Ekipi i festivalit që sivjet shënon edicionin e 15-të, e që zanafillën e ka prej impresionimit nga vizita në Kosovë e nga diversiteti kulturor që gjetën këtu, është rikthyer me një tjetër mision. Ka nisur realizimin e serisë së dokumentarëve, e Kosova është stacioni i parë. Nëpërmjet dokumentarit synohet të përthekohet mozaiku kulturor e lidhja e tradicionales me modernen, por jo vetëm
Prishtinë, 18 janar - Nicolas Wieërs nga Belgjika, të ftohtin e mesjanarit po e përjeton në Kosovë e për ta “luftuar” atë i shërben shalli me ngjyrë kuq e zi. Aty shkruhet “Kosova”. Kur flet për të, me entuziazëm e heq nga qafa për ta treguar. Ky është veç një element që tregon dashurinë e tij për kulturën shqiptare dhe shtetin më të ri në Evropë. Këtë shall e kishte marrë dhuratë para 17 vjetësh në Kosovë e është një ndër gjërat që e ruan me goxha fanatizëm.
Nicolas Wieërs është producent artistik i festivalit “Balkan Trafik”, që mbahet tash e 15 edicione në Belgjikë duke bërë që atje të dëgjohet muzika shqipe dhe të vallëzohet me të. Vizita në Kosovë para shumë vjetësh e kishte bindur që ta nisë këtë festival për të shpalosur kulturën e shqiptarëve bashkë me atë të popujve të tjerë të Ballkanit.
Ndryshe nga vizitat e viteve të kaluara, kësaj radhe ia ka mësyrë Kosovës për të eksploruar më shumë qytetet e saj me një mision të veçantë. Që nga e premtja kur ka ardhur në Prishtinë, ai i është përmbajtur një agjende të ngjeshur që e ka bërë të vizitojë shumë fshatra e njerëz që përfaqësojnë kulturën dhe jetën në Kosovë. Kësaj herë prapa ka alamet ekipi. Për ta përmbushur misionin e shpërfaqjes së diversitetit kulturor që e ka festivali, ai ka nisur serinë për realizimin e dhjetë dokumentarëve në Ballkan. Kosova ka qenë destinacioni i parë i realizimit të këtij plani.
“Arsyeja për ta filluar xhirimin me Kosovën, vërtet më erdhi prej zemrës. Kumbara i fëmijës tim është nga Gjakova. Njoh shumë njerëz nga Kosova dhe ata të diasporës që jetojnë në Belgjikë, që janë shumë energjikë”, thotë Wieërs me një ton goxha të shpejtë e me emocion.
Qëllimi kryesor i festivalit që vuri themelet para pesëmbëdhjetë vjetëve është që nëpër qytete të ndryshme të Belgjikës të shpalosë diversitetin kulturor të Ballkanit. Dokumentari që do ta realizojnë në Kosovë, sipas producentëve, do të jetë i pasur duke prezantuar aspekte të ndryshme të kulturës. Kjo po i bind ata që pavarësisht zhvillimit të artit kontomperan, tradicionalja vazhdon të mbetet gjallë.
Ndryshe nga vizitat e viteve të kaluara, ekipi i “Balkan Trafik” kësaj radhe ia ka mësyrë Kosovës për të eksploruar më shumë qytetet e saj me një mision të veçantë
“Prishtina është bërë shumë moderne dhe ka artistë kontemperanë, siç është Shqipe Kamberi, të cilën do ta vizitojmë. Në anën tjetër, vetëm 50 kilometra nga kryeqyteti mund të shohësh traditën shqiptare, duke takuar rapsodë e instrumentistë që luajnë më lahutë e çifteli dhe pikturimi i ‘nuses’. Njerëzit që jemi duke i takuar këtu, vijnë nga kultura moderne dhe ajo tradicionale. Kjo është pasuria e Kosovës. Për këtë dokumentar jemi duke kaluar nëpër nivele të ndryshme të kulturës”, ka thënë producenti Wieërs.
Një CD nga rapsodi Rifat Berisha, Wieërs ende e ruan si dhuratën e parë që ka marrë në Kosovë. E pjesë e dokumentarit të tij nuk kanë se si të mos jenë edhe tingujt e çiftelisë. Për këtë ka ndjekur interpretimin e Rifat e Mehdi Berishës. Ajo çfarë e ka impresionuar më së shumti producentin belg është se gjithçka buron nga iniciativa e vetë njerëzve që ta mbajnë gjallë traditën shqiptare.

