fund të fundit, mungesa e një vizioni të qartë kuratorial dhe një përzgjedhje e mençur janë dobësitë më të mëdha të Bienales, së bashku me shkallën e madhe të kaosit dhe kakofonisë. Nëse do të kalonit dy ditë të plota në ekspozitën kryesore, do të kishit vetëm 72 sekonda për t’i kushtuar secilit pjesëmarrës. Shtojani kësaj edhe 66 pavijonet kombëtare, me rreth 400 kontribuues të tjerë dhe ju mbeten rreth 45 sekonda për secilin. Është një detyrë e pamundur – si të përpiqesh të përfundosh gjithë internetin. Dhe kjo është një gjë aspak e këndshme.

Pavijoni i ShBA-së në Bienale (Foto: The Guardian)

Orientimi me Inteligjencë Artificiale  

Fatmirësisht një revistë holandeze për arkitekturën, “Volume”, ka dalë me një ndihmë të shkëlqyeshme. Kontributi i tyre është një kritikë e mprehtë ndaj formatit të Bienales, në formën e një aplikacioni të drejtuar nga IA-ja që i ndihmon vizitorët të orientohen në këtë sfidë. Mund të vendosësh gjërat që të interesojnë, të zgjedhësh tipin e personalitetit të udhërrëfyesit tuaj, dhe aplikacioni do të krijojë një itinerar të personalizuar si dhe do të përkthejë zhargonin e padepërtueshëm në muret e ekspozitës. Bazuar në përmbajtjen e shkruar të Bienales së vitit të kaluar (që ishte më e vogël), redaktori i revistës “Volume”, Stephan Petermann, thotë se një lexuesi mesatar do t’i duheshin më shumë se dy vjet për ta përfunduar. Nëse filloni tani, ndoshta do të keni një mundësi për ta përvetësuar ofertat e këtij viti, para Bienales së radhës në 2027. Ose, siç bënë kuratorët për të gjeneruar përshkrimet e tyre, mund t’ia fusni të gjitha në ChatGPT.

Ndërsa ekspozita kryesore mund të të lë me një ndjesi “të rëndë në stomak”, Giardini – kopshti që strehon shumicën e pavijoneve kombëtare – ofron këtë vit një kundërpeshë freskuese, pjesërisht sepse shumë nga pavijonet janë të mbyllura. Pavijoni çek dhe sllovak është mbyllur për rinovim, ashtu si edhe ai francez (të cilët e kanë vendosur ekspozitën në skelat përreth ndërtesës). Nxitja e luftës ka mbyllur pavijonin izraelit dhe atë rus, megjithëse Thomas Heatherwick po organizon një ngjarje në këtë të fundit, duke shtruar pyetjen: “Si mund t’i bëjmë fasadat e ndërtesave rrënjësisht më njerëzore?” Mos bombardimi i tyre mund të jetë një fillim i mirë!

Pavijoni i Estonisë (Foto: The Guardian)

Riparimi dhe rinovimi – tema që përsëriten

Duke qenë në përputhje me nivelin aktual të shkatërrimit global, riparimi dhe rinovimi janë tema që përsëriten. Pavijoni danez duket sikur një bombë ka shpërthyer brenda tij – dhomat janë të mbushura me grumbuj rrënojash, duke treguar punimet e rinovimit në kohë reale që arkitekti dhe kuratori, Søren Pihlmann, po kryen në ndërtesën e viteve ‘50. Pjesë të mëdha të materialeve të ruajtura gjatë riparimit janë kthyer në një gamë të ashpër stolash dhe bazamentesh. Pavijoni finlandez ndjek një qasje të ngjashme, duke shfaqur filma mbi punën e kujdesshme të mirëmbajtjes që i është bërë pavijonit të projektuar nga Alvar Aalto, duke theksuar njerëzit e përfshirë, si edhe kontributin e bashkëshorteve të Aaltos, Aino dhe Elissa, në veprën e tij të famshme, duke sfiduar kështu historinë e autorësisë.
Pavijoni amerikan është një himn popullor për dashurinë që ka vendi ndaj verandës. Ata kanë ndërtuar një platformë të pjerrët prej druri, nga Marlon Blackwell, përpara pavijonit neoklasik, duke shfaqur portikun me pjerrtësi të ndërtesës – një sfidë për mandatin e administratës Trump për bukurinë klasike. Ndërkohë, Japonia argëtohet me Inteligjencën Artificiale, duke u dhënë pjesëve të ndryshme të pavijonit personalitete individuale dhe duke lënë modelin gjuhësor të gjenerojë dialogë gjithnjë e më surrealë, ndërsa kolonat debatojnë me muret. Kjo lexohet si një kritikë e butë dhe tallëse ndaj përdorimeve serioze, teknokratike të AI-së. Polonia është po aq lozonjare, duke ndjekur një qasje poetike ndaj ndjesisë së sigurisë që arkitektura supozohet të ofrojë, dhe duke u frymëzuar nga traditat polake të shtimit të elementëve mbrojtës në ndërtesa kundër fatkeqësive. Hapësira e tyre verbuese për një fikëse zjarri, e zbukuruar me gurë dekorativë dhe guaska, e ngre këtë pajisje të zakonshme sigurie në statusin e një perëndie shtëpiake.

