Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Balkan Trafik” për ndërtimin e urave nëpërmjet muzikës

Bruksel, 25 prill - Festivali “Balkan Trafik” e ka një sfidë të re: të bëjë bashkë artistë që interpretojnë live, nga Serbia, Kosova e Bosnjë-Hercegovina, për më shumë se katër ditë. Provat e para shërbyen për të ndërtuar ura aty ku politikanët nuk ia kanë dalë të kenë sukses.

“Para luftës kam pasur miq serbë, boshnjakë, kroatë”, thotë Bimbimma, hip-hop artist nga Kosova. “Kështu që për mua kjo është diçka e natyrshme dhe është diçka që do të duhej ta bëja më herët, por jam i lumtur që më në fund është bërë, sepse kemi nevojë që fillimisht të shkëmbejmë kultura, në mënyrë që njerëzit të shkëmbejnë pikëvështrimet dhe bashkëpunimet në cilëndo fushë tjetër”, shkruante Euronews, transmeton sot “Koha Ditore”).

Marcelo, një hip-hop artist e performues nga Serbia, thotë që “ose do të punojmë së bashku ose do ta vrasim njëri-tjetrin. “Dhe ne mendojmë që është pak më mirë të punojmë e të jetojmë së bashku”, thotë ai. Kjo nuk është risia e vetme e festivalit.

Festivali, sikurse tradicionalisht është orientuar drejt muzikës folk, sivjet ka hapur dyert e veta edhe për muzikën urbane: hip-hop dhe slam. Këtë vit, është përfshirë edhe një artist belg, që e ka zbuluar se Ballkani nuk është edhe aq larg.

“Kam mësuar të zbuloj, sepse më herët nuk e njihja aspak muzikën e Ballkanit”, thotë Youssef Swatss nga Belgjika. “Por me ekipin bashkëpunues një gjë e tillë ndodhi natyrshëm”.

Kësisoj Ballkani jo vetëm që ndërton ura bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, por edhe drejt shteteve të tjera të Evropës. Dhe në muzikën e tyre, shpeshherë të mbushur me kritika sociale, hip-hop artistët e kanë gjetur më shumë se një pikë të përbashkët.

“Ne luftojmë korrupsionin, mendjet e korruptuara e shpirtrat e korruptuar”, thotë Bimbimma. “Dhe po ashtu jemi në luftën kryesore: në atë të materializmit kundër sipiritualizmit”.

Por festivali “Balkan Trafik”, nuk do të ishte “Balkan Trafik” pa muzikë folk, pa bende brass, pa muzikë ‘klezmer’. Për organizatorët e festivalit, ka ardhur koha që të zgjerohen e të rigjenerohen perspektivat.

Nicolas Wiewrs, producent kulturor i “Balkan Trafik”, thotë: “Këtu ka rini, një gjeneratë e re në Ballkan: Ballkani nuk është vetëm traditë, nuk është vetëm folk apo etno: është edhe shumë bashkëkohor, dhe ky ‘kapitull urban’ është këtu për të ndihmuar edhe një takim mes Evropës e Ballkanit nëpërmjet muzikës dhe artit”.

Edicioni i 12-të i “Balkan Trafik” u mbajt sivjet në Bruksel prej 19 deri më 22 prill dhe më tepër se asnjëherë ka sjellë shumëçka për gjithsecilin. Publiku dukej se po shijonte kapërcimin nga një zhanër në tjetrin.

“Është shumë gjallëri, të gjithë janë kaq të lumtur: muzika është kaq e larmishme, ka kaq shumë lloje të muzikës Ballkanike, është e mrekullueshme”, ka thënë Thomas nga Belgjika. Në tërësi më shumë se 400 artistë qenë pjesëmarrës, nga secili shtet i Evropës juglindore, përfshirë Bullgarinë, Turqinë e Rumaninë.

“Balkan Trafik” është ngjarje që përzien traditën me modernizmin për një audiencë shumë entuziaste.

Artikuj të ngjashëm