“Më impresionon që gjithçka vjen nga vetë njerëzit, më duket që nuk vjen nga ndihma e Qeverisë apo ndonjë përkrahje tjetër. E shoh që shoqëria civile dhe njerëzit që merren me artin, e gjejnë energjinë thellë brenda vetes. Nuk janë duke pritur ndihmën e dikujt tjetër. Në Belgjikë kur duam të bëjmë diçka presim ndihmën e Qeverisë, por këtu njerëzit i bëjnë gjërat vetë”, është shprehur Wieërs.
Në mesin e atyre që kanë prezantuar artin e vet para publikut në Belgjikë është edhe reperi Bimbimma. Në vitin 2018, atij i është dhënë rasti ta prezantojë aspektin urban të kulturës në Kosovë. Që atëherë, bashkëpunimet e tyre kanë vazhduar dhe reperi kosovar gjatë së hënës ka qenë pjesë e xhirimeve të dokumentarit.
“Jemi takuar dhe kam shkuar ta prezantoj në Belgjikë kulturën e hip-hopit shqip. Ka shumë njerëz që e përcjellin këtë festival atje, ku ka qenë i përfshirë krejt Ballkani. Njerëzit na kanë pritur sikur me të ishim dikush që e njohin se normalisht kanë ardhur për me e pa kulturën urbane të Ballkanit”, ka shpjeguar reperi.
Përveç aspektit kulturor, dokumentari shpërfaq edhe aspekte të tjera të jetës në Kosovë. Rrëfime si ai i Majlinda Kelmendit nuk kishte si të mbetej jashtë kornizës. Për ta pasqyruar edhe më tej jetën kulturore këtu, ata kanë vizituar edhe zonat malore për t’i treguar bukuritë dhe mënyrën e jetesës atje.
Producentja franceze, Emma Paoli, ka thënë se nga këtu ka marrë rrëfime të fuqishme gjersa është mahnitur me pamjen.
“Është hera e parë që vij dhe çfarë më ka impresionuar më së shumti është bukuria e natyrës. Kemi qenë në male dhe nuk kam parë kurrë diçka më të bukur. Kemi vizituar disa instrumentistë me çifteli, të cilët na përcollën tinguj shumë të fortë. E kemi takuar edhe Majlinda Kelmendin dhe më impresionon, sepse vjen nga një vend i vogël dhe ka mundur të gjithë xhudistët e tjerë në botë. Është një tregim i fuqishëm”, ka treguar producentja Paoli.
“Arsyeja për ta filluar xhirimin me Kosovën, vërtet më erdhi prej zemrës. Kumbara i fëmijës tim është nga Gjakova. Njoh shumë njerëz nga Kosova dhe ata të diasporës që jetojnë në Belgjikë, që janë shumë energjikë”, thotë producenti Nicolas Wieërs
Derisa po përshkojnë shumë vende që dëshmojnë për historinë e vendit, ata po i shoqëron edhe Ilir Sefa nga fshati Deve i Gjakovës. Nga takimi i tij me producentin artistik të festivalit “Balkan Trafik”, Nicolas Wieërs, buron një miqësi që përfshin gati dy dekada. Nga bashkëbisedimi i tyre i parë ka lindur edhe dashuria e belgut Nicolas Wieërs për Kosovën. Ishin takuar në restorantin ku punonte gjakovari Ilir Sefa. Aksenti i tij e kishte nxitur Wieërsin që ta pyesë Ilirin për prejardhjen. Asokohe, Wieërs nuk e kishte idenë se ku ndodhej Kosova në hartë. Gjersa Iliri i kishte shpjeguar historinë e tij se përse kishte emigruar gjatë viteve ’90 në Belgjikë, kjo histori i kishte mbajtur plot katër orë në bisedë. Wieërs më pas mori rrugën për në Kosovë ku e kishte pritur i vëllai i Ilirit, Astriti.
“E kemi ndihmuar me informacione, me të gjitha mundësitë dhe pastaj i ka lindur ideja e festivalit, kjo duke u bazuar edhe në bujarinë e familjeve shqiptare. Ndër vite kemi vizituar krejt trevat shqiptare në kërkim të grupeve muzikore nga më të ndryshmet e folklorit e të traditave, duke i treguar çdo gjë që i bën shqiptarët e vendin të veçantë, për afrimin e vlerave shqiptare me ato evropiane”, ka treguar Sefa, i cili ka thënë se Wieërsi i prekur nga historia e popullit të Kosovës ka braktisur karrierën e boksierit për t’iu përkushtuar tërësisht festivalit “Balkan Trafik”.
Edicioni i pesëmbëdhjetë i festivalit “Balkan Trafik” do të mbahet prej 21 deri më 25 prill në Bruksel, në qytetet Namur, Charleroi, Bruges dhe do të jetë i lidhur me një aplikacion të ri celular.