Jashtë Giardinit, kontributi i Hong-Kongut është një tjetër pikë e fortë, që feston historinë e rajonit me skelat prej bambuje (tani të rrezikuara pas një vendimi të fundit) dhe nxjerr në pah një sërë ndërtesash të rëndësishme të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, që po përballen gjithnjë e më shumë me rrezikun e shembjes. Pavijoni i Ukrainës sjell një vështrim prekës mbi banesat tradicionale të vendit dhe përpjekjet vetjake për t’i rindërtuar e mirëmbajtur përballë agresionit të pandalur rus. Por është Pavijoni i Estonisë ai që godet më fort. Treshja kuratoriale e arkitekteve të reja femra ka arritur disi të sigurojë leje për të veshur një cep të një ndërtese të njohur veneciane, buzë ujit, me panele të bardha, tmerrësisht të shëmtuara, si një kritikë therëse ndaj programit shtetëror për izolimin e jashtëm të ndërtesave të banimit. Është një mesazh brilant dhe i drejtpërdrejtë, i plotësuar nga rrëfime argëtuese të përjetimeve të banorëve brenda tyre.

Por ekspozita më mbresëlënëse arkitekturore nga të gjitha gjendet jashtë – dhe ofrohet falas. Sheshi i Shën Markut, zemra simbolike e perandorisë veneciane që nga shekulli i nëntë, po gërmohet aktualisht, si pjesë e punimeve për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve 
 

Po ne? Edhe një herë, pavijoni britanik vuan nga sëmundja e zakonshme: dëshira për të qenë një ekspozitë e artit bashkëkohor, duke bashkuar disa komisione të ndryshme nën një temë të paqëndrueshme – këtë herë, “Great Rift Valley” (Lugina e Madhe e Çarjes). Modele të krijuara nga skanime 3D të shpellave në Kenia qëndrojnë pranë një projekti për rindërtimin e Gazës, murale me grafite të frymëzuara nga mbeturinat hapësinore dhe një propozim për serën e kopshtit Kew, si një “vend për drejtësi gjeneruese”, e veshur me pllaka bioplastike dhe kërpudhash. Është një përzierje e çuditshme, por të paktën duket mirë nga jashtë. Ndërtesa klasike është mbuluar me një perde të tejdukshme prej rruazash të pjekura nga dheu kenian, si një koment mbi shfrytëzimin kolonial.

Në anën tjetër të qytetit, dy ekspozita shtesë ia vlejnë të vizitohen. Të apasionuarit pas infografikave do të kënaqen me grumbullimin madhështor të diagrameve nga OMA, që ekspozohen në “Fondazione Prada”, duke filluar nga skicat e hershme islame të trupit, deri te skemat e luftës moderne. Qendra e re e artit “San Marco” (SMAC) është gjithashtu një kënaqësi, me një ekspozitë mbi modernistin australian të nënvlerësuar, Harry Seidler, dhe arkitekten koreano-jugore të peizazhit, Jung Youngsun. Është mirë të rikujtohemi se si duket qartësia kuratoriale.

Por ekspozita më mbresëlënëse arkitekturore nga të gjitha gjendet jashtë – dhe ofrohet falas. Sheshi i Shën Markut, zemra simbolike e perandorisë veneciane që nga shekulli i nëntë, po gërmohet aktualisht, si pjesë e punimeve për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve. Kjo po që është inteligjencë e vërtetë në veprim.